Nostalgjia dhe efektet e saj pozitive

nostalgjiKujtimet e lumtura i bëjnë njerëzit më optimistë dhe më pak në ankth rreth së ardhmes

Thonë se kujtimet e së shkuarës ose ndryshe nostalgjia, u bëjnë njerëzve keq. Por shumë larg nga lëndimi i vetes, kujtimi i së shkuarës mund të na bëjë më optimistë për të ardhmen.

Individët që janë nostalgjikë për vitet e mëparshme të jetës kanë një këndvështrim pozitiv mbi vitet që do të vijnë, ka zbuluar një studim.

Sipas përfundimeve, sjellja në kujtesë e çasteve të lumtura të kohërave të shkuara nuk e çon njeriun në kohë të largëta, por përmirëson vetëbesimin dhe synimet për të ardhmen.

Këta individë kanë nevojë për të shkuarën, si mjet për të fituar siguri te vetja, për të provuar se kanë një histori, një të tashme dhe një të ardhme.

Sipas studimit, nostalgjia, është një ndjesi që lidhet shumë me besimin te vetja, duke ngritur nivelin e optimizmit. Bashkautori i kërkimit, dr. Tim Uajlldshut (Wildschut), nga Universiteti i Southampton, tregon se kujtimet e së shkuarës ndihmojnë në ruajtjen e ndjenjave aktuale të vlerësimit të vetes dhe ndihmojnë në shikimin më të ndritur drejt së ardhmes.

Sipas zbulimeve, nostalgjia duke rritur optimizmin, i ndihmon individët të përballen me vështirësitë psikologjike të së tashmes.

Në hulumtimin e publikuar në revistën Personality and Social Psychology Bulletin (Buletini i Personalitetit dhe Psikologjisë Sociale), pjesëmarrësve iu kërkua të kujtonin një ngjarje nostalgjike dhe të shkruanin rreth saj.

Një grupi të dytë iu kërkua të kujtonin një ngjarje të rastësishme nga e shkuara. Skuadra zbuloi se numri i fjalëve optimiste të përfshira në tregimet nostalgjike ishte shumë më i lartë sesa në historitë e rastësishme.

Në një eksperiment të dytë, pjesëmarrësve iu dha të dëgjonin një këngë nostalgjike ose të zakonshme. Ata që dëgjuan këngën nostalgjike, u zbulua se kishin nivele më të larta optimizmi se grupet e tjera.

Një studim i mëparshëm tregoi se pensionistët që kujtonin kohën kur ishin të rinj, kishin kujtesë më të mirë dhe se një bisedë 6-orëshe mund t’i kthente 12 për qind të ndodhive që i kishin ndodhur në rini.

Si dolën përfundimet?

Duke rritur optimizmin, nostalgjia mund t’i ndihmojë individët të përballen më lehtë me vështirësitë psikologjike. Studimi zbuloi se të kujtuarit e kohërave të shkuara mund të rrisë vetëvlerësimin dhe ndjenjën pozitive për jetën.

Gjatë eksperimentit me këngë, njërit grup iu dhanë dy tekste këngësh, njëri prej të cilit identifikohej si nostalgjik.

Kur u pyetën pas eksperimentit se çfarë ndjenjash kishin në atë çast, ata që kishin dëgjuar këngë me tekste nostalgjike ishin më pozitivë në këndvështrim, sesa ata që dëgjuan këngë normale.

Dr. Tim Uajlldshut tha se nostalgjia përjetohej nga kushdo dhe dihet se ajo mund të ruajë rehatinë psikologjike.

Të mendosh kujtime të lumtura për vetëm 20 minuta në ditë, mund t’i bëjë njerëzit më të qeshur sesa ishin për shembull një javë më parë dhe më të lumtur sesa do të ishin nëse do të mendonin vetëm për të tashmen.

Ç’është nostalgjia?

Termi nostalgji përshkruan një gjendje sentimentalizmi për të shkuarën, zakonisht për një periudhë të kohërave të lumtura me shoqëri të mirë. Fjala e ka prejardhjen prej greqishtes së lashtë ku nostos përdorej për kthimin në shtëpi ndërsa algos kishte kuptimin e dhimbjes.

Si fjalë u nxor prej një studenti të mjekësisë në shekullin e 17, për të përshkruar gjendjen e ankthit që kishte mbërthyer ushtarët zviceranë që luftonin larg prej shtëpisë. Nostalgjia është një formë e gjendjes mjekësore të melankolisë, por më vonë u bë pjesë e romantizmit si trofe për dashurinë dhe kohërat e bukura.

Zakonisht nostalgjia nxitet nga diçka që na kujton dikë, një ngjarje ose një vend prej së shkuarës. Emocioni që shkakton mund të jetë i ndryshëm që nga lumturia deri tek pendesa.

Similar Posts