Mikrokreditë, kategoritë që i përfitojnë

Fillon implementimi i projektit “Lëvizja gjithëpërfshirëse e biznesit social në Shqipëri”

Nënshkruhet marrëveshja e re me kompanitë gjermane për mbrojtjen sociale të familjeve në nevojë, si dhe për zhvillimin e bizneseve të vogla. Aktivitetet që përfshihen në biznesin social. Kush përfshihet në skemën e financimit

“Prioritet kryesor i qeverisë është që deri në 2013-ën varfëria ekstreme të zhduket. Ka qenë iniciativa e Kryeministrit Berisha për të sjellë përvojën më të mirë Botërore për luftim e varfërisë, duke kontaktuar me nobelistin e njohur, Prof. Muhamed Yunuss, dhe kërkuar prej tij bashkëpunim me qeverinë shqiptare për të zbatuar lëvizjen gjithëpërfshirëse të biznesit social në Shqipëri”. Kështu është shprehur dje, ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes kompanisë “Promovimi i Biznesit Social” JSC dhe kompanisë gjermane “Biznesi Social Yunus”. Marrëveshja e përbashkët parashikon zbatimin e projektit “Lëvizja e biznesit social në Shqipëri”, që do të fillojë implementimin më 1 prill 2012. “Ngritja e biznesit social në Shqipëri ka në bazë të tij akordimin e mikrokredive për më të varfrit dhe grupet e rrezikuara, të cilët janë të përjashtuar nga burimet e tjera të kredisë dhe me implementimin e kësaj lëvizjeje nevojat e të varfërve dhe shtresave vulnerabël në shoqërinë shqiptare nuk do të plotësohen vetëm nëpërmjet mbështetjes financiare nga ndihma ekonomike, por nëpërmjet sistemit të mikrokredive do të kenë mundësi punësimi dhe vetëpunësimi, duke u shkëputur nga hendeku i varfërisë”,- deklaroi Ksera. Ministria e Punës bashkëpunoi ngushtë me Gramen Creative TAB dhe krijoi të gjitha kushtet për formimin e “Shoqërisë “Nxitja e Biznesit Social” dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së djeshme, u hodh një hap i rëndësishëm për konkretizimin e projektit “Lëvizja gjithëpërfshirëse e biznesit social në Shqipëri”. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u mbajt në Ministrinë e Punës, me pjesëmarrjen e ministrit te Punës, Spiro Ksera, Drejtoreshës Ekzekutive të Biznesit Social Yunus, Saskia Bruysten Yunus, Drejtoreshës Ekzekutive të Kompanisë “Promovimi i Biznesit Social, Ardita Bonatti. I pranishëm ishte edhe drejtori i YSB-së për Shqipërinë, Alexis Rawlinson, si dhe Anëtarët e Bordit të Kompanisë “Promovimi i Biznesit Social”. Një biznes social është një biznes, misioni i të cilit është trajtimi i një nevoje sociale apo mjedisore, në një mënyrë financiarisht të qëndrueshme. Kostot e tij mbulohen nga të ardhurat që ai nxjerr. Koncepti i biznesit social ka lindur nga Prof. Muhammad Yunus, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2006. Prof. Yunus është kryetari dhe pronari i kompanisë “Biznesi Social Yunus”.

Aktivitetet e Lëvizjes Shqiptare të Biznesit Social

 Aktivitetet e Lëvizjes Shqiptare të Biznesit Social do të përfshijnë:

– Inkubacioni i bizneseve sociale: konsultim, trajnimi dhe ngritja e rrjetit për projektet dhe sipërmarrësit e biznesit social;

– Sipërmarrje të biznesit social me fondin e investimit: investim për projektet më të mira të biznesit social;

– Një konkurs për idetë mbi biznesin social: konkurs për plan-bizneset dhe njohja e terrenit në të gjithë Shqipërinë;

– Partneritete me autoritetet lokale: krijimi i “komunave te biznesit social”

– Aktivitete universitare: leksione, aktivitete me studentë dhe bashkëpunim me universitete në mënyrë që të përfshijnë në kurrikulat e tyre në biznesin social.

– Ndërgjegjësimi i publikut: raportime mediatike, “ambasadore” te biznesit social dhe evente publike.

– Shkëmbime dhe investime ndërkombëtare: sjellja ne Shqipëri e rrjetit te gjere te biznesit social Grameen/Yunus. Projekti do të fokusohet tek nevojat e anëtarëve me të varfër dhe më të brishtë të shoqërisë shqiptare.

 Skema e financimit

Përveç kësaj, lëvizja do të përfshijë krijimin e një institucioni të ri mikrofinance për të siguruar mikrofinancë, të bazuar në metodën Grameen. Kjo do të ketë tiparet e mëposhtme:

• Mikrokredi për më të varfrit, të cilët janë të përjashtuar nga burimet e tjera të kreditimit (përfshirë institucionet e mikrofinancës me kushte komerciale)

• Klientët e synuar janë gratë, zakonisht për shkak të ndikimit më të madh që kanë ne mirëqenien e familjes

• Kredi pa kolateral, shlyerja e garantuar nga modeli i kreditimit në grup dhe kalimin në kredi më të mëdha vazhdim.

• Kredi për aktivitete që gjenerojnë të ardhura ose gjenerojnë vetëm përmirësimin e aseteve (jo për konsum). Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, do të filloje menjëherë puna për zbatimin e projektit në terren.

Comments are closed.