Pierre Mirel: Dialog gjithëpërfshirës për integrimin

Ambasadori i BE-së, në Tiranë, Ettore Sequi dhe Drejtori për Zgjerimin për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, kanë deklaruar se Shqipëria duhet të adresojë sfidat për të bërë progres si dhe dialog mes palëve. Në fjalën e tij, gjatë tryezës së përbashkët BE-Shqipëri të Komitetit të Stabilizim Asociimit, Mirel theksoi se Shqipëria ka bërë progres në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kërkoi që integrimi të kthehet në çështje kombëtare. Gjithashtu ai theksoi se për çështjen e integrimit duhet dialog gjithëpërfshirës. “Kemi parë muajt e kaluar zhvillime pozitive dhe që nga ajo nga ajo kohë, të cilat kanë qenë inkurajuese dhe këto duhen kthyer në masa konkrete. Ne mirëpresim jo vetëm dialog në parlament, por edhe këtu me ne. Siç tha ambasadori Sequi do të diskutojmë edhe për programin e mbështetjes nuk dua ta zgjas se do kemi agjendë të gjatë. Këtu nuk shprehim vetëm pikëpamjet tona por edhe të 27 vendeve anëtare dhe shpresojmë që të gjejmë një progres”, u shpreh ai.

Sequi: Jemi këtu për t’ju ndihmuar, përgjegjësia është e juaja

Ndërsa në fjalën e tij, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi theksoi se Shqipëria duhet t’i adresojë sfidat për të bërë progres. Ai theksoi se komiteti është i rëndësishëm për të paraqitur progresin dhe se ka nisur puna për realizimin e reformave. “Mirëpres planin e aksionit që ne besojmë në kapacitetin e Shqipërisë nëpërmjet dialogut progresiv. Vullneti për progres mund të përkthehet në arritje konkrete në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Jemi të gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në këtë detyrë. Jemi këtu për t’ju ndihmuar, por kjo është përgjegjësia juaj për të ardhmen përpara”, u shpreh Sequi.

Bregu: Kushtet për Shqipërinë, më kërkuese se më parë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në fjalën e saj gjatë mbledhjes së Komitetit të Stabilizim Asociimit për integrimin në BE, theksoi se kushtet për Shqipërinë janë më kërkuese se më parë. Në fjalën e saj, ministrja Bregu vlerësoi si sukses historik liberalizimin e vizave dhe theksoi se do të ketë më shumë çështje për të treguar se Shqipëria i ka zbatuar të gjitha masat e MSA. “Progresi që është bërë në 12 prioritetet kryesore, jemi të bindur se më shumë progres duhet bërë në muajt e ardhshëm. Kushtet e BE janë më kërkuese se më parë. Mendoj se është e rëndësishme që të vazhdojmë përpara iniciativat tona, dhe gjithçka do të vlerësohet me ndershmëri”, u shpreh ministrja Bregu në fjalën e saj.

Comments are closed.