Ekonomi

Muaji i fundit për “amnistinë” fiskale, Tatimet sqarojnë bizneset si të përfitojnë

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Kur ka mbetur pak më shumë se një muaj nga përfundimi i afatit ligjor për fshirjen e detyrimeve tatimore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një material të posaçëm, sqaron tatimpaguesit se si mund të përfitojnë.

Kompensimi i detyrimeve me tepricat kreditore

Tatimpaguesit, që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës kreditore deri në masën e tatimit principal të papaguar.
Kur teprica kreditore nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit të papaguar, tatimpaguesi duhet të kryejë pagesën e pjesës së mbetur të tatimit të papaguar në mënyrë që të përfitojë nga fshirja e dënimeve administrative.

Kompensimi i tepricës kreditore me detyrimin tatimor të papaguar, zbatohet pa kontroll paraprak të tepricës kreditore nga Administrata Tatimore.
Ndërprerja e masave të mbledhjes me forcë nga Administrata Tatimore për detyrimet tatimore të papaguara që fshihen/shuhen, Administrata Tatimore ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë sipas këtij ligji.

Tatimpaguesit që nuk përfitojnë

Tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës, nuk mund të përfitojnë nga fshirja/falja e detyrimeve tatimore të papaguara.

Detyrimet tatimore të papaguara në proces ankimimi

Për të përfituar nga fshirja e detyrimeve tatimore të papaguara të cilat janë në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor, tatimpaguesi duhet të heqë dorë nga ankimi administrativ ose gjyqësor në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.

Bazuar në Ligjin Nr. 33/2017, datë 30.3.2017, të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar që kanë detyrime tatimore të papaguara ndaj Administratës Tatimore qendrore e vendore, mund të përfitojnë nga fshirja/falja sipas kushteve të përcaktuara në ligj.

Tatimpaguesit që nuk përfitojnë Tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës, nuk mund të përfitojnë nga fshirja/falja e detyrimeve tatimore të papaguara.

Detyrimet tatimore që fshihen pa kusht

Detyrime tatimore të papaguara janë tatimi, kamatëvonesa dhe çdo dënim administrativ i lidhur ose jo me tatimin e papaguar. Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore 31.12.2016 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit deri në 31.12.2016, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Fshihen/shuhen dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.

Detyrimet tatimore që fshihen me kusht

Fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën 06.05.2017, të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:

a) detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011– Dhjetor 2014;

b) kontributet e sigurimeve, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011 – Dhjetor 2014;

c) taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011 – Dhjetor 2014.

Për të përfituar nga fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të mësipërme, që rezultojnë të papaguara në datën 06.05.2017, tatimpaguesit duhet të paguajnë të plotë tatimin/taksën/tarifën/kontributin e papaguar të periudhës përkatëse tatimore.

Raste të tjera të përfitimit nga fshirja e detyrimeve. Fshihen detyrimet tatimore, për tatimpaguesit që rezultojnë të çregjistruar në QKB me vendim gjykate apo që janë të çregjistruar në Administratën Tatimore deri në datën 06.05.2017.

Fshihen detyrimet për deklarime të vonuara

Fshihen dënimet administrative tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar, sipas nenit 113, të ligjit nr. 9920,datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve.

Fshihen dënimet administrative për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara,

Fshihen dënimet administrative për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2017;

Fshihen dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.

Detyrime tatimore që nuk përfitojnë nga fshirja

Nuk përfitojnë nga fshirja të gjitha dënimet administrative të vendosura nga Administrata Tatimore në raste të konstatimit të shkeljeve të procedurave tatimore, si për moslëshim kuponi tatimor, për mosregjistrim të të punësuarve, për pengim të kontrollit tatimor, etj.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here