Nishani-Obe: Forcim i bashkëpunimit me autoritetet britanike

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje, në takim, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Cannon Obe. Ministri Nishani dhe Ambasadori Cannon diskutuan gjerësisht në takim mbi përvojën e deritanishme të bashkëpunimit në kuadër të projektit PAMECA III, i cili financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, projekt për të cilin Ambasadori Cannon shprehu gatishmërinë e qeverisë britanike për të vijuar mbështetjen edhe në fazën tjetër të tij. Në takim u diskutua në mënyrë të veçantë edhe mbi standardet e arritura nga vendi ynë në fushën e kontrollit kufitar dhe bashkëpunimin në këtë fushë me autoritetet britanike. Ministri Nishani theksoi se vetëm vitin e fundit, autoritetet kufitare shqiptare kanë mundur të identifikojnë rreth 600 persona nga vendet e treta, të cilët tentonin të përdornin territorin shqiptar për të kaluar në territorin e vendeve të BE-së, ndërkohë që nuk është raportuar asnjë rast i vetëm nga këto vende kur ndonjë person ka mbërritur nga vendet e treta nëpërmjet Shqipërisë. Ministri Nishani u shpreh se përpjekjet dhe arritjet e Policisë së Shtetit në luftë kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, janë në vetvete një kontribut për forcimin e sigurisë në rajon e më gjerë dhe garanci për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit europian.