Partia Socialiste, mbledh Këshillin e të Urtëve

Partia Socialiste ka mbledhur sot Këshillin e të Urtëve, një strukturë që përbëhet nga emra të njohur prej vitesh në partinë opozitare. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të të Urtëve marrin pjesë Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani, Ylli Bufi si dhe përfaqësues të tjerë të PS-së, ndërsa pritet të diskutohet për situatën politike në vend dhe hapat e ndërmarra nga opozita. Këshilli Politik i të Urtëve konsiderohet si një strukturë, e cila nuk do të ketë një pozicion thjesht honorifik, por do te jetë në rolin e këshilluesit për PS-në dhe opozitën në tërësi. Ky Këshill do të kontribuojë jo vetëm në programin e opozitës, por edhe përsa i takon lëvizjeve të saj politike. Këshilli i të Urtëve morri jetë në mbledhjen e Asambesë së Partisë Socialiste si një strukturë e re brenda PS. “Këshilli politik i partisë, ajo që hera-herës është kërkuar si një këshill të urtësh, ky këshill duhet të institucionalizohet dhe të mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë dhe të tjerë përfaqësues të partisë sipas rastit dhe nevojës”, ka deklaruar më herët Rama.