Meta, me Kongresmenin Rothman: Shqipëria, e vendosur në luftën kundër terrorizmit

Në kuadër të disa takimeve që kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim po zhvillon në Kongresin dhe Senatin Amerikan, z. Ilir Meta, u prit në një takim nga Kongresmeni Steven Rothman, anëtar i Nënkomitetit për Çështjet e Mbrojtjes dhe Operacioneve të Huaja. Z. Meta dhe Kongresmeni Rothman diskutuan mbi marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe rolit të vendit në rajon. Z. Meta u shpreh se Shqipëria është një aleate e vendosur e SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit dhe një anëtare e denjë e NATO-s, duke kontribuuar në mënyrë aktive në Afganistan dhe në zona të tjera të botës ku është angazhuar Aleanca. Gjithashtu, z. Meta vuri në dukje rolin konstruktiv te Shqipërisë në rajon, në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Nga ana e tij, Kongresmeni Rothman i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e tij për forcimin e mëtejshëm të tyre. Marrëdhëniet speciale midis dy vendeve, tha Kongresmeni Rotham, janë rezultat i vlerave që popujt tanë përfaqësojnë dhe mbrojnë bashkërisht. Në këtë drejtim, ai vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura shqiptare në Afganistan, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet e tij për humbjen e Kapiten Feti Voglit. Gjithashtu, z. Rothman shprehu vlerësim të veçantë per kontributin e z. Meta ne forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke i dhuruar flamurin amerikan që ishte ngritur mbi godinën e Kongresit Amerikan, në shenjë respekti dhe konsiderate. Njëkohësisht, Kongresmeni Rothman pranoi me kënaqësi ftesën e z. Meta për të vizituar Shqipërinë së afërmi.

Shqipëria, portë hyrëse për investimet në rajon

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka mbajtur një fjalim në Forumin Ekonomik të Europës Juglindore në “John Hopkins University” në SHBA. Gjatë fjalimit të tij, kreu iLSI-së u shpreh se tërheqja e investimeve të huaja në vendet e Evropës Juglindore duhet të jetë prioritet kryesor, duke shtuar se Shqipëria dhe fqinjët e saj kanë avantazhe që lidhen me krijimin politikave fleksibël të punës, si dhe potenciale gjithnjë në rritje të produktivitetit. Ndërkaq, zoti Meta, bëri një ekspoze të realitetit ekonomik të Shqipërisë me theks të veçantë në reformat e ndërmarra nga qeveria për krijimin e një ambienti sa më miqësor ndaj biznesit dhe veçanërisht për lehtësimin e barrës fiskale dhe burokratike për thithjen e investimeve. Për këtë arsye, ai tha se Shqipëria është një vend tepër atraktiv dhe i sigurt për investitorët, të cilët duhet ta shohin atë si një portë hyrëse për tërë rajonin. Po ashtu, kreu iLSI-së iu përgjigj interesimit të mediave sa u përket investimeve në vendin tonë ndërsa tha se Shqipëria është përqendruar në thithjen e investitorëve në ato sektorë si energjia apo burimet minerare për vetë mundësitë që vendi ofron. Nga ana tjetër, kreu iLSI-së vuri theksin në nevojën e përkushtimit ndaj të rinjve, formimit të tyre profesional dhe krijimit të sa më shumë vendeve të reja të punës për ta.

Progresi në luftën kundër krimit, vendimtar për stabilitetin e Ballkanit

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, kreu iLSI-së, Ilir Meta, u prit në Agjencinë Federale kundër Trafikut të Drogës (DEA), nga kreu i këtij institucioni, administratorja Michele M. Leonhart. Gjatë këtij takimi, Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis SHBA-ve dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit dhe, në veçanti, të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Meta theksoi se progresi i mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar është vendimtar për një Ballkan më të stabilizuar, më të sigurt, më të begatë dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Duke vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve në këtë drejtim, si dhe rëndësinë e rritjes së mëtejshme të tij në të ardhmen, Meta sugjeroi hapjen e një zyre rajonale të DEA-s me qendër në Tirane, e cila do t’i shërbente luftës edhe më efikase ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale në të gjithë rajonin. Kreu i DEA-s, Michele M. Leonhart, vlerësoi punën e përbashkët të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehu angazhimin e Agjencisë për një bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim në të ardhmen. Në përfundim, Meta theksoi edhe domosdoshmërinë e rehabilitimit të viktimave të drogës në Shqipëri, si edhe rëndësinë e mbajtjes së rinisë larg çdo substance narkotike përmes angazhimit të të rinjve në programe konkrete sportive, sociale dhe punësimi.

 

Comments are closed.