Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë: Vepra dhe veprimtaria në shërbim të kombit, prova e denjë për një bashkim të përjetshëm

… Pra, le të përpiqemi, me të gjitha udhët e mjetet demokratike, që politika shqiptare të kanalizohet në hullinë e duhur, ku të hidhet fara e Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe t’i shërbejmë atdheut me devotshmëri, derisa ta korrim fitoren përfundimtare.

Shpëtimi, bashkimi dhe zhvillimi i kombit tonë vjen nga fakti se sa dhe si përfshihet inteligjenca në problemet që kemi – ajo inteligjencë që ka studiuar dhe punuar heshturazi, si Ezopi, duke u vetëngujuar, këtu, në mënyrë të veçantë. Kam parasysh ata që nuk e duruan diktaturën dhe ikën, përtej Atlantikut, në Amerikën e largët, por të afërt për kombin tonë dhe në gjithë globin. Ishin ata që e kundërshtuan diktaturën dhe përjetuan e duruan persekutime, dënime në burgje, por edhe prej atyre që janë kuar (ushqyer) prej politikës, për t’i shërbyer asaj me devotshmëri. Por ka ardhur koha që, ajo që shkoi, shkoi dhe sot jemi të gjithë të barabartë në një çështje, që na takon të gjithëve: të kuptojmë se kombi është i të gjithëve. Pra, kurrë nuk është vonë që t’i mjekojmë plagët, qoftë dhe ato plagë që kemi hapur vetë.

Intelektuali, përherë ka vorbull në shpirt dhe i del për detyrë ose të shpërthejë duke folur me zë të lartë, ose të “pëlcasë”, duke ngrënë me dhëmbë jetën e tij. E, në të njëjtën kohë, duke “gërryer” themelet e identitetit kombëtar. Po si mund t’i quaj intelektualë të mirëfilltë ata që kurrë nuk e vunë në shërbim të kombit inteligjencën e tyre. Kështu, shumë janë nga ata që kanë shërbyer deri në forumet më të larta të diktaturës komuniste në Shqipëri, ose në trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Malin e Zi, të përgatitur nga sistemi, të ushqyer me “artin” e karrierës së grabitur me të gjitha mënyrat, edhe duke shkelur mbi të tjerët, duke vjedhur, duke vrarë, por edhe duke shitur interesat kombëtare. Këta lloj “intelektualësh”, për fat të keq, sot po quhen “intelektualët më të mëdhenj” të kohës. Por harrohet se koha është “sitë sizmike”, që di të veçojë majë-miellin. Ndaj, ç’kaloi, kaloi! Tani, në vitin e 100-vjetorit të Shpalljes se Pavarësisë sonë kombëtare, duhet t’i vëmë mirë pikat mbi “i”, për ta çuar deri në fund amanetin e Ismail Qemalit, i cili tha: “Ne, po u lëmë një copë tokë bijve dhe kufijtë le t’i gjejnë vetë!”

Shembuj të një bashkimi të vullnetshëm të shqiptarëve janë shumë. Por, doja të veçoja “Besëlidhjen Shqiptare”, që u krijua nga Kuvendi i Lezhës (2 mars 1444). Në themel të asaj Besëlidhjeje, ishte besa për një bashkim në luftë kundër osmanëve. Ta sjellim në kohë, pa parë ngjyrime politike, por edhe pa shfrytëzuar ngjyrën “kuqezi” për përfitime politike, por njësinë kombëtare. Le ta themi hapur të vërtetën për dëshirat e kahershme të shqiptarëve për identitet dhe bashkim kombëtar dhe jo të bëjmë punë patriotike, si në “ilegalitet”. Pra, le të përpiqemi, me të gjitha udhët e mjetet demokratike, që politika shqiptare të kanalizohet në hullinë e duhur, ku të hidhet fara e Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe t’i shërbejmë atdheut me devotshmëri, deri sa ta korrim fitoren përfundimtare. Të mos kemi drojë për të thirrur, me sa fuqi kemi dhe deri në kupën e qiellit, për të vërtetën tonë, për të drejtën dhe të ligjshmen tonë, që të tjerët e bëjnë “të paligjshme”. E vërteta ka kosto, por ka fitore; e vërteta të bën të pavdekshëm. Kështu, me këtë rast, kujtoj këtu shkrimtarin Zola (Emil Zola, emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902), përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez, i cili e ngriti lart zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës. Se, kushdo që ngre zërin, sigurisht që do “gjakoset”, po do fitojë përjetësinë.

Ndaj, pushtohem shpesh nga vorbulla, që më fundosin mijëra kilometra poshtë, në “oqeanin” e prapësive shoqërore që përjetojmë. Por, njëkohësisht, ato më hedhin mijëra kilometra lart. Ndërsa, për t’i shpëtuar asgjësimit tim, shpesh shkruaj, flas, thërras, bërtas dhe kërkoj zëra që të jemi tok. Se, kur janë shumë zëra, del thirrje aq e fortë, sa dridhen perandori dhe po u lëkund perandoria, sado e fortë qoftë ajo, rrëzohet dhe, kur shembet ajo, aty është mençuria të dimë të rindërtojmë atë, që kërkuam ne vendosmëri.

 Nga gjoksi im, sot del thirrja atdhetare: Të mblidhen tok, zëri i inteligjencës dhe i mbarë patriotëve, të ushtojnë e të zgjojnë ndërkombëtarët. Se, të jemi të bindur, ky bashkim do arrihet një ditë. Për fat të mirë, ne kemi potencial të lartë intelektualësh, që mund ta përshpejtojnë këtë proces, i cili duhet të ketë në ballë koka, si Kadareja e Qosja. Sot, ata janë të njohur, ndërsa nesër do bëhen të pavdekshëm, nëse i dalin në ballë idealit patriotik, ardhmërisë. Se patriotizmi nuk është “folklorizëm”, por detyrë e shenjtë për çdo shtetas dhe, në mënyrë të veçantë, të njerëzve të letrave.

Intelektualët, në veçanti shkrimtarët, nuk duhet të jenë “manarë” të politikës së ditës, por ta kthejnë atë në “manare” të tyre, duke u bërë kështu prijës të historisë, në rrugën e pandalshme të saj. Një shkrimtar i mirë është atëherë, kur gjithë kapacitetin e tij intelektual dhe praktik e vë në dobi të Kombit të vet. Se këtu është dhe prova e parë për ta marrë miratimin e një shkrimtari me vlera mbarëbotërore. Ndryshe, fama, lavdia dhe karriera e tij, sado e madhe qoftë, pas vdekjes do të venitet pak nga pak, derisa do ta mbulojë pluhuri i harresës. Shkrimtarin e bën vepra të njohur, por kur vepra dhe veprimtaria vihet në shërbim të kombit, mbetet i përjetshëm!

Një fjalë e thënë me zë të lartë, është sa qindra vepra nëpër rafte. Ndaj, o sot, o kurrë, për Bashkim Kombëtar! Na udhëhiqni, o kokat e letrave shqiptare dhe lërini mënjanë mëritë e zënkat pa bereqet. Dilni në ballë edhe ju intelektualë e ju biznesmenë të fuqishëm, me fjalën tuaj të mençur dhe me pasurinë tuaj. Udhëhiquni nga shembulli i shkëlqyer i rilindësve tanë, duke vënë çdo gjë në shërbim të kombit, me synimin për të marrë ato, që na takojnë, por sigurisht me urtësi e pa dhunë. Se, ndryshe, do të na gjykojnë brezat.

Të kthehesh te nëna, por edhe duke nxituar për t’i shërbyer atdheut tënd të shenjtë, nuk është kurrë vonë. Se ai është si babai, që e priti djalin plëngprishës, siç shkruhet në Bibël, me festë të madhe. Ndaj kurrë nuk është vonë për çdo shqiptar të tregojë vlerat dhe forcën e vet, në dobi të çështjes së madhe kombëtare shqiptare. Intelektualët, sidomos shkrimtarët, janë “teleskopë” të së ardhmes, se shohin përtej të dukshmes. Me këtë rast, unë nuk them që të shfaqen shenja të theksuara nacionaliste, por vetëm patriotike; jo për revolta, por për dritë, pra që populli ynë të shohë, ku të hedh këmbët drejt një Bashkimi Kombëtar të ligjshëm. Se nuk mund të kuptohet Bashkimi Evropian, pa bashkim të kombeve.

Nga Zyba Hysen Hysa, arsimtare e shkrimtare, zv/kryetare e SHBIK, anëtare e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare

(x) SHBIK – shoqata “Për Bashkim dhe Identitet Kombëtar”

Comments are closed.