Obama-Cameron: Do mbajmë premtimet për Afganistanin

Presidenti i SHBA-së Barack Obama në konferencën për shtyp, të zhvilluar pas takimit me kryeministrin britanik, David Cameron, vlerësoi aleancën me Britaninë e Madhe, ndërsa shpjegoi se një nga temat ku u ndal biseda e tij me kryeministrin e Britanisë, ishte edhe situata më e fundit në Afganistan, ku Obama theksoi se nuk duhet të ndalemi para vështirësive. “Ngjarjet e ditëve të fundit na kujtojnë vështirësitë. NATO do vazhdojë të mbajmë premtimet për Afganistanin”, tha presidenti amerikan. Ndërsa në lidhje me dhunën e Presidentit Asad në Siri, Obama u shpreh se regjimit të tij do t’i vendosen disa sanksione, ndërsa shtoi se është diskutuar edhe për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri. Bisedimet mes Cameron dhe Obamas u përqendruan veçanërisht në çështjen e Iranit dhe programit të saj bërthamor të kontestuar dhe Afganistanin e represionin e përgjakshëm në Siri. Edhe Cameron u ndal të theksojë se SHBA e Brtiania nuk do të dorëzohen në misionin e tyre në Afganistan. Sipas tij, “Jemi në fazën përfundimtare të misionit në Afganistan. Në 2013 forcat afgane marrin në dorë sigurinë prandaj ne nuk dorëzohemi deri në fund të misionit”, tha ai. Cameron deklaroi më tej se po punohet për një rezolutë të re mbi Sirinë në Këshillin e Sigurimit pasi sic tha ai, “Ne do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë në Siri. Të gatshëm të bashkëpunojmë me Kinën dhe Rusinë”, shtoi ai. Dy liderët deklaruan se me sanksionet që do t’i vendosen regjimit të Asad në Siri do t’i jepet fund vrasjeve dhe dhunës në këtë vend. Ata shtuan më tej se sanksione tepër të ashpra presin edhe Iranin, për shkak të armëve bërthamore që prodhon. Kryeministri britanik dhe bashkëshortja e tij u pritën sot në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan, Barack Obama për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës do të diskutohen çështjet më të ndjeshme të Afganistanit dhe Iranit. Çifti Cameron u prit me nderime ushtarake nën tingujt e “God Save the Queen”, dhe më pas me himnin amerikan në rezidencën presidenciale në Uashington.

Comments are closed.