Ngritja e biznesit social, më shumë mundësi punësimi për familjet në nevojë

Zv/ministri Sulka: Problemi i varfërisë, zgjidhje afatgjatë nëpërmjet ngritjes së ekonomive sociale

“Problemet e varfërisë nuk mund të zgjidhen thjesht dhe vetëm me rritje të fondit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nivelit të rritjes apo reformimit të skemës së ndihmës ekonomike, e vetmja zgjidhje afatgjatë që sjell zbutjen e problemeve social-ekonomike është ngritja e nukleve ekonomike në zona veçanërisht të varfra, të cilat do mundësojnë punësimin dhe krijimin e të ardhurave për individët dhe familjet në vështirësi”,- u shpreh z/ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, në një takim të zgjeruar me përfaqësues të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe drejtues të drejtorive politikëbërëse të Ministrisë, ku u diskutua rreth problematikave sociale që shqetësojnë kategori të veçanta të popullsisë në zona të ndryshme të vendit. “Shumë zona flenë mbi pasuri natyrore, të cilat vetëm për mungesë të iniciativave serioze për shfrytëzimin e tyre dhe krijimin e të ardhurave për banorët me problem social-ekonomike vazhdojnë të konsiderohen dhe të jenë zona të varfra dhe papunësi të lartë”, deklaroi Sulka.

OSMAN DEDJA

Për më tepër lexoni gazetën Republika

Ulje temperaturash, e marta pritet të jetë dita më e ftohtë e javës

Ditën e sotme, temperaturat priten të ulen ndjeshëm në krahasim me ditët në vijim. Për shkak të reshjeve të shiut, të cilat priten të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin tonë dhe për disa ditë. Ndërsa në zonat malore parashikohet që ndonëse jo me intensitet të lartë të bien edhe reshjet e para të borës. Kështu, deri ditën e martë, kur reshjet pritet të bëjnë një pauzë për t’u rikthyer sërish të enjten. Problematike këtë javë do të jenë edhe temperaturat të cilat do të pësojnë rënie të ndjeshme. Me gjithë ditët e pakta me reshje për shkak të intensitetit të lartë të tyre, tetori konsiderohet një muaj i lagësht, ndërkohë që sinoptikanët parashikojnë mbylljen e tij me temperatura tipike të vjeshtës.

 

 

 

 

Raporti i MSH-së: 1/3 e nxënësve, përdorues alkooli

Sipas raporteve të Ministrisë së Shëndetësisë rreth 1/3 e nxënësve është përdorues i alkoolit. Ndaj ligji kundër alkoolit pritet të ashpërsohet. Ky vendim u mor gjatë një seance dëgjimore në komisionin e Shëndetësisë, ku deputetët e opozitës raportuan shtimin e problemeve në vend si rezultat i konsumimit të alkoolit. Sipas tyre, shumë akte dhune dhe shumica e aksidenteve, ndodhin nga persona në gjendje të dehur. “Konsumi i alkoolit po shtohet gjatë ditës, traumat, aksidentet që lidhen me alkoolin po shtohen, humbjet familjare, pasojat tragjike në familje, dhuna në familje po shtohet falë konsumit të alkoolit. Është e vërtetë që ju insistoni për moshën e re që të frenojmë konsumin e alkoolit po ca do bëjmë me këtë që po ndodh aktualisht”,- tha Klodjana Spahiu, deputete e PS-së. Drejtues së Ministrisë së Shëndetësisë thanë se gjatë ndryshimeve të ligjit do të shihet me prioritet, ulja e numrit të konsumatorëve të mitur që pinë alkool duke u vendosur orare nëpër bare në lidhje me tregtimin e tij. Specialistët prezantuan edhe të dhëna alarmante të një studimi nëpër shkolla, sipas të cilit rezulton se ka nxënës që kanë konsumuar alkool para moshës 8 apo 12-vjeçare. “Të paktën 1/3 e nxënësve të shkollave të mesme, sidomos në grupmoshën 17-18-19 vjeç rezultojnë se kanë konsumuar të paktën një pije alkoolike ditët e fundit. Pirja e alkoolit në moshat 11-12 vjeç është prezente, ka vlerësime të ndryshme më shumë në zonat urbane, më shumë djem se vajza”,- tha Gazment Bejtja, Drejtor i Shëndetit Publik, MSH. Të dhënat e OBSH-së për Shqipërinë tregojnë se 30 për qind e popullsisë është konsumatore e moderuar e alkoolit. Ndërsa 5 për qind është totalisht e varur prej pijes. Ky grup personash kanë nevojë të menjëhershme për trajtim, pasi jo vetëm dëmtojnë shëndetin, por kthehen edhe në kosto për familjen e shoqërinë.

 

Formulari A3, afati i regjistrimit online

Kuotat e mbetura bosh në universitetet publike

Kategoritë që përjashtohen nga kjo fazë. Kur shpallen fituesit përfundimtarë. Dokumentacioni që duhet të dorëzohet pranë sekretarive mësimore

Pas publikimit të Formularit A3, në datën 31 tetor do të nis dhe plotësimi i tij online. Sipas të dhënave që vinë nga MASH-i, janë rreth 7000 mijë kuota bosh në të gjitha universitetet publike të vendit do të jenë një mundësi e dytë për të gjithë ata të rinj që nuk kanë filluar ende vitin akademik. Drejtoresha e Arsimit të Lartë, Edlira Late, thotë se formulari do të plotësohet online, ndërkohë që jep detaje rreth kategorive që do t’i nënshtrohen A3-shit si dhe programet e studimit, të cilat janë në dispozicion të tyre. “Të gjithë kandidatët, të cilët kanë kryer detyrimet e Maturës Shtetërore, është momenti që ata të aplikojnë në këtë fazë me formularin A3. Do të jetë një fazë e cila starton në datën 31 tetor deri në datën 2 nëntor”, shprehet Late. Lista e fituesve të A3 do të shpallet në datën 8 nëntor. Këtë formular mund ta plotësojnë edhe ata që tashmë janë të regjistruar në sistemin Part-Time, apo që duan të ngjiten në një preferencë më të lartë…

Për më tepër lexoni gazetën Republika

KLSH: Subjekti “Trajtimi i Studentëve”, 3 milionë dollarë mosarkëtime

Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga kontrollet e ushtruara në subjektin “Trajtimi i Studentëve nr. 1, Sh.a.”, Tiranë, ka konstatuar një sërë mangësish dhe parregullsish. Lidhur me këtë fakt, kundër këtij subjekti është bërë kallëzimi penal për Kryetaren e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë dhe dy anëtarë të tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën të ditur se bazuar në programin e auditimit të vitit 2012 ka kryer auditim, për periudhën 1/1/2010 deri më 31.12.201, në subjektin Trajtimi i Studentëve me objekt: “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomike financiare”. Sipas KLSH-së, është konstatuar se Shoqëria nuk ka arkëtuar “detyrimet debitore”, të cilat për vitet 2010-2011 rezultojnë në vlerën 102, 619, 770 lekë dhe nuk ka paguar detyrimet ndaj “furnitorëve e kreditorëve”, gjendja e së cilës në fund të viteve 2010-2011 është përkatësisht 20,422,38 lekë dhe 25,794,021 lekë. Sipas raportit të KLSH-së, në administrimin e Bujtinave, në përfundim të vitit akademik 2009-2010, nga 2071 dhoma për strehim janë përdorur për studentët 2002 dhoma, ose 69 dhoma më pak, ndërsa në vitin akademik 2010-2011, nga 2061 dhoma për strehim u përdorën për studentët 2003 dhoma, ose 58 dhoma më pak, duke shkaktuar të ardhura të munguara për shoqërinë në vlerën 19,768,000 lekë.