Moshapja e dosjeve, premtim i pambajtur

Aty ku e shkuara i është lënë bjerrjes, ku tragjeditë janë mbajtur të kyçura, dosjet të mbyllura e sallat të heshtura, nuk merret frymë lirisht – edhe ajri mban erë dheu. Hapja e dosjeve me ligj dhe demaskimi zyrtar i spiunllëkut, do të ishte premtim politik i mbajtur, do të ishte, pa dyshim, arritje e standard shoqëror, do të ishim njëkohësisht më afër qytetërimit, do të çliroheshin energji pozitive dhe ide të reja për edukimin në shkolla, punë, mjedise publike, mënyrën e të sjellit, faqet e shtypit, televizion etj.

Po, është shkruar e debatuar për ligjin e lustracionit, kanë folur viktimat e njerëzit e ligjeve, madje dhe vetë skenaristët e dosjeve kanë dhënë e japin leksione – tashmë këtë e dimë, veçse nuk absorbojmë qëndrimet e fundit të politikanëve tanë. Ky është emëruesi i përbashkët, ky është opinioni i shumicës. I mbetet të ardhmes së afërt për të ndriçuar shkaktarët e moshapjes së dosjeve të Sigurimit. Flet Presidenti, Kryeministri, opozita, deputeti, analisti politik e të gjithë njerëzit me pushtet e privilegje, ndërkohë viktimat e kërrusur nën barrën e padrejtësisë po shuhen ngadalë me belbëzimin në gojë, peshon e shkuara o djema! Po sa peshon kjo? Me dëshirë do rikujtoja romanin me të njëjtin titull të Lindita Arapit, e cila që në krye të herës, në mënyrë artistike, artikulon momentet psiko- analitike të viktimës e tutorit të përpunuar, si produkt i fenomenit jo të bardhë. Sa rëndon mbi ne e shkuara, e jona e etërve, e gjyshërve? Sa e mbajnë mbi vete pasardhësit barrën e dhimbjes e padrejtësitë që ndjejnë të parët? A kapërcen vuajtja brezat, duke u transmetuar në kohë, duke u kthyer në peng që vranëson të tashmen e pasardhësve? A shëron rrëfimi vuajtjen? Do të mjaftonin vetëm këto për të vajtur në përfundimin si rezultante e zallamahisë nihiliste, e cila është prezent në mjediset tona kohët e fundit, është simptoma kancerogjene e pashfaqur mirë, madje serioze, siç ndodhi kërcënimi fizik i deputetëve nga njerëz anonim, aq më keq nga ajo shtresë. Në këtë botë ka lloj-lloj të ardhurish, ka nga ata që iu erdhi ora, nga ata që i vranë se donin të vrisnin, fatkeq që ikën nga një gabim i vogël padashur e nuk kanë kujt t’i ankohen veç Zotit, po nga të gjithë, ne jemi më fatkeqët, më të përbuzurit, është fjala për ata që u viktimizuan, medoemos është fjala edhe për ligjin e lustracionit. Përsëri referuar romanit, të vjen të zhbëhesh, kokrrizë dheu të bëhesh. Po ja që nuk po u zhbëkam dot, nuk po bëhem dot dhe, pleh për lule. Andaj rënkoj, po nuk më dëgjon kush. Dhe nuk kanë faj. Ata që shkelin dheun mbi mua janë të mbijetuarit që nuk e kuptojnë ende gjuhën e “qoftëlargut”. Ka një dëshirë të fundit, të thjeshtë, paqësore, që është edhe dëshira ime. Aty ku e shkuara i është lënë bjerrjes, ku tragjeditë janë mbajtur të kyçura, dosjet të mbyllura e sallat të heshtura, nuk merret frymë lirisht, edhe ajri mban erë dheu. Po, po, hapja e dosjes me ligje është bash një aspirate e qytetarëve të lirë, të atyre që e duan demokracinë. Të painformuarit ta dinë se qytetërimi i pretenduar nuk vjen nga mobilimi i banesave, as nga shumëllojshmëria e produkteve ushqimore e automjetet e reja, por nga civilizimi qytetar e “çlirimi shpirtëror prej qoftëlargut”. Hapja e dosjeve me ligj dhe demaskimi zyrtar i spiunllëkut do të ishte premtim politik i mbajtur, do të ishte pa dyshim arritje e standard shoqëror, do të ishim njëkohësisht më afër qytetërimit. Pse jo e përsëritur, në referencë të njëjtë, sipas dëshmisë së ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, në gjyqin e vitit 1983, punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e tyre përllogaritnin në këtë shërbim 1/3 e popullsisë, hiperbolikisht do të thotë çdo tre veta njëri ishte spiun, saktësisht në këto vite ishin të regjistruar 68814 persona nën këtë armë të heshtur vrastare. Me petkun e zi të djallit, këta persona e pjella e tyre, të mos harrojmë se kanë përfituar edhe shpërblimet përkatëse që i gëzojnë edhe sot. Kurioziteti do të vazhdonte më tej, nëse ish-ministri i Brendshëm, sot kryetar i grupit parlamentar të opozitës të deklaronte shifra zyrtare të tjera apo situata e fenomene të së njëjtës natyrë. Do të ishte, përsëri edhe më shumë interes, sikur faktorët politikë shqiptarë të miratonin me përshpejtim ligjin për hapjen e dosjeve, qoftë edhe me amendimet e propozuara nga shoqëritë civile dhe opozita. Sot, në këtë kontekst, mosmiratimi i ligjit të hapjes së dosjeve është pakënaqësi latente, prevalon me shpejtësi dhe është masive, të paktën për sensorët realë të opinionit qytetar kështu është. Dijeni është fjala për politikëbërjen. Të gjitha testet e opinionit shoqëror e vërtetojnë këtë, të presim indiciet politike, tashmë të përsëritura në këtë drejtim – ky është opinioni i trashëgimtarëve që vuajnë pasojat e veprimtarisë së zezë të dosjeve. Sipas tyre, qëndron edhe një argument, i cili në këtë kontekst konsiderohet fyes, karshillëku për ato shtresa që kanë përjetuar represionit e kësaj natyre. Vazhdojnë leksionet të qeta si dikur, kërkohen mesatare notash e rekomandime nga duar të sigurta për karrierë, firmosin në fshehtësi e nxijnë ç’të mundin, lavdërojnë bashkëpunëtorët e tyre, hera-herës kërkojnë edhe shpërblime. Vërtet numri i bashkëpunëtorëve të Sigurimit ka qenë i kufizuar në dhjetëra-mijëra sipas dëshmive të kreut të Sigurimit, por dëmi i shkaktuar që në embrion të moralit tek individi ka qenë i shumëfishuar. Pikërisht brezat që vijnë të mos e njohin vetëm si histori të faqes së zezë të kohës, por si plagë që do shërohet, është në dorën e tyre dhe kërkon po vëmendjen e qytetarëve.

Për rikujtesë po përmendim shifrat e terrorit komunist, por edhe si rezultat i veprimtarisë së padukshme të armatës së deklaruar zyrtarisht nga ish kreu i sigurimit të shtetit K. Hazbiu. Në Shqipërinë tonë janë dënuar 26768 burra dhe 7367 gra, 5 577 persona të vrarë në atë regjim, 1065 kanë vdekur në burgje, 17.900 me akuzën e nenit famëkeq “55” agjitacion e propagandë, 30 383 shqiptarë janë internuar në kampe përqendrimi, 408 prej tyre kanë humbur aftësinë mendore nga torturat, kanë vdekur në internim 7022 qytetarë.

Në opinionin qytetar, lexohet e komentohet kjo damkë, që e mbartin disa. Sot, nëpërmjet miratimit të ligjit, do t’i hapej rruga demaskimit zyrtar dhe ligjor të kësaj plagë shoqërore, do të ishte arritje jo vetëm e një shtrese të caktuar. Dhëntë Zoti, politikanët e drejtuesit e lartë të këtij shteti ta vlerësojnë kërkesën e pjesës që e ka pësuar nga fshehtësia e dosjeve me ligje, të paktën na lehtësohen vështirësitë e jetës,por jo vetëm. Projektligji për hapjen e dosjeve, i bërë publik para shumë kohëve në fakt është pranuar nga mbarë opinion qytetarë, dhe si i tillë prêt miratimin. Realiteti politik kohët e fundit po sjell një tjetër motivim të pakuptimtë në hapjen e moshapjen e dosjeve, të paktën sipas këndvështrimit qytetar absolutisht është i tejkaluar për shoqërinë, dogmatizmi, veçse rëndon situatën politike asgjë më shumë. Këtë brengë, në mënyrë indirekte, e përjetojmë edhe të lindurit pas viteve 1990 pasojat e të cilit ndjehen dukshëm në mjediset publike. Nuk janë të rralla debatet dhe grindjet ndërmjet të rinjve pse jo edhe në fjalorin e rrugës, ku është përdorur edhe prindi i tij si spiun, pavarësisht se moshat e reja nuk e bëjnë dallimin duke e përmendur pa të keq hera herës. Sipas politologëve francezë pa drejtësi sociale nuk mund të kemi paqe shoqërore. Kjo e fundit sigurohet nga ngritja e shtetit ligjor dhe respektimi i së drejtës së lirive të individit, pra ky është thelbi i eliminimit të kësaj plage që e kemi të hapur. Për të mos e bezdisur lexuesin, apo për ta thyer disi seriozitetin e të shkruarit me vrer, po sjell dy-tri mikrofakte, për të ilustruar sjelljen e viktimës me tutorin apo absurditetin e qëndrimeve politike për këtë problematike që pretendojmë të trajtojmë? Në librin e Blendi Fevziut ndër faktet historike të vërtetuara tashmë, qëndron mungesa e arsimimit të anëtarëve të byrosë politike, pra të gjithë anëtarët e byrosë politike nuk kishin arsimin e plotë, nuk kishin shkollën përkatëse për fushat që mbulonin. Pyetja e parë, për të painformuarit është përse afronte partia dhe Enveri të tillë njerëzish pa shkolle në majën e pushtetit? Përgjigja e parë që të vjen ndërmend do të ishte se të paaftin e drejton me mirë, vjen nga populli kjo shprehje, të paktën kështu është simbolizuar dhe kjo qëndron edhe ne pushtetin e kohës së sotme. Por, sipas opinionistëve, e më saktë studiuesve të këtyre dukurive, është edhe kategoria e spiunëve që shfrytëzohen në raste të tilla, duke e pasqyruar fenomenin si të përjetshëm. Faktet e vërtetojnë këtë të fundit si të tillë, të pavlerë por me rëndësi për individin. Detyrohemi përsëri ta rikujtojmë edhe sot pas 22 viteve të çliruar nga tentakulat e merimangës helmuese, anëtari, zyrtari apo zëvendësi detyrohet të pranojë ndërvarësinë morale me titullarin. E për lexuesin e thjeshtë që edhe mund të mos e miratojë këtë shpjegim, duhet informuar se jo të gjithë administratorët e pushtetit të tij që i ka votuar e ruajnë virgjërinë apo më saktë nuk janë spiunë në rrethana të caktuara, pra shkurt dhe qartë, informojnë titullarin e të tjerë në mjedis me informacione që s’kanë lidhje me detyrën. Pyetja është a konsiderohen spiunllëqe këto? Këtu ndajmë qëndrime të ndryshme ndërmjet miqve e kolegëve, madje gati sa nuk është bërë qesharake kur komentohet ky fenomen. Njerëzit me dosje apo pjella e tyre në administratën e shtetit janë peng për shumë arsye, por në këndvështrimin qytetar do të veçonim atë me të rëndësishme. Opinioni, tashmë i moleps këtë kategori, qofshin të moshave, gjinive e prejardhjeve të ndryshme, sepse bëmat e tyre i ka ndjerë e përjetuar, madje heshtjen e kishte motivuar në raporte me egërsinë e diktaturës, më thjeshtë akoma e kanë bërë spiunllëkun prej hallit. Në realitetin e ri të sistemit demokratik, absolutisht, ky opinion nuk mund të justifikojë prezencën e tyre në podium, ky është e keqja më e madhe që mbartet e diskutohet tek njerëzit e thjeshtë apo edhe administratorët e shtetit të ndershëm. Në mirëkuptim me lexuesin, më duhet të shpjegoj se në auditorin e një institucioni rajonal të Shkodrës, janë larguar të pranishmit nga salla në mënyrë demonstrative nga drejtori i një dikasteri të ardhur nga Tirana, veçse dihej prejardhja, kontributi e integriteti i tij. Mllefet e padrejtësitë e këtyre natyrave i zgjidh fare lehtë ligji i lustracionit, i cili në këtë rast ruan përveç personalitetit të drejtorit, njëkohësisht lejon zhvillimin e kulturës demokratike të drejtpërdrejtë, për të cilin kemi shumë nevojë. Nisur nga fakti i pakëndshëm për drejtorin, shkodranet me humorin e hollë, apelojnë politikës, mos na detyroni të sillemi si “pederastë” me këta drejtues anonim. Është një premtim i pambajtur zoti kryeministër, mos hapja e dosjeve. Ne përcjellim opinionin tonë aty ku kemi dhënë votëbesimin, të tjerat zgjidhni në Tiranë, spiunët e pjellën e tyre nuk i admiron asnjë qytetar demokrat apo socialist aq me shumë në rolin e drejtuesit apo leksion-dhënësit. Madje, ta themi edhe një të vërtetë, o i nderuar president! “Spiuni do spiunin ose në mes është interesi vetjak”, nuk besojmë se ka tjetër argument në përputhje me interesin tonë komunitare. I thoni Bamir Topit dhe E. Ramës, jemi dëshmitare okularë, i kemi përjetuar dhe vazhdojmë t’i përjetojmë bëmat e spiunëve e larjen e krapit këtej nga Liqeni i Shkodrës, po jua dërgojmë me humor këto muhabete se ne e kuptojmë që në Tiranë jeni bërë njësh me njëri-tjetri (nipër e dajë), prandaj nuk e lejoni qarkullimin e elitave, edhe kjo me shaka ishte – mos e merrni seriozisht, deri në zgjedhjet e 2013-ës. Në këtë kontekst e ilustrim të fakteve, po shkruaj me përgjegjshmërinë e personit që informon publikun, sigurisht edhe të ligjit, se ish-bashkëpunëtori N.D., aktualisht në pension, 78 vjeç, pa asnjë klasë shkollë, me banim në Tiranë, në prani të shumë pjesëmarrësve deklaron se: “Kam futur dy vetë në burg në kohën që ushtroja atë detyrë që më caktonte i plotfuqishmi i lagjes, kjo veprimtari ka zgjatur 20-25 vjet tregon ai. Çfarë është e rëndësishme këtu për lexuesin e vëmendshëm? Cila është kryesore për lexuesin? Së pari, dëshmia e personit vërteton shkallën e civilizimit shoqëror të komunitetit, që do të thotë, edhe pse përfaqëson atë kategori, për të cilin kemi shkruar, ai është i lirë dhe i pacënueshëm. Problemi qëndron, nëse po ky person do të ishte në drejtimin e punëve të shtetit e në role kyçe për firmosjen e dhënien e drejtësisë. Sigurisht, do të ishte i pabesueshëm, madje shumë i urryer. Pikërisht arsyetimi vërteton se personat me pushtet në kupolën e qeverisjes së vendit që janë prurje e kësaj kategorie janë të destinuar të jenë peng i eprorit dhe të padëshiruar për të tjerët. Në momentin e duhur për arsye politike-ekonomike, anonimati i personit dekonspirohet në media, duke dëmtuar rëndë besimin e shumë të tjerëve, ndërkohë që miratimi i ligjit rregullon raportet e palëve, njëkohësisht rrit performancën e pushtetarit në opinion. Sa i pavlefshëm është ky fakt interesant për të painteresuarin, kjo është normale, madje në të mirën e atij që nuk i dhemb asgjë, por pasojat e atyre mendjeve vrastare të padukshme reflektohet qartazi në fytyrat e breznisë biologjike të të persekutuarve politikë, të atyre që janë të damkosur nga ato firmosje në bodrumet e fshehta të asaj kohe. Është normale për atë pjesë të vogël, trashëgimtarët e Bllokut, të cilët dje ushqeheshin pa tollona e sot kalojnë kufirin pa dogana. O zonjë apo zotëri qytetar! Është fjala për më tej, është vrarë në lule, biologjia trashëgimore e vlerave, është dëmtuar i pafajshmi, është ndarë familja e ndërprerë karriera. Pakënaqësia e padrejtësia sociale ushqejnë urrejtje, e cila frenon çastet e gëzuara të jetës sonë në komunitet, hijezon lumturinë e gjithsecilit, këtu është fjala? Sigurisht që po. Atje i kanë hapur me ligj dosjet e spiunëve, kanë ngritur edhe shtëpi publike për ata që braktisin cilësitë familjare, bëjnë edhe jetë nate, heqin edhe simbolet e së keqes së tyre. Me miratimin e ligjit të hapjes së dosjeve do të çliroheshin energji pozitive dhe ide të reja për edukimin në shkolla, punë, mjedise publike, mënyrën e të sjellit me bashkëpunëtorët, në bisedat e lira, faqet e shtypit, televizion etj. E keni vënë re se nganjëherë me koshiencë të plotë (alegorikisht) i varim mëlçitë ujkut në qafë ose i besojmë ndershmërinë tutorit të djeshëm e kjo, kur bëhet nën kujdesin e shtetit, është mjaft e dhimbshme. Pra, me miratimin e ligjit kemi një shans për ngritjen në detyrë të njerëzve me dinjitet, është shans edhe për politikanët e vyer, të cilët e dinë që produkti i spiunëve është i limituar dhe shumë alergjik, përveçse ligji, asgjë tjetër nuk i paralizon këta të fundit të penetrojnë kudo, deri në nivele të larta të pushtetit.

 Sulejman Cakoni, specialist në MBUMK

Comments are closed.