Meta: Koalicioni PS-LSI jo kundër PD, për ndryshim

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim më strukturat e LSI-së së Qarkut Lezhë. Ky takim në të cilin lideri i LSI-së ishte i shoqëruar nga kryetari i LSI-së së Lezhës, njëherazi kryetari i baskisë, Viktor Tushaj, ishte i pari pas vendimit të LSI-së për koalicion me Partinë Socialiste dhe shënoi hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit në këtë qark. Në fjalën e tij Meta i falënderoi të gjithë të pranishmit për solidaritetin dhe mbështetjen lidhur me vendimin e LSI-së për koalicion me PS-në dhe opozitën e bashkuar. Ai tha se ky është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Nuk është një koalicion me PS-në kundër PD-së, është një koalicion për ndryshimin e Shqipërisë. Është një koalicion edhe për t’i hapur rrugën ndryshimeve në PD. Sepse për fat të keq, pavarësisht nga përpjekjet tona aktive konstruktive, gjatë këtyre katër viteve bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje me PD-në, rezultoi se ishte kthyer në një problem shqetësues përqendrimi i pushteteve dhe i drejtimit të shumë institucioneve nga kjo forcë politike. Këtë gjë e vëmë re edhe ditët e fundit ku shohim një degradim të gjuhës politike të komunikimit në publik, një mungesë qytetarie, edhe në parlament apo edhe në mesazhe të tjera publike nga përfaqësuesit më të lartë të kësaj force politike. Nuk është kjo kultura e cila ndihmon politikën shqiptare që të përmbushë ato përgjegjësi që duhen për të arritur ato standarde evropiane”, – u shpreh Meta. Sipas tij LSI synon që më 24 qershor Shqipëria të mos jetë më e ndarë siç është sot.

“Më 24 qershor Shqipëria nuk do të jetë kaq e ndarë sa është sot. Ne duam që më 24 qershor shqiptarët të mos ndihen të përçarë dhe të mos ndihen armiqësorë ndaj njëri-tjetrit siç për fat të keq ndihen sot. Dhe të jeni të sigurt se më 24 qershor nuk do të ketë triumfalizëm pavarësisht nga fitorja plebishitare e opozitës së bashkuar, por do të ketë marrje përgjegjësish dhe do të ketë bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë me Presidentin e Republikës dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të tjera, me qëllim që të përmirësojmë standardet e të gjitha institucioneve në Shqipëri.”, – vijoi ai. Lidhur me zhvillimet më të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se lidershipi i PD-së nuk po arrin të ngrihet në përgjegjësinë që kërkon koha dhe momenti por edhe nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara. Ai dënoi edhe ndryshimin e deklaratës së zyrtarit amerikan Moore, nga ana e kompanisë lobuese “Podesta”.  “Jo vetëm që ndodhi një dhunim i hapur i Kushtetutës dhe i kodit në parlament, në kundërshtim edhe me opinionin e komunitetit ndërkombëtar por, sikurse mund ta keni ndjekur këto ditë, kompania lobuese e qeverisë, për të cilën paguhen qindra-mijëra dhe miliona dollarë, e cila paguhet me taksat e të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht anëtarëve të PD-së, arriti të censurojë dhe të manipulojë edhe deklaratën e Drejtorit të Departamentit të Shtetit, i cili kritikonte këtë akt që kishte ndodhur me KQZ-në. Është një gabim i madh për lidershipin e Partisë Demokratike që mendon se në mënyra dhe forma të tilla do të mundet të rehabilitojë një veprim të dhunshëm, i cili u jep një përgjegjësi të jashtëzakonshme, jo për rezultatin e zgjedhjeve se rezultati është i vendosur që sot dhe ai është një rezultat spektakolar në favor të opozitës së bashkuar, por për standardin e zgjedhjeve se standardi do të ngelet aty”, – tha Meta.