Meta: Politikanët t’i përgjigjen aspiratës së shqiptarëve, jo interesave meskine partiake

Kreu iLSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje, se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me progresin e procesit të integrimit europian. Në konferencën e LRI-së, në Elbasan, Meta ka apeluar për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha prioriteteve integruese të BE-së nga ana e politikës shqiptare që vendi të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat për në BE. “Është koha për të fituar edhe atë kohë që është humbur me pa të drejtë sepse nuk mund të pranojmë që të mos respektojmë kohën, ajo është më e çmuar dhe më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër, sepse çdo minutë e humbur është një cenim i të gjithë interesave tuaja dhe të të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga Elbasani, ne i ftojmë të gjithë politikanët që të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive sepse vendi ka nevojë për vendime të rëndësishme, ka nevojë për përgjegjësi të përbashkëta në këto moment kur bota, Europa dhe rajoni janë të tronditur nga një krizë mjaft serioze ekonomike dhe financiare. “Në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej, për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI-ja do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit, sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme. Për ne integrimi nuk është thjesht një qëllim në vetvete por integrimi është e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë për të përshpejtuar reformat, për të zhvilluar shoqërinë tonë në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të barabarta me të gjithë ata të Europës. Nuk duhet më që të gjithë politikanët shqiptarë, për shkak të luftës politike, të hedhin baltë mbi njëri-tjetrin, sepse, në këtë mënyrë, hedhin baltë edhe ndaj vendit, në këtë mënyrë nuk e rrisin besueshmërinë e vendit tonë dhe të vetës sonë në raport me partnerët ndërkombëtarë. Sa paragjykime na u deshën të kapërcenim për të hequr për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Nuk ishin të paktë ata që jepnin alarmin, jashtë dhe brenda vendit, se po të hiqen vizat me Shqipërinë 1 milion shqiptarë nuk do të kthehen më në Shqipëri, por do të kërkojnë azil në BE”,- tha Meta.