Kulturë

Ngarkesa filozofike e mendimit

Në moshën e rinisë së hershme, njeriu me shpirt fisnik beson se që të bëhesh njeri me vlera për veten dhe të tjerët, marrëdhëniet, idealet, ambicia, janë thelbësore dhe vendimtare për të ardhmen. Lidhjet e reja, nga vendlindja, shkolla fillestare, fshati ose qyteti, që vendosen mes njerëzve të tjerë me nivele kulturore e interesa madhore të përtejme, janë ideale që lindin që afirmojnë karakterin, mënyrën e të menduarit, të cilësive shpirtërore etj. të njeriut dhe krijuesit të ardhshëm qoftë ai prozator, poet, artist etj.

Kjo lidhje dhe afërsi të shkrimtarit në gjithëkohësi të jetës bëhet një parim dhe ndjesi shpirtërore e gjithhershme, që do të thotë, se ai tashmë është njohës i thellë i saj, me dashuri dhe pasion ndërton fjalën e zemrës dhe vargun e frymëzimit që të krijojë një art të vërtetë njerëzor. Me këtë frymë dhe shpirt krijues, jo vetëm që nuk e mohon origjinën e tij, por me dashuri vë në përdorim leksikun e tokës, truallit, fshatarit, bujkut, punëtorit, që aq përmallshëm i kujton. Në këtë gjendje, shkrimtari jo vetëm që nuk e fsheh origjinën, por e shqipton me krenari atë, që në rininë e hershme. Lidhjet e artit me origjinën, vendlindjen, njerëzit, tokën janë të hershme aq edhe të larmishme.

Nëse arti dhe letërsia me filozofinë e saj e ka nxjerrë në vlerë shpirtërore këtë lidhje, kjo ka ndodhur sepse idetë filozofike kanë qenë të harmonizuara bukur në gjuhën e artit (tyre).

Krijuesi i mirëfilltë në procesin e formësimit të krijimtarisë së tij, kërkon fjalën si energji emocionale, jo thjesht për rimë, por që të krijojë muzikalitet dhe efekt poetik ndaj së bukurës. Pra, fjala si gjetje krijon një përputhje ritmike me ndjesinë shpirtërore. Krijuesi, shkrimtar, poet, artist, është i ndërgjegjshëm për sakrificën që kërkon shndërrimi i emocionit si emocion përmes leksikut të zgjedhur në poetikë të mirëfilltë. Në këtë mënyrë, krijuesit, si kërkimtar i duket se ka një çelës magjik për ta gjetur harmoninë e tyre si një rrjedhë, që përqendron vështrimin.

Natyrisht, kërkimi dhe pasioni i madh kanë një fuqi të dorës së parë për krijuesin. Më tej, krijuesit i kërkohet një përpunim mjeshtëror i brumit letrar apo artistik për të arritur në estetikën e vargut, mendimit, ligjëratës, që të ndërtoj një komunikim emocional. Ky komunikim merr një rëndësi parësore, që shkon në strukturë të harmonizuar si konceptualitet dhe strukturë ndjenjësore.

Lënda (brumi) në këtë mënyrë merr trajta apo forma për kondensim të veprës së pretenduar cilësore. E, megjithatë, jo çdo gjë mbetet me kaq.

E reja estetike që sjell krijuesi në vazhdimësi, është emocion i tij dhe në të njëjtën sens, është thellësia e estetizimit të jetës, njeriut, realitetit ashtu siç është në të vërtetë, pa e shëmtuar, me mënyrën më të sinqertë të të shprehurit të gjithçkaje përreth tij. Nuk ka përse të mos e shkruaj edhe të shëmtuarën, të ulëtën, dramatiken dhe tragjiken, sepse edhe (ajo) (ato) përbëjnë një objekt dhe subjekt të krijimtarisë letrare dhe artistike, por në sensin tjetër, antipod i së bukurës, jetësores apo normales. Vlera estetike e krijimtarisë vjen si vijueshmëri e një përpjekje apo përvoje të gjatë krijuese nga më të suksesshmet.

Krijuesi (shkrimtar, poet, artist,), në të drejtën e tij ruan mënyrën vetjake të ligjëratës, prozës, poezisë, pikturës etj., stilin dhe individualitetin krijues, ritmin, rimën, karakterin, koloritin, emocionin etj. Kjo është shumë e rëndësishme që ruan mënyrën e komunikimit, teknikën poetike apo prozaike, apo artistike, që nuk e ndërlikon atë, por e mban të thjeshtë e të natyrshme. Në këtë mënyrë, krijuesi i vlerave të vërteta artistike, ka pasuruar brendinë shpirtërore të veprës mesazhin. Kjo vepër do të marrë, në tërë kuptimin e botës shpirtërore, atributet e një vepre, që mbart në gjithëkohësi harmoninë e kohës dhe botës njerëzore. Me një fjalë, do ta quanim, sfidë. Krijuesi shkrimtar, poet, prozator, dramaturg, artist, me daljen (nxjerrjen) në dritë të veprës së re para lexuesve, opinionit, intelektualëve, mediave, është një befasi apo një kumbim.

Me të dalë në vitrinat e librave e gjithandej, fillojnë zëra, diskutime, çudira, interesime, kuriozitete, shprehje nga më të ndryshme, si është e mundur, por në veçanti, krahas mendimit pozitiv do të dëgjojmë edhe mendimin mohues e shumë e shumë zhurmë, ngaqë në vepër ka edhe subjekte, poezi, tregime, që u ka ikur koha apo që është shumë shpejt për t’ shkruar apo për t’i treguar.

Në të njëjtën kohë do të shohim e do të diskutojmë për formën e veprës (librit), titullin, formatin, cilësinë e botimit në krahasim me botimet e mëparshme, paraqitjen grafike, ideore dhe strukturore etj. etj. Mendime dhe diskutime nga më absurde, të cilat i kemi përjetuar në raste promovimesh dhe ngjarjesh letrare e artistike.

Këto janë të natyrshme, normale dhe emocionale jo vetëm për autorin e veprës, por edhe për të tjerët, lexues, studiues, kritikë dhe dashamirës të letërsisë dhe artit.

Në njëfarë mënyre edhe këto fenomene të provokuara nga një vepër që ka dalë në dritë, mund t’i marrim edhe si vlera intriguese, që krijon shkrimtari, poeti, artisti, tek të pranishmit në ngjarjen e tij letrare, për t’iu rrëfyer kokë më kokë e gojë më gojë krijimtarinë në vepër, mjeshtërinë, intelektin e tij krijues, të tjerëve.

Ky moment i suksesit, për krijuesin, nuk është fundi dhe kulmi i arritjeve letrare-artistike për të, por fillimi dhe angazhimi i një beteje të re e të furishme shkrimore në poezi, prozë dhe art. vepra letrare e tij, kur precipiton në fondin e vlerave shoqërore, kombëtare e pse jo edhe ndërkombëtar do të marrë atributet e një trashëgimie letrare e vlerësuar, e aq më tej, kur ajo është e veçantë në tematikë, subjekt, stil dhe individualitet krijues.

Kjo është shumë e rëndësishme për krijuesin e vërtetë, që të jetë vetvetja dhe të mos i ngjasoj askujt tjetër.

Në përmbajtjen artistike të veprës, një vend kryefjalë e zë ngarkesa filozofike e mendimit, e idesë dhe e fjalës. Përmbajtja filozofike është vetë energjia elektrizuese e veprës, struktura, uji, ajri, produkti. Kjo arrihet me të gjitha rrugët, që nga pikësynimet që i ve autori krijimtarisë së vet, nga temat dhe problematika që ka trajtuar në të shkuarën dhe do të trajtoj në të tashmen dhe në të ardhmen, e deri te aftësia për të filtruar nga çdo krijim, sado i mjaftueshëm që të jetë ai, një mendim përgjithësues, një përvojë, një mësim nga filozofia e jetës. Pikërisht për një përmbajtje të tillë filozofike, krijuesi mediton rreth vetes apo fenomenit duke zbuluar artistikisht ndjenja, që mbushin botën e brendshme të tij dhe të tjerëve. Vepra si strukturë frymëzimi, kur ajo është e ndërtuar me një gjerdan subjektesh nga jeta dhe njeriu i ditës, është një thellim në pikasje gjendjesh dhe produkt rrethanash. Vendosja e shpirtit në një vepër letrare-artistike, nuk është thjesht një dëshirë, por një dashuri dhe vlerë njerëzore. Krijuesi në veprën e tij me këtë, që bën i përcjell lexuesit e të tjerëve mesazhin e mirëpritur filozofik se, përpjekja për ekzistencë e njeriut në këtë jetë, plot sakrifica, jo vetëm është dëshmi e vitalitetit të tij, por edhe faktor për mbijetesën e tij për progresin shoqëror dhe ndërtimin e një jete të re. Po të flisnim për mesazhin filozofik të veprës së veçantë, kjo do të ishte diçka më e mundshme dhe më e përcaktueshme në kohë dhe në vlerë. Kjo vjen për faktin se ato kanë një objekt estetik më unik, prandaj edhe mesazhi i tyre është më i kapshëm. Edhe në shumë prej tyre pena e krijuesit rrëshqet mbi arkitekturën solide të veprës, të kohës dhe hapësirës së tij si vetvete dhe unike.

Vetë ideja e krijimit të veprave nga autorë të ndryshëm e të larmishëm në letërsi e art, është një risi dhe origjinalitet i këtij apo atij autori, i cili (të cilët) me teknika dhe arkitektura të krijimit të tyre flasin për një mjeshtëri të rrallë, dinjitoze, virtuoze. Krahas një ideje apo mesazhi qendror në një vepër, qëndrojnë edhe disa të tjerë, dytësorë, që do të thotë se edhe efekti i tyre ideor e artistik është i njëkohshëm dhe i barasvlershëm.

Në një vepër letrare-artistike të njohur nga lexuesi dhe opinioni shoqëror, është e qartë për të gjithë të zbulosh apo të përcaktosh teknikat e ndërtimit të mesazhit, që ka përzgjedhur autori. Më tej, mesazhi nuk është shtojcë e një teknike, që mund të veçohet nga e tëra dhe e gjithë vepra. Aq më tepër që, një vepër letrare nuk shkruhet vetëm për të bartur një mesazh filozofik, por edhe për shumë vlera të tjera artistike, që do të thotë se prej tyre lind edhe mesazhi, edhe ideja dhe struktura e saj (veprës).

Çdo krijues, që i thotë vetes krijues vlerash shpirtërore, e ka në vetvete një laborator frymëzimi, fantazie dhe logjike. Të gjitha, në harmoni të plotë, ndërtojnë veprën letrare artistike, kurse mesazhi si energji ngrohëse, shtrihet në të gjithë strukturën e veprës, që nga faqja e parë e deri tek e fundit. Gjithçka në pamje të jashtme, në dukje të parë funksionon mirë, por ajo që vendos përfundimisht, është cilësia artistike. Prandaj, autori gjatë procesit të krijimtarisë, nga vepra në vepër e modelon artistikisht bukur mesazhin dhe mendimin filozofik në format më të ndryshme të artit e të letërsisë. Te një kategori tjetër veprash mesazhin e gjejmë si problemë, dramë, sfidë ose në të kundërt, si problemë i zgjidhur. Krijuesi i një vepre letrare apo artistike, si njeri i shqetësuar, shtron një problem të mprehtë të ditës së sotme etiko-morale që, edhe pa pritur zgjidhjen që i jep autori, lexuesi i vëmendshëm e ndjen mesazhin, që kërkon të përçojë vepra. Edhe një ballinë e konceptuar artistikisht dhe me fantazi do të mjaftoj për leximin e mesazhit që në titull ballor të veprës (librit).

Në brendësi të veprës, te shumë autorë shqiptarë dhe botërorë, mesazhi filozofik është vendosur në materialin letrar sipas zhvillimit të ngjarjeve, lëvizjeve të situatave dhe personazheve. Veprimet e personazhit në subjektin letrar të një vepre të caktuar, në përgjithësi të tyre, mbajnë peshën e mesazhit e në të njëjtin sens zbulojnë vlerën shoqërore të veprës. Në këtë drejtim, me interes parësor, janë ato vepra ku mesazhin e gjejmë të strukturuar në një hapësirë apo skenë të caktuar historike, jetësore, shoqërore e më gjerë. Për krijuesin shkrimtar, poet, prozator, artist, detajet janë të shumta, domethënëse dhe më artistike.

Por, më kryesore janë pesha, rezonanca dhe bashkëkohësia e mesazhit dhe mendimit filozofik, që ato mbartin si vlera shpirtërore, estetike dhe emocionale.

   Ndini R. Bardhi

   Piktor, shkrimtar

Lexoni edhe: