Mirardhsh Ali Pashë Tepelena, luani i Shqipërisë!

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Nga Keze Kozeta Zylo

Deklaratën e kreut të ekzekutivit të shtetit shqiptar, Sali Berisha, në mbledhjen e komitetit ndërshtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, se do të sjellë së shpejti kokën e Ali Pashë Tepelenës, Bonapartin e Ballkanit, nga shteti turk, e mirëprita.

Berisha pohoi se: “Aliu është një strateg dhe i tha botës se ky komb është i pamposhtur. Kaq e vërtetë është sa sulltani i kërkoi kokën për të vërtetuar që ishte vrarë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta kthejmë. Midis Tepelenës dhe Muzeut Kombëtar, kjo do zgjidhet, ai ka një vend të merituar në histori”.

Edhe pse është tepër e vonuar sjellja e eshtrave të Ali Pashë Tepelenës, si rezultat i politikave gllabëruese të administratave dhe historianëve që kanë drejtuar dhe shkruar për kombin tonë, deklarata e Kryeministrit duhet përgëzuar. Kjo për arsyet dhe faktet e padiskutueshme që ka figura e shquar historike e Ali Pashë Tepelenës.

Veprat dhe luftërat e Aliut janë përkthyer në 40 gjuhë të botës, siç shikohet figura e tij renditet pas Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Pashai tepelenas tërhoqi vëmendjen botërore, të studiuesve të shquar, të politikanëve më në zë, të poetëve të famshëm si Bajroni etj. dhe i uli këmbëkryq në Kalanë madhështore të Tepelenës që ngrihet mbi lumin Vjosa dhe me te drejte e kanë quajtur si ballkoni i Perëndive Pagane.

Ja si shkruan Lord Bajroni kur vizitoi Tepelenën dhe kalanë e Aliut:

“Nuk do të harroj kurrë ditën kur hymë në Tepelenë, në orën pesë të mbrëmjes, ndërsa dielli ishte duke perënduar. Më erdhi në mëndje, me pak ndryshime në veshjen, përshkrimi i Branstone Castle në një nga librat e Ëalter Scott.

Veshja ndryshon mbas kombësisë së trimave që janë në shërbim të Vezirit.

Shqiptarët kanë petkun ma të mrekullueshëm të botës me fustanellën e bardhë, me jelekun prej kadifeje të qëndisur me ar, me xhamadanin prej stofe të zezë dhe me koburen dhe kamën me doreza prej argjendi të punuar. Tartarët me qylafët e gjatë mbi krye; turqit me çallmat dhe kaftanët e veshur me gëzof përbrenda. Të gjitha këto kostume të bukur plot ngjyra dhe shkëlqim, ashtu edhe banesa e Ali Pashës formonin një pamje fort të këndshme për një të huaj. Më futën në një dhomë që ishte shtruar mjaft bukur dhe Sekretari i Vezirit më pyeti për shëndetin mbas modës turke.

Nuk më lejuan të paguaj as për fjetjen, as për ushqimin dhe as për ndonjë send tjetër”.

Perandoria turke dridhej përballë strategut dhe Luanit të Epirit Ali Pashë Tepelenës, ndaj dhe Sulltani kërkoi kokën e shqiptarit tepelenas në tepsi që ta besonte se Aliun e vranë.

Gjithmonë më ka shqetësuar fakti që: “Si është e mundur që historianët kanë heshtur përballë figurës madhore dhe tepër të rëndësishme të kombit shqiptar Ali Pashë Tepelenës, i cili me zgjuarsi dhe diplomaci iu tregoi vendin hordhive turke duke e mbajtur gjithë Epirin jashtë pushtimit turk?”

Këtu e kam fjalën për ata historianë që fatkeqësisht kanë firmën “de jure” dhe nisen nga interesa meskine dhe të çastit ku më së shumti e kanë shtrembëruar dhe çoroditur lexuesin. Asnjë institucion nuk ka deri me sot emrin e tij, asnjë Muze nuk është ngritur për atë, ndërsa kalaja madhështore u popullua nga banorët vendas.

Në Beçisht, ku është vendlindja e Pashait, një fshat nga më piktoreskët që shtrihet butësisht rrëzë Shëndëllisë dhe ka përballë Tepelenën, nuk ekziston asgjë, edhe pse më parë dukeshin rrënojat e shtëpisë së tij. Megjithatë, Ali Pashai ngeli rrënjë gjer në eshtër në zemrat e popullit tepelenas dhe gjithë patriotëve shqiptarë.

Ai u përjetësua në këngët popullore, në poetët e shquar tepelenas dhe shkrimtarët. Aliu ishte i gjallë në vendlindjen e tij, Beçishtin. Madhështia dhe bëmat e Tij tregoheshin nga burrat e moçëm beçishtjotë buzë rrapit ku ishte ulur këmbëkryq dikur Pashai.

E rritur me nënë nga Beçishti sa herë shkoja pranë gjyshërve atje, ishte e pamundur të mos dëgjoje histori të vërteta të Pashait kthyer në legjenda, ata i tregonin me një krenari të ligjshme, por pse jo dhe të trishtuar që figurës së tij nuk i ishte dhënë vendi dhe merita e duhur historike.

Ai u rrit në familjen aristokrate të Beçishtit ku nëna e tij vinte nga dera e madhe e Konicajve nga Faik Konica. Aliu ishte i biri i Veli Bej Tepelenës dhe Hankos, e cila ndikoi fuqishëm në rritjen e birit të saj, vezirit të Epirit, ndaj dhe populli i ka kënduar:

… Hanko kur polle Alinë

ndriti bota vetëtimë …!

Është fakt se ka pasur shumë kundërshtarë për Ali Pashë Tepelenën dhe do të ketë, madje disa prej tyre armiq të betuar të tij, të cilët i janë bashkuar njerëzit prej armiqve të tij, Pukëvilit famëkeq francez. Por a duhet që këta dashakeq të historisë sonë të thonë fjalën e fundit dhe ta zhvirgjërojnë historinë?

Në periudha të caktuara ka pasur dhe ka burra Shqipëria që iu kanë treguar vendin e duhur këtyre alla studiueseve shqiptarë dhe të huaj që hedhin baltë mbi historinë. Midis tyre më duhet të përmend Faik Konicën një nga korifenjtë e kulturës shqiptare i cili iu është përgjigjur armiqve të Pashait si më poshtë:

“Është turp, në një kohë ku kombi shqiptar zuri të pendohet për paudhësitë” e shkuara, në një kohë ku armiqtë tanë na bërtasin për ditë në faqe t’Evropës se kurrë nuk jemi përpjekur për lirimin tonë, është turp, them të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë qi përpiqen të pakësojnë fytyrat qi i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vënt që të përpiqen të rrëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe po vlera ish vlera e tyre. Është vërtet se, kur mendohem se çfarë shqiptarë janë ata qi duan të mbulojnë me këlbaza emrin e luanit qi i vuri spatën Turqërisë, shpejt ngushëllohemi”.

Por le të hidhemi përsëri tek koka e Pashait që do të kthehet në Shqipëri, pyetja është po trupi i tij që ndodhet në Janinë kur do të vijë?

Shpresoj që, së shpejti, të kthehet dhe trupi i Pashait dhe të prehen të qetë në mëmëdheun e tij, për të cilin luftoi gjer në fund të jetës së tij për Pavarësi dhe shkëputje nga Perandoria otomane turke që e mbajti nën zgjedhë për 500 vjet të robëruar.

Atëherë do të përmbushet një nga misionet historike e institucioneve shtetërore për ta vendosur Ali Pashe Tepelenën atje ku e ka vendin, pikërisht në Muzeumin Kombëtar.

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin