Monumenti “Juka”

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Nga Kabil Bushati

Në mëngjes, sapo dal nga shtëpia për të shkuar në punë, tek kthesa e Mapo-s, më dalin para tri fjalë të shkruara në një pllakatë llamarine: Rruga “Musa Juka”. Përditë këto janë tri fjalët e para që akcentoj me zë të ultë. Teksa lexoj ketë emër, rrotull meje më duket sikur lëvizin e rrotullohen erëra të fuqishëm si punë tornadoje. Dhe mendimi im shkon tek ai. Se e tillë ishte jeta e tij që i ngjiste një tornadoje, e cila e ngriti lart deri përtej reve, në majat e pushtetit mbretëror, duke u bërë figura e dyte pas mbretit Zog.

 Për aftësitë e tij të spikatura, për ndershmërinë e tij ndaj detyrës dhe për besnikërinë e tij ndaj mbretit është shkruar shpesh në faqet e shtypit të përditshëm dhe periodik nga shume autor bashkëkohor dhe të ditëve të sotme. Kam shkruar dhe botuar për të edhe unë tek gazeta “Shkodra”. E si të mos shkruaj për këta monument të Shkodrës, për ketë Fushe të Shqipërisë? Ndoshta figura e tij nuk e ka gjet akoma vendin e merituar ne panteonin e historisë, por gjithsesi, jemi krenar për ketë shkodran burrë shteti të radhë e të spikatur.

 Por gjithnjë, burrat më në zë të këtij kombi, kanë kaluar përmes fenomenit të njohur të inaumorimit dhe baltosjes. Për turpin tonë. Edhe në rastin Juka u gjet një njeri, jo historian, për ta baltosur figurën e tij. Auron Tare, një oficer i rangut të ultë i këmbësorisë (fanterisë), një komandant toge i komunizmit, të cilin reforma e nxori në lirim. Kohët e fundit, oficeri në fjalë është katapultuar deputet i PS-së. Një enverist i flaktë, i rritur dhe i brumosur më mësimet e PP-së. Ne rastin ne fjalë, oficeri i rangut të ulët të fanterisë, se ku ka gjetur një pusullë bakalli, që do të na e shesë për të arkivave të SOE-së, Shërbimit Sekret Anglez, dhe e valëvit si flamur fitimtari. “O tempora o mores”.

 Për t’u bërë më i besuar, ka përkthyer nja 5-6 rreshta dhe i tund në hava sikur ka bërë zbulimin e shekullit. Se ku nxirren konkluzionet me 5-6 rreshta ketë vetëm një ish-oficer i diktaturës mund ta dijë. Pse nuk e boton dokumentin të certifikuar në origjinal? Besoj se atëherë do të ishte më i besuar. Apo një dokument i tillë nuk ekziston dhe do të shesë sapun për djathë pusullën e bakallit, një dokument i thënçin e fals do të na e servirë për origjinal? Ndoshta i del gënjeshtra në shesh dhe kësaj i ndruhet. Më mirë shpif, shpif se diçka do të ngelet. Nuk duhet të harrojmë se ka gazeta që janë të etura dhe të prirura për sensacione dhe skupe. Dhe gazetat nuk hezitojnë t’ia botojnë shkrimet Auronit, madje, ta promovojnë edhe në faqe të parë: “Musa Juka spiun i dyfishtë për jugosllavët dhe anglezet”. Dhe këtë shpifje e bën për disa vite rresht në gazeta të ndryshme e te përditshme. Se si kanë pranuar këto gazeta t’i veshin epitetin e spiunit, pa pasur ndonjë dokument të pakontestueshëm, një ish ministri të suksesshëm të Mbretërisë, kjo është punë e tyre, por ky veprim i tyre tregon se këto gazeta bëjnë një punë të papërgjegjshme dhe cenon rendë imazhin e tyre. Ne vend që t’u shtohen lexuesit, më vjen keq ta pohoj, por ua pakësohen lexuesit, pra shkrimet e tilla ju kthehen në boomerang. Dhe duhet të shtojmë këtu se Auron Tare është i vetmi i vetëquajtur analist që shpif për Musa Jukën. Pra, është kopje e radhë,ndoshta e vetme ndër oficerët e rangut te ulët të fanterisë.

 Gjatë leximit të shkrimeve anti-Musa, bie në sy se ky paska pas një palo pseudonim: Muzzle dhe një numër të koduar A/H73. Sinqerisht, më vjen për të qeshur me këtë oficer fanterie të rangut të ulët, i cili me fantazinë e tij krijon lloj-lloj emërtimesh spiunazhi që të bahet i besueshëm tek lexuesit dhe tek eproret e tij. Le të ndalemi tek pseudonimet dhe t’i analizojmë me gjak të ftohtë ato. Mos jetë ky pseudonimi Muzzle, pseudonimi i Myslym Pezës apo i ndonjë fshatari tjetër të quajtur Musli? Sepse ky pseudonim më tepër ka afinitet me këta emra se sa me emrin Musa. Në fakt, Myslym Peza dhe Haxhi Lleshi janë përgojuar në shtypin tonë shpesh për lidhjet e tyre agjenturore me jugosllavët. Nuk i mjafton kjo shpifje që bën ndaj ish-ministrit të brendshëm të Mbretit Zog, por që ta zhysë edhe më thellë e bën të shitur edhe tek anglezët, të cilët gjoja i kishin blerë listat e agjentëve shqiptarë. Megjithëse në këtë rast është për t’u lavdëruar kontributi i tij në luftën antifashiste duke u rreshtuar përkrah forcave aleate që luftonin fashizmin,pasi Anglia i kishte shpallur luftë boshtit Romë-Berlin-Tokio. Në atë kohë Italia fashiste e kishte pushtuar Shqipërinë. Nuk na mbetet tjetër, veçse ta pyesim autorin se shitja e agjentëve shqiptarë është bërë me shumice apo me pakicë dhe a e kanë paguar anglezët TVSH-në apo jo (shaka kjo).

 Por edhe kjo është e pabesueshme. Realisht, listat e agjentëve shqiptar i dispononte zyra e Shërbimit Sekret Shqiptar, në krye të së cilës ishte Zef Kadarja. Edhe ky shkodran i spikatur, i cili mund të konsiderohet themeluesi i Shërbimit Inteligjent Shqiptar. E bash për ketë, mbas çlirimit u pushkatua nga regjimi i Enver Hoxhës, për të vetmin “gjynah” se kishte pas rekrutuar Enverin si agjent të vetin. Pra, Musa Juka nuk kishte si të dispononte listat e shërbimeve inteligjente dhe nuk kishte asnjë tagër mbi këto shërbime. Këtë e pranon logjika më e thjeshtë dhe mendja e pa stërvitur me të tilla punë. Është komplet e pabesueshme dhe komplet gënjeshtër që Musa Juka kur ishte në ekzil në Turqi dhe Egjipt, përmes jugosllavëve iu paskësh shitur anglezëve listat me agjentë. Si mund të shitet një gjë që nuk e disponon? Ministria e Brendshme ka të tjera detyra dhe Shërbimi Inteligjent ka të tjera. Ata bashkëveprojnë, por realisht, janë të ndarë nga njeri-tjetri. Kaq gjë, besoj se nuk ka nevojë për shpjegim të mëtejshëm.

 Pastaj, meqë nuk jemi krejt profan në transaksionet financiare, kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen: a disponon zotëria analist se paku ndonjë firme me speciment të plotë të Musa Jukës mbi ndonjë kuitancë apo çek a mandat pagesë. Sepse rëndom kur paguhet nga një shërbim i huaj për shitje dokumentesh, pagesa bëhet kundrejt një dokumenti financiar. Kemi të bëjmë me shërbimin sekret nder më të njohurit në botë në mos më seriozi, dhe janë shumë skrupuloz në marrëdhëniet me lekun. Nëse e keni, lutemi ta publikoni, por kujdes se firmat dhe shkrimet e dorës së Musa Jukës i kemi dhe mund t’i dërgojmë për analiza gjer në laboratorët e CIA-s apo FBI-së. E pastaj do të pjellë belaja.

 Një gjë tjetër që bie në sy në këto seri shkrimesh anti-Jukë është tendenca për ta ordinerizuar atë. Sipas autorit Tare, pjesë e planeve të Musa Jukës ishte të hidheshin me anë të avionit një sasi çantash me florinj në brigjet e Liqenit të Shkodrës. Dy barinj sapo të shikonin avionët, do të ndiznin zjarre për sinjale. Pastaj do të binin florinj si breshër nga qielli. Do të tepronin florinj edhe për peshkun. Sa qesharake. Vetëm truri i lodhur i një oficeri të fanterisë mund t’i japë udhë një imagjinate të tillë. Por ky plan dështoi shpejt që në embrion, pasi afër vendit ku do të hidheshin çantat me florinj ishte aeroporti italian i Shtojit. Sipas pusullave të Tares, Juka ishte person që joshej shumë lehtë nga paratë. Jemi në vitin 1942, dhe gjithnjë sipas pusullave të Tares, duheshin blerë shumë shqiptarë nga anglezët që të futeshin në luftë me Italinë. E beson kush ketë përrallë? Patjetër që askush, as pleqtë e azilit të pleqve nuk do ta kapërdinin këtë gënjeshtër. Është njëlloj si përralla e qilimit fluturues, autori kujton se Musa Juka është një kokërr injoranti, i pashkolluar dhe njeri tepër ordiner. Le ta dish ti, Auron, dhe të tjerët se Musa Juka ka kryer Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1907 në Stamboll. Dhe kjo është meritë e familjes Juka që e dërgoi djalin e vet në Stamboll për të vazhduar studimet e larta me shpenzimet e saj. Pra, siç akcentova më lartë, ai e ka kryer Juridikun qysh në fillim-shekullin e kaluar, fakultet të cilin ti nuk e ke për vete as sot. Musaja ka kandiduar që në vitin 1916 për kryetar bashkie në Shkodër dhe ka fituar votimet tri herë duke u zgjedhë kryebashkiak i Shkodrës, rast ky unik. Shkodra kishte respekt të madh për Musanë ndaj ia dha votën pa mëdyshje. Pastaj është emëruar prefekt i Shkodrës dhe në vitin 1925 u caktua ministër në qeverinë e Zogut. Pra ka një ngjitje në karrierë për t’u admiruar.

 Është lajthitje e thellë e atyre që i kanë inskenuar këto shpifje kaq naive ndaj ish-ministrit Musa Juka. Ai ka qenë personalitet i spikatur i Shkodrës dhe jo spiun. Qëndrimi i tij në ekzil është dinjitoz. Ai ka jetuar vetëm me rrogën e së bijës, e cila jepte mësim frëngjisht ne Kajro. Ka bërë një jetë të thjeshtë vetëm që mos t’i përulej askujt. Përse ju zoti Tare mundoheni të ja nxirosni edhe në varr. Në vend që të ngriheshe në Parlament e të propozoje t’i sillnit eshtrat prej varrezave të Kajros merreni me përralla dushk me gogël. Sepse bijtë e shqipes kanë vdekur të shpërndarë si pendët e korbit, dhe janë mbuluar ne dhe në varrezat e Romes, Parisit, Stambollit, Kajros, New Yorkut, Bukureshtit etj. dhe askujt nuk i bie në mend për ta.

 Nga sa shkruam më sipër, kemi të bëjmë me një trillim të pastër. Duke denigruar ish-ministrin Musa Juka, duke etiketuar atë si spiun (poliagjent), po përgatitet terreni për të rehabilituar Mehmet Shehun. Të gjitha epitetet që i ka vendose në shpinë diktatori Mehmet Shehut, po tentohet t’i vihen në shpinë Musa Jukës. Dhe misionar më të mirë se Auron Taren nuk kanë ku me gjet.

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here