MPJ e Kosovës dënon sulmin ndaj ambasadës maqedonase

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj Ambasadës së maqedonase në Prishtinë. Përmes një deklarate për mediat, ministria e konsideroi tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve këtë akt vandal, ndërsa u bëri thirrje organeve të hetuesisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe të vënë para organeve të drejtësisë autorët e këtij akti të ulët. “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë”, theksohet në komunikatë. Sipas njoftimeve të Policisë së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë u sulmuar të shtunën mbrëma me koktej molotovi, ndërsa nuk ka të raporime për persona të lënduar apo dëme materiale. Edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë e ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë. “Duke pasur parasysh se ky paraqet edhe një incident më serioz, MPJ pret që incidenti të dënohet nga autoritetet kosovare si dhe të gjenden dhe sanksionohen autorët e sulmit. Njëkohësisht, Republika e Maqedonisë pret që autoritetet kosovare të punojnë në parandalimin e incidenteve të këtilla, me çka edhe do të manifestoheshin përcaktimet e deklaruara të Kosovës për marrëdhënie të mirë ndërfqinjësore me Republikën e Maqedonisë, për ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në gjithë rajonin”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme maqedonase.

Comments are closed.