Nderohet vepra krijuese e studiuesit Ibrahim D. Hoxha

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së studiuesit Ibrahim D. Hoxha, mbahet një konference shkencore e posaçme mbi vlerat e veprës së tij shumëdimensionale, veçanërisht për kontributin në fushën e folklorit dhe të historisë së Çamërisë.

Në mjediset e Akademisë së Shkencave u zhvillua dje konferenca shkencore “Një jetë kushtuar shkencës dhe atdhetarisë”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së studiuesit Ibrahim D. Hoxha, i cili njëherësh është edhe drejtor i Shoqatës Kulturore shqiptaro–turke “Hasan Tahsini”. Qëllimi i kësaj veprimtarie lidhej me nxjerrjen në pah të vlerave të veprës së studiuesit Ibrahim Hoxha, veçanërisht për risitë dhe kontributin që ka dhënë në përndritjen e historisë dhe të figurave krijuese të komunitetit çam. Në fokus të analizave dhe vlerësimeve nga ana e ligjëruesve ishin disa nga veprat e tij, si: “Enciklopedi Jug-shqiptare” (në dy vëllime), “Hoxhë Hasan Tahsini”, “Bilbila dhe thëllëza çame”, “Vjershëtarë të hershëm çamër”, “Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek”, etj.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin miq, kolegë, studiues të fushave të ndryshme, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në vend, si dhe pjesëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Veprimtarinë e çeli Dr. Ramiz Zekaj, drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), i cili foli për disa nga tiparet identifikuese të veprës së Ibrahim D. Hoxha, ku veçanërisht u ndal në punën kërkimore të autorit në fushën e transkriptimit të vargjeve me alfabet arab, të krijuara prej autorëve çamë. Ai e konsideroi studiuesin në fjalë, si një “bletë çame” që ka mbledhur nektarin më të vyer të gurrës popullore, e të kulturës së trojeve çame dhe ia ka ofruar publikut shqiptar, që të përfitojë prej saj, por edhe ta ketë si një trashëgimi të çmuar kulturore.

Ndërsa, më tej fjalën e mori  zv. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ardian Tana, i cili tha se ndihej krenar me pjesëmarrjen e tij në këtë ditë, kur kujtohet një personalitet që ka dhënë një kontribut të veçantë për çështjen kombëtare në përgjithësi. Z. Tana konstatoi se: “Tek Ibrahim D. Hoxha unë gjej shembullin e një njeriu të palodhur, pavarësisht 90 vjetëve që mban mbi supe. Për mua ai është një model frymëzimi, dhe unë e konsideroj atë një enciklopedi të gjallë”. Ai bëri të ditur për të pranishmit se i është dërguar një kërkesë Presidentit të Shqipërisë për ta dekoruar Ibrahim D. Hoxhën, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e madh dhe të vyer që ka dhënë për çështjen e atdheut dhe kombit shqiptar.

Veprimtaria vijoi me të tjera kumtesa e ligjërata nga studiues e miq të autorit, si: Prof.dr. Seit Mancaku dhe studiuesit Enver Kushi, Bedri Telegrafi, Ahmet Ahmeti, Shefqet Domi etj.

Fjalën përmbyllëse e mbajti vetë autori Ibrahim D. Hoxha, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit, të cilët e kishin nderuar dhe respektuar me prezencën e tyre në këtë ditë të veçantë për të. Ai theksoi mes emocionesh: “Sot është një ndër ditët më të lumtura për mua. Edhe pse parafolësit më vlerësuan shumë, unë them se nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, përveçse i kam shërbyer kombit dhe atdheut tim dhe është një detyrë që duhet ta kryejë çdo shqiptar që e do vendin e vet”.