Ministria e Drejtësisë, procedim disiplinor për 8 gjyqtarë

Ministria e Drejtësisë ka depozituar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë 8 kërkesa për procedimin disiplinor të 8 gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Kavajë dhe Kukës. Llojet e masave disiplinore të kërkuara nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi variojnë nga masa “vërejtje” deri tek “shkarkimi nga detyra”. Sipas Ministrisë së drejtësisë procedimet disiplinore bazohen në gjetjet e inspektimeve të zhvilluara si nga Inspektoratet e kësaj ministrie ashtu dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Gjithashtu Ministria e Drejtësisë thekson se masat e kërkuara janë në raport të drejtë me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve, ndërsa shton se mbetet e vendosur për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në drejtim të efektivitetit të tij dhe rritjes se përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës.