Pack: Kosova kushtëzon negociatat BE-Serbi

Shefja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, ka thënë se për nisjen e negociatave me BE-së, Serbia duhet të ketë qeveri pro-evropiane. Për arritjen e një qëllimi të tillë, Pack ka thënë se duhet të zbatohen edhe marrëveshjet e arritura në dialogun e autoriteteve serbe me ato kosovare. “Data varet nga rezultatet e Qeverisë dhe të Parlamentit të Serbisë në zbatimin e reformave dhe atë në të gjitha fushat politike. Po ashtu është e nevojshme që të nisë zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve me Kosovën. Natyrisht, me rëndësi është edhe normalizimi i situatës në veri të Kosovës”, ka thënë Pack. Sipas saj, euro-integrimi i Serbisë është i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, çfarë, sipas parlamentares evropiane, krijon hapësirë për punë intensive në fushat e ekonomisë, infrastrukturës dhe arsimit. “Kjo punë do t’iu shërbente të gjithë qytetarëve”, ka thënë Pack. E pyetur se çfarë mendon për zgjerimin e Bashkimit Evropian në kohën kur blloku po përballet me krizë financiare, Pack ka thënë se procesi i zgjerimit vazhdon për tërë rajonin. “Shpresoj se kriza do të marrë fund para se vendet, që duan të jenë pjesë e BE-së, të përfundojnë negociatat. Kroacia, për shembull, është gjendur në mes të krizës, çfarë dëshmon se procesi i zgjerimit të BE-së merret shumë seriozisht”, u shpreh deputetja e Parlamentit Evropian. Në fillim të këtij muaji, Serbia ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kandidatura e shtetit serb ka ndodhur pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sipas kësaj marrëveshjeje të arritur më 24 mars në Bruksel, Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Comments are closed.