Michelle Pfeiffer pro kirurgjisë estetike

Michelle Pfeiffer është pro kirurgjisë estetike. Në mënyrë të veçantë ajo është pro Botox-it. Objektivi? Të ndiheni mirë fizikisht dhe rezultatet të jenë sa më natyrale të mundshme dhe jo me ekzagjerime, të cilat më pas kthehen në makthe. Aktorja e madhe e Hollivudit, në moshën 53 vjeçare ka deklaruar për Elle se: “Nuk ka rëndësi nëse personat kanë zgjedhur t’i nënshtrohen kirurgjisë estetike apo të bëjnë ndërhyrje më të lehta. E rëndësishme është që ata të ndihen mirë kur të shikojnë veten e tyre në pasqyrë.

Për të ndërhyrja estetike duhet të përjetohet me qetësi dhe të kërkohen rezultate sa më afër natyrës së vërtetë.

Milingiti tek femijet, si shfaqet dhe si duhet ta parandalojme / Flet Imelda Zeqo

Flet Imelda Zeqo, mjeke infeksioniste .Virozat që qarkullojnë në këtë stinë. Si shfaqet sëmundja e milingitit, dëmet që sjell ai në organizëm. Gripi, vaksinat e reja për këtë vit. Simptomat dhe si transmetohet virusi. Grupmoshat më të rriskuara që duhet të vaksinohen

Me uljen e ndjeshme të temperaturave, vendi ynë është përfshirë nga një valë virozash stinore, që kanë prekur një numër të madh njerëzish. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga vetë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë shprehur se situata është nën kontroll. “Tashmë, jemi në sezonin e virozave, të cilat, kryesisht prekin traktin respirator. Këto viroza kanë disa shenja, siç janë gjendja jo e mirë e organizmit të njeriut, me këputje, debulesë, sekrecione hundësh, rrjedhje të cilat, më pas, kalojnë në fazën e kollitjes, temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke”. Kështu shprehet në një intervistë për “Republikën”, Imelda Zeqo, mjeke infeksioniste pranë Poliklinikës Qendrore. Ndërkohë, sipas mjekes Zeqo, ka edhe raste më të ndërlikuara të gripit, të cilat kalojnë në milingit, por kjo varet nga organizmi i pacientit dhe se si reagon ai ndaj infeksioneve të ndryshme.

– Cilat janë disa nga virozat që qarkullojnë në këtë stinë?

Tashmë, jemi në sezonin e virozave, të cilat kryesisht prekin traktin respirator. Këto viroza kanë disa shenja, siç janë gjendja jo e mirë e organizmit të njeriut, me këputje, debulesë, sekrecione hundësh, rrjedhje, të cilat, më pas, kalojnë në fazën e kollitjes, temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, etj. Pacientin e shqetëson kolla natën, djersa – pra një gjendje jo e mirë që prek traktin respirator. Por duhet thënë se nuk përjashtohet edhe rasti i prekjes së traktit gastro-intenstinal. Disa prej shenjave, janë bark e të vjella, temperaturë e lartë dhe si rezultat i këtyre, organizmi shfaq një gjendje dehidratimi, nëse nuk ndiqet nga mjeku. Këto janë, pak a shumë, shenjat e virozës që ekziston për momentin.

– Çfarë u sugjerohet pacientëve në këto raste?

Normalisht, në këto raste, sugjerohet paraqitja tek mjeku për të marrë këshillat e para. Ndërkohë, mjekimi me anë të antibiotikut tek këta pacientë nuk bëhet që në fillim, pasi ai nuk vepron në rastin e një viroze. Mjekimi konsiston kryesisht në marrjen e lëngjeve, në ushqimin e pasur me vitamina, në përdorimin e bustinave antigrip, që janë thjesht mjekim simptomatik, i cili shqetëson këto simptoma që thamë, qoftë të traktit respirator dhe ato të traktit gastro-intenstinal. Në rastin kur pacienti ka të vjella dhe diarre, të cilat janë ambondante, normalisht rekomandohet marrja e lëngjeve – trisolit – për të rikuperuar humbjen e lëngjeve. Në këto raste, rekomandohet edhe marrja e analgjezikëve ose antiripetikëve, për uljen e temperaturës, për dhimbjet e kyçeve, kockave, muskujve. Ndërsa marrja e antibiotikëve këshillohet në rastin kur kemi komplikacione. Kështu, si rezultat i virozës, ulet imuniteti i organizmit, dhe shumë pacientë mund të preken nga funksione sekondare, bakteriale dhe në këto raste shfaqen komplikacionet, siç janë sinoziti, infeksion urinar. Në raste të tilla, nevojitet përdorimi i antibiotikut, kur kolla bëhet më e shpeshtë, kur temperatura rritet. Në rastet kur janë vetëm simptomat e para, pra kur nuk kemi komplikacione, bëjmë vetëm një mjekim simptomatik. Pra, gjëja e parë që duhet të bëjë pacienti është paraqitja tek mjeku, i cili, më pas, bën vlerësimin e situatës së sëmundjes së tij.

– Kur bëhet rasti më i vështirë, kur pacienti ka probleme me traktin respirator apo ai gastro-intenstinal?

Unë do të thosha që të dy rastet nuk duhet të nënvlerësohen, qoftë në traktin e prekjes së traktit respirator, edhe në traktin gastro-intenstinal, sepse këto janë situata që duhet të mbahet nën kontroll. Kjo, pasi edhe në rastet kur pacienti vuan nga simptomat me bark e të vjella, me temperaturë, në qoftë se kjo nuk ndiqet dhe neglizhohet, pacienti arrin dhe dehidratohet, pra humbet të gjitha lëngjet e organizmit dhe detyrimisht kalon në gjendje lepotimie, të fikëti, por edhe në gjendje shoku.

– Paraqitet fluks pacientësh pranë poliklinikës suaj, që janë prekur nga virozat e stinës?

Duhet thënë se është një fluks mëse normal, si çdo sezon tjetër. Nuk kemi pasur fluks të madh njerëzish që ankohen për raste të tilla dhe situata është nën kontroll. Është mëse normale që të ketë pacientë që preken nga këto viroza, pasi është stinore.

– Sa kohë duhet për të kaluar nga një virozë e thjeshtë, siç është edhe gripi, në një rast më të ndërlikuar, siç është milingiti? Cilat janë disa nga shenjat e kësaj sëmundjeje?

Milingiti vjen edhe si pasojë e ndonjë viroze, e një gripi që kalohet dhe ka disa shkaktarë, siç janë bakteret dhe infeksionet. Shenjat e rastit të një milingiti janë temperatura e lartë, gjendja e përgjithshme e organizmit jo e mirë, pra gjendja e gripit agravohet dhe rëndohet më shumë. Një shenjë tjetër karakteristike e milingitit është edhe rigiviteti i qafës. Thënë më thjesht, në rastin kur dyshojmë për milingit, pacientit i bëjmë një ekzaminim, duke e vënë në një pozicion të shtirë, shumë specifik dhe më pas tentojmë t’i ngremë kokën lart, për të parë pozicionin e qafës dhe elasticitetin e saj. Më pas, organizmi paraqitet në një gjendje të rënduar. Në fakt, këto raste janë të rralla, pra që pacienti të kalojë nga një gjendje gripi në atë të milingitit. Nëse sëmundja agravohet, pra nëse gjendja e pacientit nuk përmirësohet nga gripi, atëherë mund të kalojë pas një jave ose 10 ditësh në milingit, por siç thamë, ndodh shumë rrallë. Por mund të ketë edhe forma të tjera kulminante, siç mund të jetë një shpërthim i shpejtë i sëmundjes.

– Çfarë i ndodh organizmit kur preket nga milingiti?

Organizmi pëson disa luhatje, siç janë kuadri i gjakut, qoftë në funksionin lumbar që i bëhet në lëngun truno-shpinor. Këto ndryshime janë në varësi të shkaktarit të milingitit, të cilët janë të shumtë. Në varësi të këtij shkaktari vihen re edhe këto ndryshime, qoftë në analizat e gjakut, etj.

– Cilat janë disa nga vaksinat që rekomandohen për gripin?

Vaksinimi duhet të bëhet para se të fillojnë virozat, por gjithsesi, ende nuk është vonë. Ajo që është e rëndësishme është fakti që këto vaksina nuk kanë asnjë kundër-pasojë dhe ata që janë më të rriskuar duhet të vaksinohen, madje edhe ata që vuajnë nga sëmundjet sekondare, siç janë të sëmurët kardiakë, etj. Llojet e vaksinave janë TIV (trivalent e inaktivuar), si dhe LAIV me virus të dobësuar që mund të paraqitet dhe në formën e një spray nazal. Vaksina LAIV përdoret vetëm tek personat e shëndoshë (jo shtatzëna) nga mosha 2 – 49 vjeç. Vaksina TIV përdoret tek të gjithë, nga mosha 6 muaj e lart. Më pas, ajo ndahet sipas grupmoshave, e cila varet nga përmbajtja e antigenit që përmban dhe mënyra e marrjes, (intramuskular dhe intradermal). Prandaj është e rëndësishme të blihet vaksina e duhur për personat në mosha të ndryshme. Kjo, duke u konsultuar me farmacistin.

– Cilat grupmosha e kanë më të nevojshme të vaksinohen?

Të gjithë duhet të vaksinohen nga gripi, por njerëzit që janë më të rriskuar janë fëmijët 6 muaj – 5 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet që japin ulje të imunitetit. Duhet të vaksinohet personeli mjekësor, farmacistët, shitësit e dyqaneve, kamerierët, të gjithë familjarët ose kujdestarët e fëmijëve nën 6 muaj. Ndërkohë, është për t’u theksuar vaksinimi i gruas shtatzënë. Marrja e vaksinës gjatë barrës është e rëndësishme, pasi siguron mbrojtje për foshnjat deri 6 muaj. Gjithashtu, ndër masa të tjera parandaluese janë larja e shpeshtë e duarve me sapun, pasi virusi nuk është rezistent ndaj tij. Ushqyerja e shëndetshme dhe marrja e lëngjeve, si dhe eliminimi sa më shumë të mundemi i qëndrimit në ambiente të mbyllura dhe ku ka shumë njerëz.

– Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja si mjeke për pacientët?

Një ndër këshillat që japim shpeshherë ne mjekët janë evitimi i ambienteve të mbyllura, siç mund të jenë lokalet, pra qëndrimi në një kohë shumë të gjatë në këto vende. Mundësisht të bëhet edhe evitimi i ambienteve ekstremisht të ftohta, siç janë mëngjesi dhe orët e vona të natës. Përveç kësaj, pacienti duhet të konsumojë lëngje, ushqime të pasura me vitamino-terapi. Në rastet kur na zë viroza, pacienti duhet të paraqitet tek mjeku për t’u vizituar – kjo për të përcaktuar edhe mjekimin, simptomatik, apo duhet të përdorim anti-biotikoterapia. Një tjetër këshillë është edhe vaksinimi i moshave më në risk, të cilat janë më të prirura për të kapur nga viroza e gripit. /Gazeta Republika

Goditja e fundit për gurët në veshka

Shkaqet e krijimit të gurëve në veshka, shpesh janë të panjohura. Mënyra të caktuara të të ushqyerit mund të jenë shkak për formimin e gurëve tek njerëz të ndjeshëm, megjithatë shkencërisht nuk besohet se konsumi i ushqimeve specifike nga persona të ndjeshëm shkakton formimin e gurëve në veshka.

Një person që ka familjarë me gurë në veshka, ka më shumë mundësi të jetë më i ekspozuar ndaj shfaqjes së tyre. Çrregullime të caktuara metabolike si hiperpara­tiroidizmi, infeksionet urinare, çrregullime të veshkave si dhe sëmundje cistike të tyre, janë, gjithashtu, të lidhura me formimin e gurëve. Gjithashtu, më shumë se 70 për qind e njerëzve me një sëmundje të rrallë të trashëguar që quhet renal tubular acidosis, janë më të ekspozuar ndaj formimit të gurëve në veshka.

Shkaktarë të tjerë të gurëve në veshka mund të jenë: konsumi i tepërt i vitaminës D; infeksionet urinare si edhe bllokimi i rrugëve urinare. Disa diuretikë dhe antiacidë me bazë kalciumi mund të rrisin rrezikun e formimit të gurëve në veshka duke rritur sasinë e kalciumit në urinë.

Gurët e veshkave mund të formohen edhe tek personat që kanë infeksion kronik në zorrë ose që kanë pasur një operacion by-pass intestinal. Gjithashtu, edhe kur urina përmban sasi të tepërt të substancave të caktuara. Këto substanca mund të krijojnë kristale të vogla të cilat shndërrohen në gurë. Gurët në veshka mund të mos shfaqin simptoma deri sa fillojnë të lëvizin poshtë nëpër tubat përmes të cilëve urina shkon në fshikëz. Kur kjo ndodh, gurët mund të bllokojnë rrjedhjen e urinës nga veshka. Kjo gjë shkakton ënjtje të veshkave duke sjellë dhimbje shumë të fortë.

Gurët në veshka shfaqen më shpesh tek meshkujt. Ekzistenca e tyre rritet më shumë kur meshkujt hyjnë në të 40-at dhe vazhdojnë deri në të 70-at.

Tek femrat, shfaqja e gurëve në veshka është më e shpeshtë kur ato hyjnë në të 50-at. Kur tek një person shfaqet një gur në veshka, rritet mundësia që të zhvillohen edhe gurë të tjerë.

Lëngjet, elementi më i rëndësishëm për pacientët me gurë në veshka

Në mënyrë që të prodhohet një volum urinar prej të paktën 2 litrash në ditë, rekomandohet të pihen sasi të bollshme lëngjesh. Në periudhat e djersitjes së vazhdueshme apo ushtrimeve fizike, rekomandohet një sasi ditore prej 3 ose më shumë litra lëngje (mbi 12 gota). Është e rëndësishme që sasia e lëngjeve të shpërndahet në mënyrë sa më të barabartë gjatë 24 orëve. Pothuajse të gjitha lëngjet janë të rekomandueshme të pihen, por bikarbonatet dhe uji mineral i pasur me kalcium janë veçanërisht të rekomandueshëm. Nga ana tjetër, formimi i gurëve në veshka nxitet nga sasitë e mëdha të çajit të zi ose çajrave tjerë si edhe pijeve freskuese të gazuara. 

Si i trajtojmë gurët e veshkave?

Një pjesë e konsiderueshme e gurëve, veçanërisht e atyre me diametër më të vogël se 0.5 cm, bien spontanisht. Plani i mjekimit ndryshon në varësi të vendndodhjes së gurëve (veshka, kanali urinar, fshikëza e urinës), numrit dhe diametrit të tyre. Ndërkohë që aplikimi i ndërhyrjeve kirurgjikale me prerje të mëdha ka qenë shumë i përhapur deri para pak kohësh, në sajë të zhvillimit teknologjik, krahas aplikimit të metodës së thyerjes së gurëve, filluan të aplikohen operacione të mbyllura me prerje minimale, gati të padukshme: nefrolitotomia perkutane. Kjo lloj ndërhyrjeje tepër e favorshme për pacientin, e aplikuar në Shqipëri jo vetëm shpëton pacientin nga dhimbjet e mundimshme të gurëve, por e bën këtë nën kushte shumë komode duke minimizuar kohën e hospitalizimit dhe të rikthimit aktiviteteve të përditshme.

Kirurgjia Perkutane e gurëve

Para futjes së metodave moderne të kirurgjisë urologjike, mënyra e vetme e eliminimit të gurëve të veshkave ishin operacionet e gjata traumatike me prerje mbi 10 cm. Jo vetëm madhësia e plagës, por edhe koha e gjatë e hospitalizimit dhe rikuperimit bënin që këta paciente t’i shmangeshin ndërhyrjes, shpesh deri në insuficience totale të veshkës. Në sajë të nefrolitotomisë perkutane; kirurgjisë minimalisht invazive, vetëm 1 për qind e gurëve të veshkave operohet me metodën e vjetër. Në shumicën e rasteve, gurët që nuk mund të nxirren me metodën e thyerjes ose që janë në një madhësi që nuk lejon daljen nëpër ureter nxirren jashtë veshkës me metodën më të avancuar të kirurgjisë endoskopike: nefrolitotomi perkutane. 

Operacioni Perkutan i gurëve të veshkës

Në nefrolitotominë ose nefrolitotripsinë perkutane, kirurgu bën një prerje të vogël në shpinë nëpërmjet së cilës hyn me anë të një kateteri deri në brendësi të veshkës, aty ku është pozicionuar guri. Më tej, nëpërmjet një sonde që hyn në të njëjtin kateter, kirurgu arrin të shohë me sy të lirë madhësinë dhe vendosjen e gurit dhe ta tërheqë atë jashtë veshkës, pikërisht përgjatë këtij kateteri të vetëm. Nëse guri është më i madh se kateteri, atëherë më parë copëtohet në brendësi të veshkës dhe pastaj aspirohet nga sonda. Sipas zgjedhjes së pacientit dhe mjekut anestezist procedura kryhet nën anestezi të përgjithshme, lokale ose shpinore.

Te cilët pacientë aplikohet kjo procedurë?

Kjo procedurë mund të përdoret për të trajtuar gurët e veshkave që kanë këto karakteristika:

• Janë më të mëdhenj se 2 cm në diametër.

• Janë të mëdhenj dhe të shkaktuar nga një infeksion (staghorn calculi).

• Bllokojnë daljen e urinës jashtë veshkës.

• Nuk mundet të thyhen nga litotripsi e jashtme me presion valësh (ESWL).

• Gurët që formohen në pjesën e poshtme të bashkimit të veshkës me kanalin urinar (kaliks), për shkak të vendosjes anatomike dhe gravitetit, mund të trajtohen nëpërmjet kirurgjisë perkutane edhe kur janë më të vegjël se 2 cm.

Ushqimet që rekomandohen tek pacientët me gurë në veshka

Perimet dhe frutat e shtojnë sekretimin urinar të gurëve. Konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë oksalati (spinaq, panxhar, arra) duhet të jetë minimal ose të kombinohet me ushqime të tjera që kanë sasi të mëdha kalciumi (psh, spinaq me djathë), që parandalon përthithjen e sasive të mëdha të oksalatinës nga zorrët, gjë që do të çonte në rritjen e sekretimit urinar.

Një sasi e tepërt e konsumit të proteinave nga mishi dhe peshku, rrisin rrezikun e gurëve në veshka, pra, konsumi i këtyre ushqimeve duhet pakësuar. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i një sasie të reduktuar të kripës, duke qenë se sodiumi që gjendet në kripën e zakonshme mund të rrisë rrezikun e formimit të gurëve në veshka. Nga ana tjetër, një reduktim total i kripës çon në rënien e volumit urinar. Kështu, rekomandohet konsumimi i një sasie të kontrolluar kripe.