Michelle Obama me të rinjtë, në kopshtin presidencial

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama ka parapëlqyer që fillimin e pranverës ta festojë në shoqërinë e disa studentëve në një vend të veçantë. Është pikërisht kopshti presidencial, që ka zgjedhur Mishel për të ndarë me studentët kënaqësinë pranverore.

Të rinj nga New York, Pennsylvania dhe North Carolina, ndihmojnë në mbjelljen e patateve, spinaqit, brokolit, karrotave dhe qepëve. Është hera e parë që fëmijë jashtë Washington, janë ftuar për të qenë pjesë e këtij evenimenti të organizuar nga Zonja e Parë, e të titulluar “Let’s Move”. Ata janë përzgjedhur në bazë të letrave që kanë shkruar rreth aktiviteteve të tyre. Zonja Obama ishte e veshur sportive me një t-shirt ngjyrë të zezë, pantallona të zeza, dhe me atlete ngjyrë bojqelli. “Letra juaj ka qenë e mrekullueshme dhe unë mendova pse të mos ju ftoj të vini në Shtëpinë e Bardhë e të më ndihmoni për mbjelljen e kopshtit”, iu është drejtuar zonja e parë, të rinjve të pranishëm në këtë aktivitet.

Kjo veprimtari, lidhet edhe me librin “American Grow”, në kopertinën e të cilit, zonja e parë e Amerikës shfaqet në një sfond me bimë e perime dhe në duar mban një kosh me perime dhe drithëra. Nëpërmjet këtij libri, Michelle Obama, fton amerikanët për të ngrënë shëndetshëm. “American Grown”, është libri i edituar nga Random House. Synimi i Michelle Obama është thirrja për qytetarët që të kultivojnë perimet e tyre dhe që të konsumojnë produkte bimore dhe bio.Gjithnjë zonja e parë e Amerikës është e angazhuar me veprimtari të ndryshme dhe njihet për jetesën e shëndetshme dhe luftën kundër obezitetit, dhe kjo në fakt nuk është një iniciativë e re kur ajo mbledhë studentë dhe fëmijë të shumtë.

Comments are closed.