Një ilaç i ri për njerëzit me kancer të lëkurës

Një ilaç i ri sjell shpresë për njerëzit me melanoma, formë vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës. Ilaçi “vemurafenib”, i miratuar për përdorim në Britaninë e Madhe, synon të godasë drejtpërdrejt një gjen të ndryshuar që është përgjegjës për 50 për qind të rasteve të melanomas. Rezultatet tregojnë se brenda disa muajsh, ky ilaç i ri sjell përfitime të dukshme për pacientët me melanoma. Charlie Jones është i bindur se i është dhënë një shans të dytë në jetë me ilaçin e ri. Melanoma tek ky pacient ka qenë jashtëzakonisht agresiv dhe tumoret ishin përhapur deri në veshka. Pas një operacioni urgjent, atij dhe të dashurës së tij, Louise Howard, iu tha se ai do të mbijetojë vetëm disa orë më shumë. Mjekët, në një spital në Manchester, pastaj vendosën për një trajtim me ilaçin e ri “vemurafenib”, dhe u mahnitën nga rezultatet dramatike. “Që kur fillova të marrë këtë ilaç, ndjehem më i fortë, ngjyra e fytyrës duket më e shëndetshme, trupin e ndjej më mirë”,- thotë pacienti Jones. “Vemurafenib”, në formë pilule, godet një mutacion të veçantë gjenetik. Mjekët thonë se provat kanë treguar se koha mesatare e mbijetesës së pacientëve të trajtuar me “vemurafenib” është mbi 5 muaj më e gjatë. Provat u kryen në Institutin për Kërkime në Fushën e Kancerit dhe spitalin mbretëror Mardsen në Londër.

Dr. James Larkin udhëhoqi ekipin e provave klinike në spitalin mbretëror Marsden. Ai është i sigurt ky lloj trajtimi do të ketë ndikim të rëndësishëm tek pacientët me kancer të lëkurës. Ilaçi, gjithashtu, hedh poshtë perceptimin e gabuar edhe mes mjekëve, se melanoma është e pamundur për t’u trajtuar. Rastet e melanomës malinje janë në rritje. Djegiet e përsëritura nga dielli lidhen me këtë sëmundje, sidomos tek fëmijët dhe në mesin e njerëzve me lëkurë të bardhë. Më shumë se 10 mijë njerëz në Britani të Madhe preken nga melanoma çdo vit dhe 20 për qind e tyre i përkasin moshës 15 dhe 39 vjeç.

Ilaçi i ri, i miratuar nga Komisioni Evropian, shpresohet të zgjasë jetën e pacientëve që kanë forma të paoperueshme dhe të avancuara të melanomës. Charlie Jones dhe e dashura e tij, Louise Howard, kanë filluar të bëjnë plane paraprake për të ardhmen e tyre, duke përfshirë edhe martesën. “Ky ilaç mund të na ndihmojë për një të ardhme më të gjatë së bashku”,- thotë Louise.

Comments are closed.