Ministria e Financave publikon efektet që ka dhënë ligji i faljes

Rushaj: Amnistia mbyllet më 31 mars

Të gjithë personat mund të përfitojnë nga ligji i faljes deri në fund të marsit. Kështu, qytetarët që kanë për të legalizuar paratë, rivlerësuar pronën, kapitalin dhe ato biznese që kanë pasuri të patundshme, makineri asete të padeklaruara mund të përfitojnë nga ligji për amnistinë fiskale deri në fund të këtij muaji. Në një konferencë për mediat, zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tregon për efektet që ka dhënë ky ligj deri tani. “Rezulton që të jenë legalizuar 3.1 miliardë lekë që vijnë nga individët dhe rezulton që të jenë rivlerësuar rreth 141 miliardë lekë. Janë paguar për këto rivlerësime 1.4 miliardë lekë tatime dhe në fakt janë falur 12.7 miliardë lekë individëve që kanë marr pjesë në këtë proces”,- tha Alfred Rushaj, z/ministër i Financave. Dhjetorin e kaluar pati një fluks kërkesash nga qytetarët për të rivlerësuar pronën, ndaj Ministria e Financave vendosi të shtyjë afatin edhe 3 muaj. Rushaj fton qytetarët të përfitojnë nga ky ligj. “Fenomeni që u vu re në dhjetor me shumë gjasa mund të përsëritet në dy javët e fundit të marsit, prandaj mendoj që është koha që ata individë, natyrisht dhe bizneset, të cilët duan të përfitojnë nga zbatimi i këtij ligji, duhet të programojnë kohën e tyre, ti kushtojnë paksa kohë që të mund të aplikojnë për përfitimet”,- vijoi Rushaj. Nëse ditët e fundmarsit do të ketë sërish fluks kërkesash për rivlerësim të pasurisë nga qytetarët, ata duhet të dinë se 31 marsi është afati i fundit. Ministria e Financave thotë se nuk do të ketë një shans të dytë.

 

Comments are closed.