Mospjesëmarrja e Topit në Lezhë, Presidenca: Iu mohua fjala

Presidenca ka sqaruar sot mospjesëmarrjen e Presidentit Topi në ceremonitë zyrtare të përkujtimit të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në një deklaratë për publikun, Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron se: presidenti Bamir Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. “Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë. Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni. Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë”, sqaron deklarata e Presidencës.

 

Comments are closed.