Categories
Të ndryshme

Në gjimnazin “HALIM XHELO” Vlorë

 

Gjimnazi “ Halim Xhelo” është në hyrje të qytetit margaritar te bregdetit shqiptar, Vlora – perla e mesdheut, qyteti historik  i Flamurit Kombëtar,qyteti  i Kuvendit Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Para 13 viteve isha mësues në këtë gjimnaz . Duke ruajtur mbresat më të të mira për kolegët e nxënësit e mi, me mallin e të larguarit përtej oqeanit, shkova në këto ditë të bukura prilli pranveror në gjimnazin  e dijes që ka kontribuar në arsimimin  e edukimin e mijërave nxënësve të atdheut tonë të shtrenjtë. Në oborrin e gjimanzit më priti me respekt e mall kolegu, miku im i mirë, profesori talentuar i matematikës, autori teksteve të matematikës për gjimnazistët Ksenofon Bita. Atmosfera e gëzuar e festës madhështore të 100-vjetorit të Pavarësisë ishte ende e pranishme  në fytyrat e ndricuara nga nuri lirisë,Flamurit Kombëtar Shqiptar  tek gjimnazistët e stafi drejtues e mësimdhenës.  Mjedisi i brendshëm i shkollës  ishte i zbukuruar me hijeshi. Kishte mbaruar ora e parë e mësimit dhe sinjali ziles lajmëroi fillimin e orës së dytë.Duke ngjitur shkallët për në katin e dytë u takova me atë pjesë të kolegeve që kishin mësim në katin e dytë. Disa nuk më njohën, ndoshta thinjat kishin ndikuar në harresë. Disa të tjera duke më parë  që kisha fotografuar stendat e koridoreve më konsideruan gazetarë  apo pjestar ekipi kontrolli. Me kujtesën time që është e freskët për të gjitha 45 vite që kam punuar në shkolla, u fola kolegeve me emrin e tyre. Ato u befasuan. Koha ishte e ndaluar të bisedonim se kishte filluar ora e mësimit.

 Me shpejtësi u  prezantova emrin tim –Jam Qatip Mara.   Ato shtangën.e  nuk po u besonin fjalëve të mia të shprahuar me mall e dashamirësi. Takimi me koleget e mia të nderuara,  më solli shumë emocione  gëzimi.Takova drejtoreshën e gjimnazit” Halim Xhelo”, Majlinda Panozaqi, ish kolegia ime , mësuesja e talentuar që jepte lëndën e fizikës në klasën time kujdestari, matura 4-A e vitit shkollor 2000-2001,  e cila kishte nxënës të shkëlqyer në mësime

Duke biseduar me drejtoreshën Majlinda Panozaqi  mësova  se kishin hartuar historikun  e gjimnazit. Në këtë gjimnaz kanë qënë drejtues në vite   Spiro Jovani- Mësues Merituar, Pirro Andoni, Adem Osmëni, Xhevdet Mahilaj, Afërdita Abazi, Dashamir Ramosaco, Mehmet Likaj, Skënder Canaj, Petraq Vojniku, Petrit Qejvani, Vladimir Hoxha, Agron Mema e Majlinda Panozaqi.  Nga ky gjimnaz kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera shumë nxënës. Në një stendë janë ekspozuar fotot e personaliteteve që janë shquar edhe në ecurinë e tyre të jetës. Në qender të stendës dalloj foton e Profesor Jorgaq Kacani-akademik ,sot – rektori universitetit politeknik të Tiranës, Profesor Llukan Puka, matematikan i talentuar ish dekan i Fakultetit të Shencave Natyrore të Universitetit të Tiranës,  Profesor Tanush Shaska ish rektor i Universitetit IsmailQemali Vlorë ,sot pedagog matematike në universitetet amerikane, Ardi Kollozi sot deputet i PD në Parlamentin  e Republikës së Shqipërisë, Abedin Elmazi –Mësues i Popullit( ish mësuesi im i matematikës në shkollën pedagogjike Vlorë,i cili ishte brilant, një pedagog matematike  i talentuar me dashamirësi të pashoqe në trajtimin e kujdesin ndaj nxënësve), Faruk Mezini –Mësuses i Merituar, Minush Jero –Dramaturg,  Irakli Mitro-Profesor as.dr, Elona Hasanaj –Mjeshtre Sporti etj.

Ksenofon Bita ne oren e mesimit te matematikes

Kur punoja mësues në gjimnazin “Halim Xhelo”, shikoja me kureshtje kolegun Ksenofon Bita që shkonte në orën e mësimit me bazë të pasur  materiale-didaktike. Më tërhoqi vemendjen se mbante edhe një paketë cigare, e cila kishte brenda shkumsa me ngjyra. Ecja e tij nga salla e mësuesit për në klasat që zhvillonte mësimin e matematikës,  ishte elegante, krenare, motivuese me një përkushtim për tu ngulitur konceptet matematike nxënësve . Ndoshta thuheshin  fjalë lavdëruese  nga stafi drejtues e kolegët e  gjimnazit  për punën e tij përkushtuar, unë do të theksoj vlerësimet e mia dhe nxënësve për mësuesin e talentuar Ksenofon Bita. Kur hyja në klasat që bëja mësim lëndën e filozofisë, dërrasën e zezë e gjeja të pikturuar nga dora e mësuesit të matematikës Ksenofon Bita, të cilin nxënësit e prisnin me shumë interesim. Ai me mjeshtërinë e shpjegimit  ua kishte bërë matematikën të lehte në kuptimin e qartë të koncpteve themelore e ligjeve matematike.  Uniforma, bluza e mësuesit në trupin e tij gjatë orës së mësimit ishte e mbushur me pluhurin e shkumsave të shumtë e me ngjyra që ai përdorte pa u lodhur në dërrasën e zezë. Duke punuar me pasion në orët e mësimit , ai e bëri lëndën e matematikës  formuese, duke eleminuar frikën tek nxënësit e dobët e duke zhvilluar aftësitë e nxënësve të mirë. Kush bënte matematikë me profesorin  e talentuar Ksenofon Bita ishte i sigurtë se në konkurset e shkollës së lartë do të ishte i sukseshëm. Shumë prindër kërkonin  që fëmijtë e tyre të rregjistroheshin në klasat ku do të bënte mësim Ksenofon Bita.Vlerësimet pozitive për profesorin e matematikës Ksenofon Bita janë të shumta nga komuniteti prindër-nxënës, të cilët me mirënjohje e kujtojnë dhe  e përshëndesin me shumë respekt. Para pak ditëve në faqen time në facebook ekspozova fotografinë e kolegut tim të nderuar  Ksenofon Bita.

Nga Qatip Mara