Nis “Epopeja e UÇK”, përkujtohen heronjtë e Kosovës

Kosova ka nisur paraditen e sotme, manifestimin “Nderojmë të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen”, i cili do të zgjasë për tre ditë me radhë, ku do të nderohet Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të përkujtohet Komandanti Legjendar Adem Jashari, familja heroike Jashari, dëshmorët e kombit dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Manifestimi ka nisur në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, ndërsa më pas kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ministri i FSK-së Agim Çeku vendosën edhe kurora me lule tek monumenti i heronjve të UÇK-së. “5, 6 dhe 7 mars është Epopeja më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është flijimi më i madh që është bërë në historinë e popullit tonë dhe do të thoja, jo vetëm të populli tonë. Tanimë është shndërruar në një vend të shenjtë ku qytetarët, nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe gjithë viset kombëtare vijnë dhe përkulen para kësaj sakrifice të madhe që ka bërë kjo familje, kjo lagje dhe që ka bërë kombi ynë”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovë, Jakup Krasniqi. Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari ka falënderuar të gjithë ata që kanë zhvilluar homazhe te varret e të rënëve për lirinë e Kosovës. Sipas medias kosovare, më 6 mars do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00, ndërsa në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit si dhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.

Comments are closed.