Ministri Bumçi pret ambasadorin e Serbisë

 

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi, priti sot në një takim kortezie Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, z. Miroljub Zariç. Ambasadori Zariç e uroi Ministrin Bumçi, për detyrën e re dhe i përcolli përshëndetjet e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, z. Ivan Mrkiç si dhe ftesën e këtij të fundit për të vizituar Beogradin. Ministri Bumçi theksoi se marrëdhëniet me Serbinë janë të rëndësishme në kontekstin e politikës rajonale t? Shqipërisë. Ai vuri në dukje vullnetin e Shqipërisë për vendosjen e dialogut të hapur mes dy vendeve për krijimin e një klime të qendrueshme mirëbesimi dhe ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive, si kontribut për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ministri Bumçi shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për hapat pozitivë që po ndërmerren për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se arritja e marrëveshjes do të kontribuojë në përshpejtimin e proceseve integruese të rajonit tonë. Nga ana e tij, Ambasadori Zariç theksoi gatishmërinë e vendit të tij për përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllim realizimin e objektivit të përbashkët, integrimin në BE.