Mësuesit, rregullorja e re për atestimet

 

Instituti i Zhvillimi të Arsimit ka publikuar udhëzimin mbi mënyrën se si do të zhvillohet testi i kualifikimit për mësuesit në Arsimin Parauniversitar. Burime nga ky dikaster konfirmojnë se testi i kualifikimit do të zhvillohet më datë 27 prill dhe do të marrin pjesë mësues nga i gjithë vendi. Në udhëzimin e ri të publikuar nga IZHA përcaktohet se “Kandidatët për kualifikim janë punonjësit e institucioneve arsimore publike dhe atyre private: a) me diplomë mësuesie, sipas kritereve të parashikuara në nenin 57 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”; b) pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndë profesionale në shkollat e arsimit të mesëm të lartë dhe kane kontratë individuale pune; c) pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e muzikës, të arteve pamore ose të kërcimit”-thuhet në udhëzim. Ndërkohë më tej është përcaktuar se “procedurave të kualifikimit u nënshtrohen kandidatët, të cilët, deri me 31 dhjetor, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: a) të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimit (kategorinë) “mësues i kualifikuar”; b) të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”; c) të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë mësues specialist””- thuhet në udhëzimin e ri.  Po kështu është përcaktuar se duke filluar nga viti 2014 e në vazhdim, kanë të drejtë të aplikojnë për  të fituar kategorinë e kualifikimit, mësuesit të cilët kanë grumbulluar të paktën tre kredie ne një vit kalendarik.

Testet e kualifikimit

Testet e shpallura për kandidatët janë:

1. Test i arsimit parashkollor.

2. Test i arsimit fillor.

3. Test i arsimit të mesëm të ulet, për lëndët: gjuhë shqipe, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, edukim fizik, muzikë, art pamor, si dhe lëndë të tjera specifike brenda planit arsimor, sipas kërkesave nga DAR/ZA-t.

4. Test i gjimnazit dhe i kulturës së përgjithshme të shkollave profesionale, të orientuara dhe speciale për lëndët: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Italisht, Matematike, Fizike, Biologji, Kimi, Histori, Gjeografi, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Ekonomi, Qytetari, Sociologji, Psikologji, Filozofi, Edukim fizik, Shkenca e Tokës, Trashëgimia Kulturore, Artet, Aftësimi për jetën dhe edukimi për karrierë,  si dhe lëndë të tjera specifike brenda sistemit arsimor sipas kërkesave nga DARIZA-te. Një test i provimit te kualifikimit përbehet nga dy pjese: a) Pjesa e pare përmban dokumentet zyrtare qe kane te bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe te nxënies, etiken dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte te drejtshkrimit te gjuhës shqipe, si dhe te tjera qe përcaktohen ne udhëzimin vjetor përkatës. b) Pjesa e dyte përfshin përmbajtjen shkencore te lendes sipas programit te kualifikimit përkatës.

Korrektësia

Gjatë testimit, kandidati nuk lejohet: të marrë ose te japë informacion ose kopje nga një kandidat tjetër; të komunikojë me një kandidat tjetër; të bëjë komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit datës, kohës së zhvillimit të provimit; të mbajë celular ose mjet tjetër të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit; të plotësojë testin me laps; të shkruajë në fletën e provimit ndonjë shënim tjetër përveç atyre që kërkon testi; të ketë me vete materiale të tjera si libra, fletore, flete te bardha etj; të ndërrojë vendin e paracaktuar.  Kandidati, që ka shkelur një ose me shumë nga pikat e mësipërme, sipas raportimit me shkrim të administratorit përkatës, largohet nga provimi dhe nuk merr kategorinë e kualifikimit. Kandidatët që kanë shkelur disa nga pikat e mësipërme, i ulen 10 pike nga vlerësimi i përgjithshëm.

Administrimi

Përgjegjësit e administrimit të provimit, administratorët dhe sekretuesit janë punonjës të DAR/ZA-ve ose persona të caktuar nga titullari i DAR/ZA-së. IZHA i dorëzon përgjegjësit të administrimit përkatës të provimeve fletë-testet në ambientet e IZHA-s. Përgjegjësi i administrimit të provimit: a) organizon zhvillimin korrekt të provimit bashkë me administratorët që mbulon; b) nënshkruan kontratën me drejtorin e IZHA-s dhe mban një kopje të saj; c) dorëzon te secili nga administratorët qe ai mbulon, fletë-testet përkatëse; d) zëvendëson një administrator me një nga administratorët rezervë kur e sheh të nevojshme; e) përjashton një kandidat nga provimi kur shkel rregullat e provimit; f ) lejon vetëm personat e autorizuar nga Ministri, të futen në mjediset e provimit; g) harton procesverbalin dhe ia paraqet përfaqësuesit te IZHA-s.

Administratori i provimit organizon zhvillimin korrekt të provimit; nënshkruan kontratën me përgjegjësin e administrimit dhe mban një kopje të saj; sigurohet për identitetin e kandidatit nëpërmjet dokumentit vetjak zyrtar të identifikimit, përpara fillimit të provimit;  sigurohet që çdo kandidat është ulur në vendin e paracaktuar; njeh kandidatët me rregullat e zhvillimit të provimit dhe masat e mundshme disiplinore; u shpërndan fletë-testet kandidateve; nuk lejon asnjë person të pa autorizuar të futet në mjedisin e provimit.

 Vlerësimi

Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisionet e vlerësimit të testeve. Sipas udhëzimit të publikuar nga IZHA vlerësuesi nënshkruan kontratën me drejtuesin e IZHA-s.

-Një test vlerësohet nga një grup i përbërë nga dy vetë një specialist i IZHA-s, ose një bashkëpunëtor i saj, dhe një mësues i lëndës që testohet.

-Komisioni vlerëson me pikë secilin nga dy pjesët e testit dhe vëzhgon testet e dyshuara për kopjim.

-Piket e kandidatit për secilën pjese te testit vendosen ne krye te flete-testit dhe firmoset nga te dy vlerësuesit.

-Vlerësimi përfundimtar i kandidatit behet me sistemin e 100 pikëve i cili përbehet nga piket e portofolit, te pjesës së pare dhe te pjesës se dyte.

-Kandidati vlerësohet me pese shkalle: A, B, C, D, E, qe i korrespondon përkatësisht vlerësimit  me fjalët “shkëlqyeshëm”; “shume mire”, “mirë” “mjaftueshëm” dhe “dobët”.

Çertifikimi

Kandidati që fiton kategorinë e kualifikimit, pajiset me certifikatën në të cilën tregohet edhe vlerësimi me shkronjë dhe i shoqëruar me fjale. Certifikata prodhohet nga IZHA dhe firmoset e vuloset nga drejtuesi i IZHA-s. Më pas  IZHA u dërgon certifikatat DARIZA-ve, ndërkohë që këta të fundit u dorëzojnë certifikatat mësuesve përkatës.

 Osman Dedja