Shega ndihmon zemrën, vaji i ullirit zgjat jetën

Në një studim të botuar në një revistë të shoqatës amerikane për shëndetësinë, thuhet se ngrënia e peshkut të paktën 2 herë në javë ul riskun nga prekja e hemorragjisë cerebrale në tru. Studimi, të cilit iu nënshtruan 99 meshkuj, të cilët, më parë, konsumonin vetëm mish në dietën e tyre dhe që ishin shtruar në spital, si pasojë e shfaqjeve të simptomave që çojnë në këtë sëmundje, arriti në përfundimin se mishi i peshkut ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të hemorragjisë cerebrale falë acidit yndyror që ai përmban dhe që ndihmon në qarkullimin e gjakut. Gjatë këtij studimi, shkencëtarët nuk u bazuan në ndonjë lloj të veçantë peshku, gjë që tregon se nuk ka rëndësi lloji apo madhësia, rëndësi ka përdorimi i tij më shpesh nga të gjithë njerëzit.

Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Me shumë sukses përdoret edhe në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit…

Për më tepër lexoni gazetën Republika

Pagjumësia dhe mbipesha, lidhja që ekziston mes tyre

Gati një e treta e amerikanëve flenë më pak se gjashtë orë gjumë në natë dhe mbi 35 për qind e amerikanëve janë mbipeshë. Përkimi i këtyre dy shifrave mund të ketë një lidhje, thuhet në një studim në revistën e Akademisë së ushqimit dhe dietës.

Duke shqyrtuar studimet e mëparshme, shkencëtarët ekzaminuan efektet që sjell “gjumi i pjesshëm” – përcaktuar si 4 deri 6 orë gjumë në natë – në nivelet e hormoneve në gjak dhe në nivelet e urisë dhe zakoneve të ngrënies.

Autorët e studimit zbuluan se gjumi i pjesshëm mund të shkaktojë:

– Më shumë ngrënie në përgjithësi

– Rrezik të mbingrënies në mbrëmje

– Shtimin e ngrënies së ushqimeve me shumë yndyra.

Për njerëzit që përpiqen të menaxhojnë peshën e tyre, studimi rekomandon vlerësimin e mënyrave se si flenë, dhe gjumë të mjaftueshëm – 7 deri 8 orë – rregullisht.

 

Sinoziti, konsumoni ushqime me fibra për ta evituar

Shpesh çdo dhimbje koke trajtohet thjesht me një aspirinë dhe, sapo dhimbja kalon, ashtu bie edhe interesimi për diagnostikimin e saktë te saj. Dhe dhimbjet e kokës kanë shkaktarë të shumtë, duke filluar nga ftohja, sinoziti e deri tek dhimbjet e forta të migrenës. Por disa mënyra të reja të trajtimit të dhimbjeve të kokës ofrojnë shpresa për të sëmurët. Një pamje e kompjuterizuar e trurit tregon reagimin e trurit kur njeriu provon dhimbje të migrenës, sëmundje, e cila prek rreth 20 për qind të amerikanëve. Por problemi është se pacientë të tillë shpesh diagnostikohen gabim.

Kurimi

Diagnostikimi i saktë ka shumë rëndësi, pasi vetëm kështu mjekët mund të ndërhyjnë në kohën e duhur për parandalimin e keqësimit të gjendjes shëndetësore. Pas diagnostikimit të saktë, ilaçi më i mirë kundër simptomave të sinozitit është provuar të jetë ai i grupit të ilaçeve triptan, që e largojnë menjëherë dhimbjen e kokës, por njëkohësisht shkaktojnë marrje mendsh. Shkencëtarët tani janë duke kryer prova për përdorimin me sa më efektivitet të ilaçeve triptan, që mund të merren nga goja, por edhe nëpërmjet injeksioneve. Këto terapi të reja bëjnë të mundur jo vetëm trajtimin e simptomave në përgjithësi, por shpesh eliminojnë edhe dhimbjet e kokës të shkaktuara nga migrena. Mjekët thonë se ilaçet e llojit triptan janë të efektshme në më shumë se 80 për qind të rasteve, por ata rekomandojnë që personat që vuajnë nga sëmundje vaskulare duhet të shqyrtojnë përdorimin e alternativave të tjera të mundshme..

Për më tepër lexoni gazetën Republika

Telemjekësia, prezantohen arritjet në tre vjet

Drejtori i USAID-it për Shqipërinë, Jim Barnhart, viziton mjediset e Qendrës së Telemjekësisë

Drejtori i USAID-it, në Shqipëri, Dr. Jim Barnhart, vizitoi mjediset e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë në Tiranë. Dr. Barnhart bisedoi jo vetëm me stafin e qendrës, por edhe me të gjithë pjesëtarët e tjerë të programit të telemjekësisë në spitalet rajonale ku ky projekt është zbatuar: në Kukës, Shkodër, Lezhë, Durrës, Korçë dhe Vlorë. Vetë mjediset e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë sapo janë rinovuar plotësisht në kuadrin e programit të ndihmës humanitare të ushtrisë së SHBA-ve, e lëvruar nëpërmjet EUCOM dhe USACE. Gjithashtu, Dr. Barnhart vizitoi auditoriumin 100 vendësh, sallat e telekonsultave, bibliotekës elektronike, etj. Ai kërkoi të njihej dhe u prezantua me arritjen e këtij programi të financuar nga USAID-i dhe të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i Programit, Prof. Rifat Latifi, dhe pjesëtarët e tjerë të stafit i paraqiten Dr. Barnhart arritjet e programit në tre vitet e fundit në fushat e telemjekësisë klinike, edukimit mjekësor në distancë dhe të bibliotekës elektronike. Vëmendje e veçantë iu kushtua programit, tashmë tepër të njohur të menaxhimit në distancë te aksidenteve vaskulare cerebrale (tele-stroke), programit të teletraumës, programit të telekonsultave, programit të tele-okulistikes, etj. Njëkohësisht, Dr. Barhnart kërkoi të njihej edhe me sfidat e programit, ku u veçua nevoja për të parashikuar që, në këtë fazë, vazhdimësinë e programit të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik për Shqipërinë. Prof. Latifi theksoi mbështetjen e gjithanshme që i është dhënë programit të telemjekësisë nga gjithë strukturat e shtetit shqiptar, që nga Kryeministri Berisha, i cili, personalisht e ka mbështetur këtë program, tek ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesit e spitaleve, ku programi tashmë po zbatohet. Dr. Barnhart dhe Prof. Latifi theksuan nevojën që programi i telemjekësisë dhe shëndetit elektronik të bëhet i njohur për çdo mjek dhe infermier në të gjithë spitalet e vendit, me qëllim që ata të përfitojnë nga mundësitë e pafundme që telemjekësia dhe shëndeti elektronik ofron. Programi i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik ka hyrë tashmë në një fazë zhvillimi intensiv, veçanërisht programi i teletraumës, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Traumës dhe spitalet rajonale të vendit.

Ngritja e biznesit social, më shumë mundësi punësimi për familjet në nevojë

Zv/ministri Sulka: Problemi i varfërisë, zgjidhje afatgjatë nëpërmjet ngritjes së ekonomive sociale

“Problemet e varfërisë nuk mund të zgjidhen thjesht dhe vetëm me rritje të fondit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nivelit të rritjes apo reformimit të skemës së ndihmës ekonomike, e vetmja zgjidhje afatgjatë që sjell zbutjen e problemeve social-ekonomike është ngritja e nukleve ekonomike në zona veçanërisht të varfra, të cilat do mundësojnë punësimin dhe krijimin e të ardhurave për individët dhe familjet në vështirësi”,- u shpreh z/ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, në një takim të zgjeruar me përfaqësues të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe drejtues të drejtorive politikëbërëse të Ministrisë, ku u diskutua rreth problematikave sociale që shqetësojnë kategori të veçanta të popullsisë në zona të ndryshme të vendit. “Shumë zona flenë mbi pasuri natyrore, të cilat vetëm për mungesë të iniciativave serioze për shfrytëzimin e tyre dhe krijimin e të ardhurave për banorët me problem social-ekonomike vazhdojnë të konsiderohen dhe të jenë zona të varfra dhe papunësi të lartë”, deklaroi Sulka.

OSMAN DEDJA

Për më tepër lexoni gazetën Republika