Pagesa e papunësisë, kushtet për përfitim

Ekskluzive/ Intervistë me Neshat Zenelin, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Punësimit në SHKP 

Kriteret që duhet të përmbushin të papunët për t’u përfshirë në skemën e asistencës sociale. Procedura e re që punëkërkuesit të përfshihen në tregun e punës. Ofertat nga bizneset dhe sektorët që kërkojnë më shumë të papunë 

Të gjithë personat që dalin nga tregu i punës, për shkak të mbylljes së ndërmarrjeve apo falimentimit të bizneseve, mund të përfitojnë pagesë papunësie – në rast se ata kanë derdhur kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, Neshat Zeneli, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Punësimit pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, i cili thotë, më tej, se analizat flasin për një numër përfituesish ndërmjet 9 ose 10 mijë. Gjithashtu, në këtë intervistë, Zeneli shprehet edhe mbi numrin e personave të papunë që janë regjistruar pranë zyrave të punësimit dhe që janë integruar në tregun e punës, pas regjistrimit të kryer. “Nëse do të analizonim pjesën se sa janë ndërmjetësuar dhe sektorët më dominues ku janë ndërmjetësuar personat gjatë 2011-ës, nga pikëpamja rajonale, vendin e parë e zë Tirana, me 2525 punësime ose 20 për qind e totalit, Durrësi me 1998 punësime ose 15.6 për qind e totalit, Fieri, me 1468 punësime ose 11.5 për qind e totalit dhe kështu me radhë, Vlora dhe Korça”,- thotë Zeneli. Ndërsa në lidhje me ofertat e punësimit, ai shprehet: “Gjatë vitit 2011, nëpërmjet sistemit të zyrave të punësimit, janë grumbulluar 16 mijë e 74 oferta pune. Po të bëjmë një analizë më të detajuar, vendin e parë e zë rajoni i Tiranës, me 4353 oferta ose 27 për qind të totalit, rajoni i Durrësit me 3082 oferta pune ose 19 për qind të totalit, rajoni i Fierit, me 1441 oferta ose 9 për qind të totalit, rajoni i Vlorës, me 1966 ose 10.5 për qind të totalit, rajoni i Korçës, me 1354 oferta ose 8.5 për qind e totalit e kështu me radhë”,- thotë Neshat Zeneli, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Punësimit në SHKP. Ja se si është shprehur ai në këtë intervistë.

– Zoti Zeneli, cili është numri i personave punëkërkues të papunë, të regjistruar pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit për vitin 2011?

Në fund të vitit 2011, pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit rezultojnë të regjistruar 143 mijë punëkërkues të papunë, të cilët, ndarë në grupe kryesore të papunësisë, mund t’i kategorizonim si më poshtë:

– Punëkërkues të papunë, në pagesë papunësie rezultojnë të jenë 6.5 për qind e totalit;

– Punëkërkues të papunë, në Ndihmë Ekonomike janë 57.8 për qind e totalit;

– Punëkërkues të papunë të tjerë janë 35.6 për qind e totalit;

Natyrisht, nëse do të bënim një analizë më të detajuar, këto grupe mund t’i ndanim edhe në nënkategori, si për shembull: punëkërkues të papunë afatgjatë – janë personat që kanë më shumë se një vit të regjistruar në zyrën e punësimit dhe që zënë 62.2 për qind e totalit; punëkërkues të papunë në komunitetin rom apo egjiptian, që përbëjnë 5.3 për qind të totalit; punëkërkues të papunë jetimë, me 0.16 për qind e totalit; punëkërkues të papunë me aftësi të kufizuar, 1.7 për qind të totalit dhe në radhët e emigrantëve të kthyer, 0.7 për qind të totalit.

– Cili është niveli i shpërndarjes së papunësisë, sipas grupmoshave dhe cila kategori përbën problem për t’u integruar në tregun e punës?

 

Nëse do t’i vlerësonim sipas grupmoshave punëkërkuesit e papunë, shifrës prej 143 mijë personash të regjistruar, 15.6 për qind e tyre i përkasin grupmoshës deri në 25 vjeç (kategoria e të rinjve), 22.9 për qind i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç, 26.7 për qind janë të grupmoshës 35-45 vjeç dhe 34.6 për qind janë të grupmoshës mbi 45 vjeç. Për kategorinë e fundit kërkohet një ndërhyrje e shpejtë, pasi, siç tregohet edhe nga shifrat, përbën përqindjen më të madhe të papunësisë. Përveç ndarjes sipas grupmoshave, mund të bëjmë një ndarje tjetër sipas nivelit arsimor. Veçori është se 54.6 për qind të punëkërkuesve janë me arsim deri në 9-vjeçar, që kanë mbaruar arsimin 8-vjeçar apo 9-vjeçar, 28.8 për qind janë me arsim të mesëm profesional, 12.7 për qind janë me arsim të mesëm të përgjithshëm dhe 3.7 për qind janë me arsim të lartë, të cilët afrohen pranë Zyrave të Punësimit për të gjetur një vend pune. Po të bëjmë një krahasim me vitin 2010, niveli i papunësisë është pothuajse i barabartë, pavarësisht se e shprehur në përqindje, papunësia është ulur. Po të analizojmë grupmoshat e ndryshme, mund të themi se niveli i papunësisë ka pësuar një rënie të ulët, për grupmoshën deri në 25 vjeç, ndërkohë që më problematik është grupi mbi 25 vjeç, një kategori e cila kërkon mbështetje për t’u integruar në tregun e punës. Nëse do ta fokusojmë analizën sipas profesioneve (ne përdorim standardet e ILO-s ose listën kombëtare të profesioneve), punëkërkuesit e papunë mund t’i kategorizonim si më poshtë:

– 51.4 për qind janë punëkërkues të profesioneve elementare;

– 18.8 për qind janë punëkërkues të papunë për profesionet zejtarë dhe zanatçinj;

– 7.3 për qind u përkasin punëkërkuesve të papunë me profesion punonjës të industrisë;

– 6.1 për qind janë punëkërkues të papunë me profesionin shitës dhe në shërbime personale;

– 5.2 për qind me profesion punonjës të kualifikuar dhe peshkimit dhe 4.4 për qind janë teknikë dhe specialistë të mesëm;

– 3.6 për qind janë specialistë me arsim të lartë;

– 1.8 për qind e punëkërkuesve të regjistruar janë nëpunës;

– 0.9 për qind janë punonjës që më parë kanë punuar me Forcat e Armatosura.

Kjo është një analizë e sistemit, nisur nga pikëpamja e numrit të personave të regjistruar pranë zyrave të punësimit.

– Cilat janë ofertat e punës që paraqesin bizneset në të gjitha rajonet?

Natyrisht, personat që regjistrohen pranë Zyrave të Punësimit, nisen me qëllim që jo vetëm të regjistrohen për dokumentacion sipas dispozitave ligjore në fuqi, por edhe të gjejnë një vend pune. Misioni kryesor i Zyrës së Punës është që t’i ndihmojnë punëkërkuesit e papunë të gjejnë një vend pune. Për të plotësuar panoramën, përveç projekteve që kanë të bëjnë me regjistrimin e punëkërkuesve të papunë, misioni ynë kryesor është që t’i asistojmë ata për të gjetur një punë. Për t’iu ardhur në ndihmë atyre, mbështetur edhe në dispozitat ligjore që zbatojmë, së pari, ne kemi detyrimin të marrim informacione mbi vendet e lira të punës që janë në tregun e punës. Së dyti, duhet t’i këshillojmë dhe t’i orientojmë personat drejt punësimit. Për pasojë, duhet të realizojmë ndërmjetësimet përkatëse pranë bizneseve. Gjatë vitit 2011, nëpërmjet sistemit të Zyrave të Punësimit janë grumbulluar 16 mijë e 74 oferta pune, nga të cilat edhe në fushën tonë të aktivitetit, peshën më të madhe e zënë rajonet e Tiranës, rajoni i Durrësit, i Fierit, Vlorës dhe Korçës. Pastaj, në një nivel më të ulët, janë rajoni i Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës dhe Beratit. Po të bëjmë një analizë më të detajuar, vendin e parë e zë rajoni i Tiranës, me 4353 oferta, ose 27 për qind të totalit, rajoni i Durrësit, me 3082 oferta pune ose 19 për qind të totalit, Rajoni i Fierit, me 1441 oferta ose 9 për qind të totalit, rajoni i Vlorës me 1966 ose 10.5 për qind të totalit, rajoni i Korçës, me 1354 oferta ose 8.5 për qind e totalit e kështu me radhë.

– A mund të na thoni se cili është niveli i punësimit dhe sektorët ku janë kryer më shumë punësime?

Nëse do të analizonim pjesën tjetër se sa janë ndërmjetësuar dhe sektorët më dominues se ku janë ndërmjetësuar personat gjatë 2011-ës, nga pikëpamja rajonale, vendin e parë e zë Tirana, me 2525 punësime ose 20 për qind e totalit, Durrësi, me 1998 punësime ose 15.6 për qind e totalit, Fieri, me 1468 punësime ose 11.5 për qind e totalit dhe kështu me radhë, Vlora dhe Korça. Përveç analizës në nivel rajonal, e rëndësishme për t’u analizuar është se cilët janë sektorët ku njerëzit kanë gjetur më shumë vende pune gjatë vitit 2011. Pra, 5 sektorët dominues janë industria përpunuese me 4757 punësime dhe këtu mund të bëjmë një nënndarje, ku 1546 janë në industrinë e tekstileve dhe veshjeve, 1430 persona janë punësuar në industrinë e lëkurës dhe këpucëve, 1405 në industrinë e përpunimit të ushqimeve e kështu me radhë. Sektori i dytë dominues ka qenë sektori i ndërtimit me 2033 punësime. Sektori i tretë që ka marrë zhvillim kohët e fundit është fusha e komunikimit dhe informimit, me 1450 punësime, fusha e shërbimeve të tjera, me 1143 persona dhe sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, me rreth 1000 të punësuar. Kështu, këta janë sektorët më dominues ku janë realizuar më shumë punësime gjatë vitit të kaluar.

– Le të flasim për numrin e personave që kanë përfituar pagesë papunësie gjatë vitit të kaluar. A mund të na përshkruani nëse ka pasur një ulje apo një rritje të numrit të përfituesve, nisur nga kërkesat?

Pagesa e papunësisë është program tjetër, që zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Nëse pjesa e parë kishte të bënte me punësimet dhe është një politikë aktive, pagesa e papunësisë është një politikë mbështetëse. Ajo zbatohet për personat që kanë humbur vendin e punës, jo me dëshirën e tyre, por ngaqë kanë dalë të papunë. Kështu, personat që dalin nga tregu i punës, duhet të kenë derdhur kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, minimalisht për 12 muaj. Për pasojë, në momentin kur këta persona dalin të papunë, orientohen brenda 60 ditëve në Zyrat e Punësimit, në mënyrë që të përfitojnë nga skema e pagesës së papunësisë. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2011, kanë përfituar pagesë papunësie në total 9 397 persona. Natyrisht, fondi i alokuar për vitin e kaluar ka qenë pak më i madh, për shkak të efektit të krizës, pasi daljet nga puna dhe rritja e numrit të të papunëve llogaritej me shifra më të larta. Situata ka qenë e balancuar, pothuajse në të njëjtat nivele, megjithatë kjo varion me periudha tremujore. Ka momente kur mendohet dhe shikohet një fluks më i madh. Po të shikosh me tej, analizat flasin për një numër ndërmjet 9 ose 10 mijë përfituesish, të cilët kanë dalë në pagesë papunësie.

Në momente të caktuara, ka sektorë që dominojmë. Aktualisht, mund të ketë shkurtime në disa sektorë që i përkasin pushtetit lokal ose në disa institucione të tjera. Megjithatë, edhe në të ardhmen, ne mendojmë që përfituesit të jenë në shifrat e sipërpërmendura. Edhe për këtë vit, buxheti parashikon të përfshijë në skemën e pagesës së papunësisë një numër të tillë personash. Në momentin që personat dalin të papunë, përfshirja në skemë është një mundësi e garantuar nga pikëpamja ligjore. Më pas, fillon variacioni nëpërmjet rajoneve. Ka rajone që kanë një peshë më të madhe, duke përfshirë këtu Tiranën, e cila ka numrin më të madh të personave që trajtohen me pagesë papunësie, ndërsa në nivel të dytë është rajoni i Shkodrës, Kukësit, Elbasanit, që kanë një numër relativisht të madh me mbi 1000 persona që marrin pagesë papunësie.

 

 

 

Comments are closed.