Monitorimi i bankave, masa më të rrepta për kreditë e këqija

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Të miratohen rregulla më të forta kundër kredive të këqija në bankat e nivelit të dytë. Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për Parlamentin. Sipas tij, krijimi i një modeli të ri ekonomik synon minimizimin e borxheve, rritjen e kreditimit dhe njëherësh rritjen e prodhimit. Gjatë prezantimit të raportit vjetor 2012, në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Fullani nënvizoi nevojën për të shlyer borxhin e kompanive nga qeveria. “Gjëja kryesore që u diskutua është nxitja e kreditimit. Ne duhet të bëjmë dhe të gjejmë të gjitha mundësitë për të realizuar kreditimin në vendin tonë. Të gjithë presim që kjo paketë të kalojë menjëherë në parlament. Është jo vetëm një nxitje për kreditim, por është një ristrukturim total. Nuk është vetëm problemi i shlyerjes së kësaj shume ndaj kompanive. Të krijohet një rregull i cili nuk do të lejojë më që këto të krijohen në këtë mënyrë e të shlyhen në këtë mënyrë”,- tha Fullani. Ndërsa Fullani tha se kanë nisur të shlyhen borxhet ndaj kompanive, deputeti i PS-së Arben Malaj deklaroi se qeveria nuk po i paguan detyrimet, por po i trashëgon ato. “Sa i përket sistemit bankar mospagesat që qeveria nuk i ka bërë biznesit për punimet e kryera për investimet publike, detyra e parë e qeverisë aktuale është të shlyejë borxhet ndaj biznesit”,- tha Malaj.  Guvernatori Fullani raportoi se në 2012, inflacioni është mbajtur nën kontroll, në nivelin 2 për qind. Ai tha se viti i kaluar ka qenë i vështirë për ekonominë, eksportet ranë për shkak të krizës te fqinjët, ndërsa rënia e kërkesës në vend ka ardhur për shkak të pasigurisë.

Qeveria shet 120 milionë euro bono

Qeveria rrit borxhin e brendshëm me rreth 120 milionë euro. Banka e Shqipërisë shet 16.8 miliardë lekë bono thesari në dy ankande për bonot me afat maturimi 6-mujor dhe 12-mujor, për llogari të Ministrisë së Financave. Për letrat me vlerë një vjeçare shuma e shpallur për shitje është 10.5 miliardë lekë, ndërsa për ato 6-mujore është 6.2 miliardë lekë. Në ankandin e fundit të kryer dy javë më parë  interesi i bonove 12-mujore shënoi rënie  duke arritur në 6.13%. Ndërkohë, interesi mesatar i bonove tre mujore të shitura dy javë më parë arriti në 5.04 për qind.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here