Meta: Respektimi i Kushtetutës dhe barazia e votës, qëndrime të pandryshueshme për LSI-në

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në intervistë për “Zërin e Amerikës”

 – Z. Meta, çfarë ndikimi mendoni se ka imazhi i Shqipërisë mbi klimën e investimeve?

Mendoj se Shqipëria e ka arritur t’i tërheqë me sukses investimet e huaja, sidomos gjatë viteve të fundit, pavarësisht se kanë qenë vite të vështira në përgjegjësi për ekonominë botërore por edhe për ekonominë rajonale. Absolutisht që përmirësimi i transparencës, lufta kundër korrupsionit, shkurtimi i të gjitha barrierave administrative dhe burokratike kanë qenë prioritet dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet. Sikurse u vu re edhe në propozimet që tashmë janë ndërmarrë nga Task-Forca për reformën rregullatore e asistuar edhe nga USAID-i, të cilat kanë përmirësuar dhe do të përmirësojnë edhe më tej klimën e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë, konferenca e organizuar nga Universiteti “Xhon Hopkins”, këtu në Uashington evidentoi një problem të rëndësishëm që është pikërisht përpjekja e të gjithë vendeve të rajonit për të krijuar rajonal, jo thjesht një treg individual të çdo vendi, pasi madhësia e tregut është përcaktuese për të tërhequr investitorë të huaj serioz, në rastin konkret investitorë të mëdhenj amerikanë.

– Në procesin tuaj që u hap, gjykata ju nxori të pafajshëm, por për politikanin ka dhe një kriter tjetër të rëndësishëm, që është perceptimi që ekziston për të. Mendoni se është e saktë të thuhet se si politikan, ju keni humbur në këtë rast?

Unë këtë pyetje nuk arrij dot ta kuptoj për arsye sepse nuk besoj se ka pasur ndonjë që ka nuk e ka ditur që e gjithë kjo lojë ka qenë një lojë vetëm politike, e paprovuar mbi legjislacionin shqiptar, legjislacionin evropian dhe atë ndërkombëtar. Megjithatë ka qenë një lojë që unë e kam pranuar përderisa kam një përgjegjësi publike. Kjo do të thotë që, edhe pse kam qenë i bindur për gjithçka të paligjshme e politike kam dhënë dorëheqjen pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie që mund të ekzistojë, në përgjithësi, për politikanët për t’u paraqitur përpara ligjit pa funksione qeveritare, si çdo qytetar shqiptar. Njëkohësisht, të gjithë këtë proces, i cili është demontuar hap pas hapi prej gati një viti, absolutisht që unë kam kërkuar që t’i shkoj deri në fund dhe që kjo çështje të mos pushohej për procedura, pavarësisht se gjykata i konsideroi shumicën e veprimeve të kryera nga prokuroria si veprime të paligjshme, në kundërshtim me ligjin shqiptar, me Kodin e Procedurës Penale dhe me Konventat Europiane ku Shqipëria aderon. Ndërsa për sa i takon aspektit moral, ky aspekt ka përfunduar përpara gjyqit sepse më 8 maj, në zgjedhjet e përgjithshme vendore, të cilat ishin mëse politike, për shkak të politizimit të qasjeve që iu bë, natyrisht jo nga ana ime apo eLSI-së,LSIpati një rritje prej 50 për qind të votave dhe rritja më e madhe u shënua në Tiranë, ku beteja ishte edhe më politike.

– A keni ndërmend të ktheheni përsëri në qeveri?

Kjo nuk është aspak një çështje e rëndësishme apo një prioritet për mua. Për mua është përshpejtimi i integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo është edhe një nga temat kryesore që kam diskutuar edhe këtu në Uashington, në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në shumë institucione të tjera, edhe në Kongres, edhe në Senat, me drejtuesit më të rëndësishëm që merrem me marrëdhëniet e Kongresit dhe Senatit me Europën. Ajo që është e rëndësishme është se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përkrahjes së jashtëzakonshme që i dhanë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, tani gjithë prioritetin e tyre kryesor në raport me Shqipërinë, por edhe me rajonin e kanë në drejtim të përshpejtimit të axhendës integruese, gjë që u theksua edhe nga zëvendëssekretari i shtetit zoti Reeker, edhe në takimin me mua, por edhe në konferencën, së cilës edhe iu referuat. Në këtë drejtim, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit mbeten një prioritet. Kjo ishte edhe një nga arsyet e takimit tim me administratorin e agjencisë së luftës kundër trafikut të drogës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam i sigurt që Shqipëria do të shënojë progres të vazhdueshëm edhe me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

– Juve, me zotin Prifti, keni shpallur “armëpushim”, por ka kritika që thonë se kjo është një marrëveshje e heshtur për të fshehur diçka. Cili është komenti juaj për këto kritika?

Nuk kam shpallur as “luftë”, as “armëpushim” me asnjë politikan dhe nuk kam asnjë raport personal me askënd. Unë kam kërkuar që kjo çështje të hetohet dhe të hetohet deri në fund dhe, natyrisht, dëshmitari i vetëm, praktikisht nga 20 dëshmitarë që solli prokuroria në gjyq, bëri punën e tij deri në fund. Kjo është çështje e tij. Unë nuk kam ndërmend të merrem me çështje, të cilat nuk kanë të bëjnë as me vizionin tim me të ardhmen e vendit dhe as me çështjet e tjera, për më tepër, me çështjet që janë pjesë e punës që do të bëjë drejtësia dhe gjykata.

– Për sa i përket reformës zgjedhore, ju keni bërë dy propozime konkrete dhe a keni marrë mirëkuptimin e Partisë Demokratike me të cilën jeni edhe aleatë në qeveri?

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim çështja e reformës zgjedhore, nuk është çështje as e dy partive, qofshin këto, le të themi, të mëdha, siç quhen. Unë mendoj se kjo është çështje e qytetarëve shqiptarë sepse bëhet fjalë për respektimin e të drejtës së votës së tyre. Në këtë drejtim qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar për të respektuar dhe këtë parim kushtetues që ka të bëjë me barazinë e votës dhe që është shprehur në mënyrë shumë të qartë, e cila praktikisht është cenuar dhe cenohet nga i ashtuquajturi model spanjoll i sistemit tonë proporcional rajonal. Ne i kemi bërë disa propozime, partitë e tjera kanë bërë propozime të ndryshme. Shpresoj që ky proces të ecë përpara pa paragjykime.

– A mendoni se do të arrihet të përmbyllet në kohë ky proces dhe të mos ketë mungesa, sikurse ka ndodhur në të kaluarën në Shqipëri?

Është një proces që duhet të ecë më shpejt, është një proces i rëndësishëm edhe për të përparuar me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e vendit tonë. Gjithashtu, zgjedhjet nuk janë shumë larg. Pra, sa më shpejt të përfundojnë ndryshimet në kod, aq më shpejt në kohë do të kemi të gjithë së bashku për të inplementuar këto ndryshime mbi gjithë infrastrukturën e administrimit të zgjedhjeve.

– A mendoni se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit dhe nëse po, cilat janë çështjet më të mprehta që do të realizohen deri më atëherë?

Për mendimin tim, do të ishte një padrejtësi e madhe, nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat.

– Padrejtësi në drejtim të kujt?

Padrejtësi në drejtim të qytetarëve shqiptarë, në drejtim dhe të raportit Shqipëri-Bashkim Europian, në drejtim dhe të asaj që Shqipëria ka bërë, bën për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit përmes një politike shumë të vlerësuar.

– Nuk besoj se ju po e hidhni fajin tek Bashkimi Europian?

Nuk është ky qëllimi im, t’ia lë fajin dikujt, aq më tepër në drejtim të paditur. Por, Shqipëria për sa i takon kriterit ekonomik, i ka përmbushur thuajse të gjitha detyrimet dhe është një vend që është vlerësuar e vlerësohet sa u takon të gjitha këtyre reformave. Shqipëria dhe për sa i takon dhe përafrimit të legjislacionit ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kjo është vlerësuar. Për sa u takon disa çështjeve të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik, kuptohet që nuk ka qenë vullneti këtu për të miratuar disa gjëra, që u miratuan ditët e fundit, por që mund të ishin miratuar dhe para dy vjetësh apo dhe gjëra të tjera që pritet të miratohen, por që duhet të ishin miratuar dy vjet më parë, sikurse është dhe rasti i Gjykatës Administrative, e cila ka të bëjë edhe me rritjen e transparencës, ka të bëjë dhe me luftën kundër korrupsionit, edhe me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me shumë elementë të tjerë. Ndaj unë besoj se Shqipëria duhet ta marrë statusin dhe angazhimi ynë është që ne t’i plotësojmë të gjitha këto angazhime, të gjitha këto prioritete, ndërkohë që duhet të kuptojmë që ka dhe prioritete, të cilat do të jenë për një kohë të gjatë si të tilla.

 

 

 

 

Comments are closed.