Ndihma Ekonomike, fëmijët që përfshihen në skemë

Vendimi/ Miratohet Plan Veprimi për Fëmijë 2012-2015

Përmirësohen kurrikulat në arsim. Hartohen ndryshimet e nevojshme në infrastrukturën shkollore dhe në përgatitjen e stafeve pedagogjike

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin për Planin e Ri të Veprimit për fëmijët 2012-2015. Hartimi dhe miratimi i Planit të ri të Veprimit përmbush një nga detyrimet e rekomandimit 11 të BE-së, në kuadër të detyrimeve të shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Sa i takon programit të qeverisë së Shqipërisë 2009-2013, Ministria e Punës si një nga çështjet kryesore nënvizon angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si një nga objektivat e rëndësisë së veçantë, e shprehur me thellimin e reformës legjislative dhe institucionale për të krijuar një mjedisi mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët. Kjo reformë ka kulmuar me miratimin e Ligjit “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, si edhe me krijimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, institucion që monitoron respektimin e të drejtave të fëmijëve në vend. “Procesi i hartimit të Planit të Veprimit për Fëmijë 2012-2015 ishte një proces ndërveprues dhe gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga MPÇSSHB-ja, e cila angazhoi institucione të qeverisjes qendrore, lokale, shoqërisë civile, organizatave jofitimprurëse, si dhe donatorë e partnerë ndërkombëtarë. Ky plan veprimi synon, gjithashtu, të nxisë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë (qendrorë e lokalë), donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve”, thonë specialistë pranë Ministrisë së Punës. Plani i Veprimit për Fëmijë tërheq vëmendjen në dy drejtime kryesore:

a. Forcimin e strukturave institucionale të krijuara për të monitoruar dhe raportuar mbi zbatimin e të drejtave të fëmijëve në nivel kombëtar e rajonal

b. Nxitjen e hartimit të politikave gjithëpërfshirëse, të koordinuara e harmonizuara të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale të fëmijëve.

Hartimi i Planit të Veprimit për Fëmijë 2012-2015 është mbështetur në Vlerësimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijë 2005-2010 dhe Raportet e progresit ndër vite të kësaj strategjie; në ligjin “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës”; në studime dhe analiza në fushën e të drejtave të fëmijëve; në rekomandimet e raport progresit të BE-së për të drejtat e fëmijëve, si dhe në Strategjinë Europiane për të Drejtat e Fëmijëve 2012-2015. Synimet strategjike dhe objektivat e planit janë grupuar sipas të drejtave të fëmijës: e drejta për mbrojtje dhe përfshirje sociale, e drejta e fëmijëve për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi ekonomik, e drejta për zhvillim dhe arsim, e drejta për kujdes shëndetësor, e drejta për mbrojtje ligjore.

Fëmijët përfshihen në skemën e Ndihmës Ekonomike

 Në përgjigje të nevojave në rritje për shërbime gjithëpërfshirëse cilësore sociale, si edhe në përputhje me angazhimet e marra në kuadrin e procesit të integrimit në BE, Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015 nënvizon domosdoshmërinë e një vëmendje të veçantë mbi nevojat e fëmijëve në programin e ndihmës ekonomike. Për herë të parë, Plani i Veprimit parashikon pilotimin në disa njësi vendore të një skeme të re të ndihmës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm dhe që vijnë nga familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Plani parashikon përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin e fëmijëve dhe evidentimin e fëmijëve të paregjistruar. Gjithashtu, ky plan synon të kontribuojë në arritjen e rezultateve strategjike: rritje e rolit te njësive te qeverisjes vendore, ne vlerësimin e nevojave te fëmijëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre dhe zbutjen e varfërisë; reformimi i sistemit të shërbimeve sociale për fëmijë, ku parashikohet kalimi nga qendra rezidenciale në qendra të tipit “shtëpi familje”; harmonizimi i politikave per të drejtat e fëmijëve nëpërmjet funksionimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe vendor.

Përmirësimi i kurrikulës shkollore

Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015 synon jo vetëm të mbrojë fëmijët, por të parandalojë e sigurojë përgjigje efektive ndaj formave të ndryshme të dhunës apo shfrytëzimit të fëmijëve. E drejta e fëmijëve për zhvillim, duke filluar që nga grupmosha 0-3 vjeç, trajtohet për herë të parë në një Plan Kombëtar Veprimi për Fëmijë. Politikat e reja të ndërmarra në kuadër të reformës në arsim synojnë përmirësimin e kurrikulës, ndryshimet e nevojshme në infrastrukturën shkollore, si dhe përgatitjen e stafit pedagogjik në përshtatje me kurrikulat dhe mënyrat e reja të mësimdhënies. Rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në proceset vendimmarrëse mbetet objektiv edhe i këtij Plan Veprimi. Për këtë çështje, janë parashikuar masa konkrete, që synojnë përfshirjen e fëmijëve në procesin e hartimit të programeve mësimore vjetore, rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, shtrirjen e mëtejshme të veprimtarisë së qeverisë së nxënësve edhe në komunitet. “Toleranca zero ndaj braktisjes shkollore, është një objektiv, i cili do të arrihet me anë të programeve integruese në shkolla dhe programeve sociale në komunitet. Theksi i veçantë i vihet rritjes së numrit të regjistrimit në arsimin e detyruar të fëmijëve romë, egjiptianë në nivelin 4.5 për qind dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në nivelin 2 për qind. Masa konkrete parashikon Plan Veprimi edhe për kujdesin shëndetësor, mbrojtjen ligjore të fëmijë etj. Plani i Veprimit për Fëmijët 2012-2015, është një plan masash ndërsektorial, ku ministritë e linjës dhe pushteti vendor do të marrin masa për përmbushjen e detyrimeve të tyre për garantimin e të drejtave të fëmijëve”-konfirmojnë specialistët e Ministrisë së Punës.

Comments are closed.