MPJ, dënon vrasjen e 2 shqiptarëve në Maqedoni

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar sot në lidhje me vrasjen e dy shqiptarëve disa ditë më parë në Gostivar të Maqedonisë. Në një deklaratë për shtyp, MPJ-ja duke iu shprehur ngushëllimet familjarëve të dy shqiptarëve ka dënuar vrasjen e tyre duke shtuar se ngjarje të tilla nuk konbtribuojnë për prosperitetin dhe stabilitetin në vend. “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se kjo ngjarje do të hetohet me shpejtësi dhe transparencë nga organet përkatëse dhe autorët do të vihen para ligjit” përfundon deklarata. Dy të rinjtë shqiptarë nga Gostivari, Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç u qëlluar për vdekje disa ditë më parë nga punonjësi i policisë Jakim Trifunovski, pas një zënke për një parkim në lagjen ku po jetonin. Prej tre ditësh në Gostivar janë zhvilluar protesta kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë ndërsa është kërkuar që autori i vrasjes të vihet përpara drejtësisë. Ndërkohë në qendër të Gostivarit, në Tetovë dhe në Shkup do zhvillohen protesta kundër dhunës policore pas vrasjes së dy të rinjve shqiptarë në Gostivar nga një polic. Në Shkup do të protestohet sërish, së bashku shqiptarë e maqedonas, me të vetmin qëllim, kundër dhunës policore. Menjëherë pas namazit të xhumasë nga qendra tregtare Çairçanjë do të nisen qytetarët të cilët do të përfshihen në protestë drejt qendrës së Shkupit për t’iu bashkuar turmës tjetër të qytetarëve të cilët do të presin para sheshit Nënë Tereza në rrugën Maqedonia në orën 13:00. Protesta do të drejtohet sërish ndaj policisë dhe dhunës që ushtrojnë ata, ndërsa do të shkojë deri te Ministria e Punëve të Brendshme.

Comments are closed.