Ndërmarrja e ujësjellësit kalon në pronësi të bashkisë

Mblidhet Këshilli Bashkiak në mbledhjen e parë për vitin 2012

Nis punimet Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratohen pesë projektvendime. Votohet me 28 vota pro e asnjë kundër që Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të kalojë në pronësi të bashkisë së kryeqytetit

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur me 28 vota pro e asnjë kundër, që Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime të kalojë në pronësi të bashkisë së kryeqytetit. Më parë, ky institucion varej nga Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike. Këshilltarët socialistë, para se të votohej ky projekt, kanë ngritur shqetësime në lidhje me faturat e ujit dhe të dritave, duke i kërkuar kryetarit Basha transparencë në këtë proces. “Ju, zoti Basha, keni ngritur zërin për çmimin e portokalleve, por jo për faturat që ju shkojnë qytetarëve në shtëpi. Një administratë e përgjegjshme do nxirrte përgjegjës, madje do vinte edhe njerëz para drejtësisë”,- u shpreh Dalipi. Ndërsa nga ana e tij, Lulëzim Basha, premtoi se këto probleme do të zgjidhen që në këtë muaj. “Brenda datës 5 mars, të gjitha familjet e faturuara më tepër nga ujësjellësi, do faturohen më pak në muajin pasardhës, pra do t’u zbritet shuma e paguar më tepër në muajin paraardhës. Për problemet imagjinare, të mos harxhojmë kohën, pasi asnjë intrigë politike nuk do ta zhbëjë vendosmërinë time”,- tha Basha.

 Nis puna e Këshillit Bashkiak për vitin 2012

Në mbledhjen e ditës së djeshme, Këshilli Bashkiak ka miratuar pesë projekt-vendimet “Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011”, prej rreth 357 milionë lekësh, i cili në bazë të ligjit “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, trashëgohet në vitin pasardhës. Fondi i trashëguar nga viti 2011, do të alokohet 56 për qind për investime dhe 37 për qind për shpenzime korente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7 për qind e këtij fondi do të jetë transfertë për Njësitë Bashkiake. Në këtë mbledhje është miratuar dhe propozimi i kryetarit të bashkisë për zmadhimin e kapitalit të Klubit të Futbollit “Tirana sh.a”. Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e Klubit të Futbollit të “Tiranës”. Kryebashkiaku Lulzim Basha i ka propozuar Këshillit marrjen në pronësi nga bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë. Lidhur me këtë, ka pasur debate mes këshilltarit të majtë Aldrin Dalipi dhe kryebashkiakut, Lulzim Basha. Dalipi ka ngritur problemin e faturave të ujit dhe energjisë ku shumë qytetarë ankohen se faturohen më shumë seç paguajnë, duke i kërkuar kryebashkiakut transparencë në këtë proces. “Me thënë të drejtën, kam takuar shumë qytetarë të ndëshkuar, të papunë e invalidë, të cilët ishin faturuar më shumë se sa kanë paguar. Ju, zoti Basha, keni ngritur zërin për çmimin e portokalleve, por jo për faturat që ju shkojnë qytetarëve në shtëpi. Një administratë e përgjegjshme do nxirrte përgjegjës, madje do vinte edhe njerëz para drejtësisë”, – ka deklaruar Dalipi. Nga ana e tij, Basha, i ka cilësuar akuzat e Dalipit demagogji dhe se procesi i marrjes në pronësi të aksioneve të saj të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë është një proces tërësisht transparent.

 

Krijimi i Qendrës Sociale

Një tjetër propozim që u miratua është projektvendimi “Për krijimin e Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët” për qendrën që ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11 në Laprakë, ku do të nisë ofrimi i shërbimeve për kategoritë në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore, etj. Ndërkohë, u votua dhe për propozimin që ka bërë kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, për vendosjen e pllakës përkujtimore, në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit (Nder i Kombit), Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.