Analiza

Një popull që përdor librin për të mbështjellë “fara”, është me të ardhme “pa farë”…

Kam folur shpesh për kritikën, si një institucion me vlerë, por që në Shqipëri nuk ekziston. Është për të ardhur keq, sepse sheh një vend me 4 milionë banorë, por me mbi pesë milionë krijues (po t’u referoheshim website-ve sociale)!

Pak absurd, pak si shumë absurd!

Këto ditë më rastisi të lexoj edhe në një gazetë artikuj për disa botime të reja.

Aleluja!

Më në fund, mendova, nuk jemi si tek disa “shtojca” të gazetave që promovojnë miqtë, por po promovojnë botime të reja.

Ops…

Më mbeti gëzimi në “fyt”!

Artikulli i parë fillonte me vlerat e mëdha që kjo krijuese sjell në letërsinë shqipe, në metaforat, krahasimet, figurat letrare etj. Ishin aq shumë vlerat sa u hutova…

Lexova nja dy-tre vargje, marrë nga libri, por s’m’u dukën të kësaj “lartësie”, kështu vazhdova më tej me artikullin e dytë.

Aty “rashë” më keq, gjithçka ishte si tek i pari, por këtu të dukej se autori i “kritikës letrare” të ftonte të blije librin që të kënaqeshe me “Nobelin e ardhshëm në letërsi”!

Dhe unë pyeta veten: Po gabime, ndonjë “gjë” që meriton kritikë, këto dy libra s’kanë!?

Si ka mundësi kaq perfekte këto zonja dhe njëra në botimin e parë e tjetra në të dytin!?

E po si thonë kot, Shqipëria është vend i “penave të arta” – mendova.

M’u kujtua promovimi që kërkova dikur t’i bëja një akademike të Universitetit të Tiranës, sepse vërtet ajo vlente. Flas vlente (vlen) për kulturë e dije në profesionin e saj, jo si paraqitje, sepse unë isha i dashuruar me të dhe nuk diskutohet që e shihja si më të bukurën e globit.

Por kjo nuk më bënte të shihja “një injorante për profesore”, por një profesore që unë mendoja se po lihej “pas dore” me qëllim.

Po, pa asnjë dyshim. Po lihej me qëllim pas dore nga media, sepse disa drejtues gazetash apo mediash vizive, o nuk e “shihnin” ose shihnin me sy prej pushti.

Në fakt, fitoi njëri prej tyre, pa asnjë dyshim “fitoi” në bashkëpunim me të “interesuarën”.

Si tani më vjen ndër mend shprehja e saj:

– Më duhet pak “zë” në media, sepse jam “e pambrojtur” politikisht!

Në fakt, ajo bëri zgjedhjen e saj, nuk ishte vetëm “gazeta” që “e zgjodhi”…

Më pas, ajo më duket se e gjeti edhe mbrojtjen politike…

Natyrisht, “politika” i mban “afër” njerëzit e aftë, sidomos ata të “pa angazhuar” dhe me popullaritet!

 Profesorja për popullaritet ia kalon Sali Berishës, sidomos kur vendoste fotot e saj në Facebook.

Por le ta kalojmë këtë moment “nostalgjie”, sepse s’kam asnjë dëshirë t’ju përfshij në intimitete personale, sidomos sot, kur dua të flas për poezinë dhe modën e saj në faqet sociale të internetit.

Nxitja për këtë shkrim ishte, fjala e një miku shumë të nderuar, shkrimtarit Sazan Goliku, në një takim me poetë e shkrimtarë në Ministrinë e Kulturës me datë 14, ditën e të dashuruarve: – Shoh e lexoj shumë vajza të reja dhe djem të rinj që shkruajnë poezi me shumë vlera, por shumë pak prej tyre vlerësohen e stimulohen si duhet.

Kjo, sipas tij, vjen sepse nuk ka një kritikë të mirëfilltë e të pavarur, që të tregojë vlerat, por edhe të kritikojë aty ku duhet!

Bingo!

Ja dhe një person tjetër që mendon si unë!

Po atëherë ku çalon, përse nuk ka kritikë!

Gjithçka, sipas meje, rrotullohet tek paraja dhe tek ai i shkretë tru, që për pak “mish të bukur, të disponueshëm” ka rrotulluar botën që prej krijimit të saj.

Pra, paraja dhe seksi,- dy “pushtete” që ecin paralel dhe janë “motorë të fuqishëm” të çdo shoqërie.

Po si botohet një libër sot?

Meqenëse unë kam botuar disa libra vetë, kam redaktuar, përgatitur për botim dhe kam dërguar për shtyp në disa shtëpi botuese disa libra, po ju tregoj në vija të përgjithshme si funksionon, natyrisht pa vënë shenjën e absolutizmit, sepse mund të ketë edhe ndonjë përjashtim, por e përgjithshmja është kjo:

– Një krijues kërkon dhe gjen një redaktor që e paguan privatisht. (Shpesh, sidomos në faqet e internetit, redaktori gjen “krijueset”!)

Çmimi varion, është i ndryshëm nga shumë faktorë që fillojnë nga autori, sa i njohur është, sa para mund të ketë, jeton jashtë apo brenda Shqipërisë, është femër apo mashkull, çfarë rrethi shoqëror ka etj.

Pasi bien në “ujdi”, (redaktori mund të jetë “falas” ose paguhet nga 150 lekë -500 lekë për faqe- edhe këtu varet nga lloji i “VIP-it”), redaktori gjen shtëpinë botuese që janë aq të shumta sa edhe kioskat që shesin cigare e luledielli në vend të librave.

Ato më “seriozet” që sot kanë bërë emër me botime me vlerë të “VIP-ve”, sidomos të “VIP-ve” të Partive, kanë çmime të shtrenjta, kështu që kalohet tek shtëpitë botuese “më të abordueshme”, në mënyrë që si redaktori përgatitës, ashtu dhe shtëpia të kenë leverdi.

Autori, në këtë rast, ka “derdhur” paratë dhe pret botimin.

Një libër me poezi, me rreth njëqind faqe, me një punë serioze dhe shtypje normale nga shtëpi botuese pa shumë pretendime, shkon nga 400-500 euro dhe këtu futet redaktimi, korrektimi letrar, faqosja dhe kopertina, pra një punë komplet. Flas për një redaktim korrekt dhe normal, sepse ka shumë raste kur redaktoret bëjnë ndërhyrje derisa e tjetërsojnë krijimin dhe i japin atij “tonet”, stilin, – “identitetin” që duan, pra fabrikojnë diçka ndryshe nga ajo që vetë krijuesi ka shkruar dhe natyrisht çmimi “fluturon” në tre zero.

Por këtu fillon e çalon “gomari nga veshët”!

Përderisa poezitë kanë vlerë, përse duhet një redaktor ta “prekë”, apo ta “rregullojë” në atë formë që vetë krijuesi thotë: – Ëoë sa e bukur, pse unë e kam bërë këtë.

Po, përderisa dikush shkruan poezi, kush je ti(redaktor) që i tjetërson identitetin tjetrit duke i dhënë tëndin!?

Po vetë krijuesi, përse pranon këtë tjetërsim!?

Një përgjigje që duhet ta kërkojmë në mijëra raste, mua më duken mijëra, ndoshta gaboj, por jo se janë më pak, mund të jenë më shumë.

Për të arritur në përgjigjen e saktë të kësaj pyetje, me shumë “spec” mjafton të hyni në Facebook  apo në të ashtuquajturat “gazeta elektronike”dhe të lexoni “faqet letrare” të disa poeteshave dhe poetëve, kanë botuar apo jo s’ka asnjë rëndësi!

 Mjafton të lexoni komentet e “miqve” të tyre. Do të kuptoni menjëherë në janë femra apo meshkuj nga numri i pëlqimeve (like) që kanë marrë në çfarëdo lloj krijimi edhe atëherë kur të vjen turp ta quash poezi. Pastaj lexoni komentet. Shqipëria është mbushur me “pena të arta”, s’ka asnjë të argjendtë e absolutisht asnjë të bronztë!

Unë kam redaktuar shumë libra, të disa krijuesve të rinj, madje edhe shumë të rinj. Darlina Mamaqi ishte vetëm 16 vjeç, dhe unë i kam redaktuar vetëm “ujin e tepërt”, asnjë deformim, asnjë tjetërsim, sepse ajo është e re dhe nesër ajo vetë do të gjejë se ku duhet “të evoluojë” e të përparojë, por ajo është e talentuar dhe vetëm 16 vjeç.

Në faqet sociale të internetit do të gjeni “over 40 & over 50” (mbi 40 vjeç & mbi 50 vjeç) që edhe pse nuk kanë botuar deri më sot asnjë libër, kanë faqe letrare dhe vetë quhen poetesha. Ka nga ato që me “ndihmën” e ndonjë redaktori pelivan, kanë mundur të botojnë një libër që pa dyshim përdoret si “ndenjëse” në librari dhe kur i pyet çfarë pune bën të përgjigjen: – Jam poete!

Ka “poetesha” që janë me origjinë veriore apo Kosova dhe në të folurën e përditshme kanë “aksentin” e dukshëm verior, ndërsa në poezitë e botuara, “të rregulluara” nga një redaktor jugor dalin me aksent “lab”!

Moda, mjerë ai/ajo që del jashtë mode!

Kam redaktuar edhe krijuesve të njohur por edhe krejt të panjohur, në distancë, në kontakte virtuale, por nuk kam ndryshuar stil pune me asnjë. Kam ndryshuar vetëm në një rast, për humanizëm (gjendja e saj shëndetësore) dhe duke parë mos pretendimin e saj për t’u deklaruar si poete. Ndaj vendosëm të bëjmë pak kopje që ajo t’i kishte për kujtim, por kur pashë që ajo filloi të hiqej si poete unë u largova, poezitë e redaktuara, në më të shumtën e rasteve, të bëra e ribëra nga unë, janë akoma në kompjuterin tim edhe pse shumë ja kam nisur me e-mail.

Nuk pranova dot kompromisin, edhe pse u pagova shumë mirë, por që, gjithsesi, unë e quaj gabim veprimin tim.

Kam redaktuar edhe publikuar në revistën që drejtova për gati një vit të disa krijuesve të shkollave të mesme të qytetit të Durrësit që më pëlqente t’i stimuloja, por që”, u prenë fondet, u pre stimulimi!”

 Askujt nuk i intereson se ka krijues apo jo, se janë të rinj apo të vjetër.

Sot shkrimtarët e qytetit takohen në kioska për të diskutuar për librat e poezinë, sepse pushteti nuk do poetë, pushteti do “partizanë”!

Partitë politike kujtohen për shkrimtarët dhe artistët vetëm në prag zgjedhjesh.

Institucionet, të cilat duhet të stimulojnë krijuesit, duhet ta fillojnë në riorganizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, jo në dhënien e fondeve individëve që organizojnë aktivitete andej këndej në titull personal apo mbështetur nga shoqata fantazmë që janë krijuar vetëm për të tërhequr fonde nga shteti e fondacione. Shtëpitë botuese nuk duhet të lejohen të botojnë çdo gjë që iu vjen mjaft që paguajnë.

Mendoj se ka shumë probleme që duhet të rregullohen me ligj, sepse: Një popull që përdor librin për të mbështjellë fara, është me të ardhme “pa farë”.

Ardi OMERI

Lexoni edhe: