Oketa: S’votova kundër qeverisë, por pro interesave të qytetarëve

Deputeti Gazmend Oketa, i cili pak kohë më parë, u largua nga grupi parlamentar i PD-së, ka zgjedhur faqen e tij në rrjetin social, Facebook, për të sqaruar votën e tij kundër p/ligjeve të paraqitura nga qeveria, në lidhje me statusin e të verbërve dhe personave para e tetraplegjikë. Oketa shprehet se nuk ka votuar kundër qeverisë, por pro interesave të kësaj pjese të shoqërisë. “Gjatë javës së shkuar, jam takuar me drejtuesit e shoqatave që ata kanë, i kam dëgjuar dhe më pas kam vendosur t’i mbështes me votë. Mendoj se ka ardhur koha t’i shohim gjërat nga ana pozitive. Pra, unë kam votuar PRO interesave të qytetarëve, të cilët duhet të jenë të parët. Dhe vota ime do jetë gjithmonë PRO këtyre interesave. Ju ftoj ta shohim gotën jo gjysmë bosh, por gjysmë PLOT”, shkruan Oketa në komentin e tij në Facebook. Oketa ka reaguar pas komentimit të votës së tij në shtypin e përditshëm. “Kam votuar pro mbrojtjes së interesave të atyre personave, të cilët kanë nevoje për mbështetje ndoshta më shumë se cilido tjetër”,-nënvizon Oketa.