Nenet e Kodit Penal, Felaj: Kushtetuesja të mos i ndryshojë

Dënimi me burg dhe njëkohësisht me gjobë monetare për falsifikimin e dokumenteve të identitetit dhe gjendjes civile duhet të qëndrojë në fuqi. E këtij mendimi është Ermonela Felaj, deputetja e PS-së, relatore e Kodit Penal të ankimuar në Kushtetuese nga Gjykata e Apelit, Vlorë. Sipas saj, veprat penale të falsifikimeve që parashikojnë nenet 190 dhe 191, që apeli i Vlorës kërkon të shpallen antikushtetuese, janë ende frekuente në shoqërinë shqiptare. “Të dyja këto dënime në veprat e përfitimit pasuror, janë këto veprat e falsifikimit apo jo duhet vënë. Veprat e falsifikimit janë vepra shumë të përhapura dhe duhet një ashpërsim i dënimit të tyre me qëllim parandalimin e tyre. Për këtë shkak, përgjatë gjithë këtyre viteve, nga 2004 deri sot funksion në këtë mënyrë, dënimi për këto dy vepra janë të dyfishta, pra është dënimi me burg dhe dënimi më gjobë. Ndoshta gjykata Kushtetuese do të duhet të ndërhyjë në kuptimin që ti lëri alternativë gjykatave që ta japin ose jo dënimin në gjobë në këto raste, në varësi të aftësisë paguese të personit”,- deklaron deputetja socialiste. Ndërkaq, Felaj shprehet se ka ardhur koha për të nisur një paketë të dytë ndërhyrjesh në Kodin Penal por dhe në të gjithë ligjet për funksionimin e gjyqësorit. “Është momenti që kjo punë të nisë duke përfshirë të gjithë ekspertët e fushës në diskutimin e neneve që duhet të ndryshohen ose t’i shtohen Kodit Penal. Kemi nevojë, në përgjithësi, në ligjet që kanë të bëjnë me organizmin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”,- deklaron Felaj. Kodi penal u ndryshua në të paktën 50 nene pak javë më parë me konsensus të gjerë në Kuvend.

Comments are closed.