Një pasion që nuk shteron kurrë

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Fjalë për Ndoc Tushën – artisti i aplikacionit me kashtë thekre

Veledin Durmishi

 Kishte ditë pa dalë në rrugë. E kishte mbërthyer një punë artistike dhe ai nuk do të dilte pa e mbaruar. Një pamje 60×80 cm, me ngjyra të ndezura, ku një çift zogjsh i gëzohen çastit që të jep natyra me intimitetin e vet, më tej një peizazh i gjallë, tërë lëng jete e natyra, me një shumësi faktorësh jetësorë rri tani në një tablo në të cilën artisti Ndoc Tusha shfaq vlerën e artit të vet; atë të aplikimit me kashtë thekre. Ndihet i pushtuar nga emocionet të cilat i njeh vetëm një artist pas atij akti, kur nga duart e tij ka dalë një vepër arti që të mbërthen. Ky është Ndoc Tusha. Mund ta ndeshësh rrugëve të Tiranës, sepse e sheh mbi një biçikletë. Është 78 vjeç dhe me biçikletë ka plot 65 vjet. Është “dashuria” e parë që i ka dhuruar Shkodra. Si një eksplorues që mbetet peng në një savanë, mbeta edhe unë ditë më parë në një studio arti, ku bukuria qëndronte, veç gjetkë, te e veçanta e këtij arti, ku teknika e aplikimit është e një lloji unik, pse jo edhe në botë. Eshtë Ndoc Tusha, pukjan nga origjina, por që “vulën” poshtë emrit të tij si artist ia ka dhënë Shkodra. Jeta i tregoi anën e saj më të keqe, kur ishte vetëm 19 vjeç. U godit deri në palcë djali i ri, por ëndrra e tij nuk mund të vdiste. Ai njohu prangat e burgjeve komuniste, për arsye nga më absurdet, por flaka e dashurisë për artin që i kishte lindur aq herët, nuk do ta linte atë shpirt artisti të thahej. U dënua me 10 vjet burg, por më shumë se sa fati e ndihmoi sjellja e tij dhe pas gjashtë vjetësh ai njohu lirinë. Atë fanitje të fëmijërisë për artin e aplikimit, ai mundi ta rrisë atje në burg e doli që andej një mjeshtër, i cili më pas do të jetë një artist i mirëfilltë. Ishte unik në këtë art e përditë emri i tij njohu një rritje edhe pse përreth kishte njerëz- spiunë të cilët donin ta kthenin atje në qelitë e ftohta të burgjeve. Nuk e ndihmoi fati, por emri i tij kishte lënë gjurmë të mira e sjellja njerëzore e ndoqi pas si hija e tij gjithë jetën. U kthye në Shkodër me një mision të madh; t’i përkushtohet artit. E atje në ndërmarrjen e përpunimit të drurit, ai aplikoi teknikën e re të një arti unik, atë të përdorimit të kashtës së thekrës e talenti i këtij njeriu mbajti 780 punëtorë me punë deri sa doli në pension. Në vitin ’75 donin ta arrestonin përsëri, por…nuk është qëllimi i këtij shkrimi jeta e tij sesa arti të cilit i ishte përkushtuar. Dhe atje në studion e tij ai nuk përton të vendosë dhjetëra punime me një teknikë të re befasuese, ndërsa në tavolina sheh lëndën e parë të këtij arti; kashtën e thekrës. Nuk ka penel, ka vetëm një bisturi me të cilën operon si një kirurg i vërtetë. Nga pamja në pamje; portrete figurash kombëtare, simbole të kombit tonë, peizazhe të shumtë, një portret malësoreje e të gjitha këto në kompensatë e mbi të shfaq artin e vet Ndoc Tusha, si një piktor i vërtetë. Vetëm njëherë është shkruar në gazetë për këtë njeri-artist. Në gazetën “Puna” ishte shkruar në vitin ’87. Ndërsa kur doli në pension, një tufë me fleta- nderi e lavdërimi ishin gjetur në sirtarët e drejtorisë, por që atij nuk iu dhanë kurrë. Ka paradokse të mëdha jeta e këtij artisti; askush, as edhe ai vetë nuk di t’i japë udhë një shurdhërie të organeve të shtetit, të strukturave të tij, të linjës së kulturës, ndaj një artisti që është unik në këtë lloj aplikimi. I mbyllen dyert për ekspozita, madje edhe për 100-vjetorin, nga dhjetëra shoqata, institucione, është propozuar më shumë se një herë për ta vlerësuar këtë artist, por gjithçka mbetet nëpër sirtarë zyrash, vite më parë iu akordua një pension i veçantë, por që ai nuk e mori kurrë. Mungon një firmë në atë dokument nga dikush dhe ai “dikush” nuk u gjet asnjëherë. Një libër është shkruar për jetën e këtij njeriu-artist, ku në mënyrë simbolike ka në kopertinë një pemë, gjethet e së cilës- vitet e tij të jetës- janë në tokë, ndërsa pak prej tyre janë ende degëve të saj. Janë vitet e jetës që kërkon të jetojë, por që tani i mbushur si dikush që në krye sheh jetën e vet, punën e vet e ajo i rri si një kurorë diamanti. Ka me se të krenohet ky njeri. Ka një të kaluar dinjitoze, të cilën ai e ndjen mbi lëkurë të vet, e sheh te njerëzit që e rrethojnë ku respekti ndaj veprës së tij nuk mund të ndahet nga emri i tij i nderuar. Ka një album jete të pasur e një ditar të cilin ai po e hedh në një libër tjetër. Ai nuk njohu dot auditorët e artit, s’njohu sallat e ekspozitave të piktorëve, s’njohu kurrë Van Gogun, Mikelanxhelon e Gojën, por njohu mirë artin e njeriut të punës, shpirtin e tij të madh që e mban lidhur me jetën, kur gjasat ishin për të kundërtën e saj. Në atë ligështi jete, ishte diçka fatlume që artisti ndjente si gjakun e vet, por të strukur thellë e që e mban gjallë; pasioni për artin e pikturës. Ndaj ai nuk e braktisi kurrë atë ndjenjë që e kushtrimoi; të kërkojë veten, të kërkojë të bukurën, të mirën, vitalen te ajo jetë e zbrazët, por që ai dallonte edhe shpirtin e madh njerëzor. I ndrydhur, i survejuar, ai nis të pikturojë me një stil të ri, ku arti i tij ka të vetmen armë; bukurinë. Në krye të ekspozesë ai nxjerr flamurin tonë kombëtar e në krah Skënderbeun- kjo dyshe e ekzistencës sonë kombëtare. Atje, në bash të kuvendit, si gjithnjë. Me kashtë thekre janë këto punime, por ndjesinë e përjeton madje më thellë, më thekshëm. Më tej, “Mona Liza” jonë, “Motra Tone” e Kolë Idromenos, e cila ka një gjuhë arti sugjestionues e mbetesh pa gojë përpara saj. Është befasuese, tronditëse kur mendon se ja, ajo kashtë thekre që rri aty mbi tryeza e që artisti e gjen fushave tona, është lënda e parë e këtij arti plot bukuri e befasi. Artisti Ndoc Tusha qetësisht të tregon si operon me një bisturí fare të thjeshtë. E pret atë fill kashte fare lehtë, i jep nuancat e duhura nëpërmjet ngjyrës e i harmonizon ato duke krijuar vepra të pjekura artistikisht. Më tej një lojë gjethesh bie çaste intime, ndien një shushurimë pyjesh e përjeton çaste idilike. Je brenda magjisë së artit. Dhe nuk mund të ndihesh dot ndryshe, veç të njësosh gjithçka tënden e ta humbasësh aty. Mbërthen nën vështrimin tënd një galeri të tërë e ndihesh se diçka do të kishe humbur sikur të mos ishe njohur me këtë njeri-artist e me artin e tij unik. Tre albume, me mbi 100 modele të lira, ku teknika e aplikimit më kashtë thekre shfaq një bukuri magjepsëse. Është arti i tij, është përvoja e tij e gjatë që krejt natyrshëm operon me teknika, ku motivet popullore, ornamentet kanë një harmoni perfekte ngjyrash, detaje që brenda një unitet simbolik, kanë një përmbajtje që flet, që dëshmon. Ai është 78 vjeç, por ka një marrëveshje të heshtur me artin dhe ai kërkon t’i rrijë besnik asaj. Është marrëveshje e një artisti me artin; ata nuk mund të rrinë dot pa njeri-tjetrin. Qindra portrete kanë dalë nga duart e mjeshtrit Tusha që nga ai i Enver Hoxhës e deri te Mao Ce Duni, e sot ka hapur 17 ekspozita në gjithë botën, madje edhe në Zelandën e Re e në Paris. Një portret i ish- presidentit Bush dhe një vizitë në studio nga ish-ambasadori i SHBA-së, Ëithers. Më tej artisti shfaq ca punime të tjera, prej rëre e tallashi. 100 kg tallash druri i situr deri në dhjetë kg e me të operon artisti duke sjellë peizazhe të tëra, ku uniteti i ngjyrave i jep vlera të mirëfillta këtij arti që flet me gjuhën e vet të përbotshme. Ngjyrat, që së shumti, pas një përvoje të gjatë, i jep me gjethet e arrës, deri në qindra nuanca, që di t’i dallojë vetëm një sy si i mjeshtrit Ndoc Tusha. Dhe tani ndihet i plotësuar Ndoc Tusha. Gjithçka që kishte brenda vetes, pra, gjithë atë pasion pa të cilin ai nuk mund të kishte jetuar dot, e ka derdhur jashtë vetes. Ishin ato prangat e pasionit brenda të cilave ai është ndier gjithnjë mirë si ndihet çdo artist. Dhe mirësinë këtij njeriu ia sheh gjithandej; ia sheh te sytë që kanë një dritë të njomësht e aq jetësore. Ia ndjen në atë zë të qetë, fjalët e të cilit ti i ndien të hyjnë brenda qenies tënde e ndërsa e dëgjon, ndien se ai lumturohet. Lumturohet në gjithë qenien e vet e që shumëkush e dallon aq lehtë. E sigurisht ndjen diçka ngazëlluese, kur ky njeri e ka përzënë trishtimin e hershëm nga fytyra e aty tani gjen ngazëllimin, ngrohtësinë e dashurinë.

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here