Moda e sezonit të pranverës, lulet, tendenca më e fundit

Të gjithë dyqanet kanë shfaqur në vitrinat e tyre tendencën më të re të modës për sezonin e pranverës. Duke lënë pas ngjyrat e errëta të dimrit, tashmë secili prej nesh dëshiron të mbajë veshur kombinime të ndryshme ngjyrash për t’u përshtatur sa më mirë me ambientin e ngrohtë dhe mbi të gjitha për tu ndjerë më në formë. Jo vetëm veshjet kanë një rëndësi të veçantë, por edhe këpucët, çantat, bixhutë, të cilat krijojnë një kombinim perfekt për veshjen tonë. Për sezonin e ri të pranverës, stilistët e shumtë propozojnë veshje me lule të stampuara në fustane apo në çdo rrobë që do të veshim. Anna Molinari për koleksionin e ri të Blumarine, ka vendosur të ketë lule kudo. Në një fustan me sfond të bardhë ajo propozon lule të stampuara ngjyrë portokalli dhe shumë fluoreshente. Gruaja Blumarine është ekzotike, lulet shfaqen edhe në pantallona, xhaketa, këpucë, çanta të kombinuara me varëse të mëdha.

Edhe linja e re, Blugirl, luan me tonalitetet e ngjyrave dhe formave të luleve. Aty gjejmë ngjyra të gjala e të forta, aq sa të duken si reale. Ndërsa Salvatore Ferragamo për koleksionin e tij të ri është frymëzuar nga ikona e modës së viteve tetëdhjetave, Jerry Hall dhe ka bërë të tijat lulet e stampuara. Xhaketa me lule, të kombinuara me pantallona të shkurtra njëngjyrëshe është ajo që na propozon.  Edhe Moschino ka zgjedhur formën e lules për të dekoruar veshjet e tij, por ai ka zgjedhur materiale si tyli e dantellat për t’i krijuar ato. Edhe tek Roberto Cavalli gjejmë një miksim të luleve në veshje. Jo vetëm por edhe ngjyra e verdhë është tendecë për këtë sezon. Nuancat e saj mund të varijojnë nga ato më të lehtat e deri tek ato më të errtat.

Comments are closed.