Ministria e Bujqësisë, ndihma ushqimore për bagëtitë e fermave të Nënshkodrës

 

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka nisur shpërndarjen e bazës ushqimore për fermat e zonës së Nënshkrodrës, të cilat u prekën nga përmbytjet e ditëve të fundit. Menjëherë pas marrjes së kërkesave zyrtare nga komunat, Drejtoria e Bujqësisë Shkodër dhe nga Shtabi i Emergjencave në këtë Prefekturë, në Ministrinë e Bujqësisë u ngrit grupi i punës për të siguruar bazën ushqimore për bagëtitë. Kështu, u arrit që të siguroheshin rreth 500 ton koncentrat, ushqim për bagëtitë e imta dhe të trasha. Shpërndarja e ushqimeve nisi sapo u përmirësuan kushtet atmosferike, u tërhoq dhe pastrua terreni nga uji. Baza ushqimore u sigurua në një kohë të shkurtër, por vetëm tani nisi shpërndarja pasi më parë ishte e pamundur ruajtja dhe mbajtja e saj në fermat e komunave që patën probleme me përmbytjet. Në bazë të kërkesave, grupi i punës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka bërë dhe ndarjen në sasitë përkatëse të koncentratit. Rreth 100 ton do të shpërndahen për fermerët që ndodhen në territorin e Bashkisë Shkodër, po kaq për fermerët e Obotit që janë pjesë e Komunës Ana e Malit dhe po rreth 100 ton për fermat e Dajçit. Sasia tjetër do të jetë për fermerët e fshatrave të tjerë. Shpërndarja po bëhet me mjetet të specializuara dhe të gjitha sasitë e koncentratit dërgohen në komunat përkatëse, nga ku bëhet dhe ndarja për fermat e bagëtive. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bën me dije se ushqimi është koncentrat, pra përzierje e disa lloj drithërash dhe lëndë të thatë, ushqim ky cilësor dhe ndër më të mirët që prodhohen aktualisht.  Sasitë e para të bazës ushqimore u shpërndan dje. Gjatë përmbytjeve, u dëmtuan rreth 2 300 hektarë sipërfaqe të mbjella me foragjere për bagëtitë.

 

Shpërndarja e koncentratit sipas zonave:

 

Bashkia Shkodër, 100 ton koncetrate

Komuna Ana e Malit (Oboti), 100 ton koncetrate

Komuna Dajç, 100 ton koncetrate

Komuna Rrethina, 50 ton koncetrate

Komuna Bushat, 80 ton koncetrate

Komuna Bërdicë, 70 ton koncentrate