PDIU reagon ndaj debatit për problemin e toponimeve në pasaportat shqiptare

“Qendrimi zyrtar i sotshëm i shprehur në Kuvend nga disa deputetë për çështjen e problemit të toponimeve në dokumentet shtetërore shqiptare në raport me shtetin grek, është i papranueshëm dhe një sinjal i keq për tërheqje nga kërkesat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë”, thekson në një deklaratë për mediat PDIU.  Sipas kësaj force politike, çështja e toponimeve është kthyer në çështje politike nga shteti grek, si hakmarrje ndaj ngritjes së çështjes çame në raportet shqiptaro-greke, dhe si pasojë duhen gjetur rrugë zgjidhjeje në bazë të konventave ndërkombëtare dhe jo me tërheqje përballë orekseve të pavendta të shtetit grek. ”Dëshirojmë të bëjmë me dije deputetëve në fjalë, që me sa duket kanë harruar kujt i shërben nën presionin e PBDNJ-së së Vangjel Dules dhe të lëvizjeve të reja antishqiptare që nën pretekstin e zgjidhjes së çështjes çame janë bashkuar me ta në koalicion, se çështja e toponimive në fakt nuk ekziston.Nuk duhet harruar se kur shteti grek filloi të kthejë shqiptarët e Çamërisë në kufi, fakt që opozita faktkeqësisht e ka harruar tashmë dhe nuk e ka përmendur asnjëherë deri më sot, arsyetimi i palës greke ishte se këta ishin “persona non grata”. Vetëm pasi mori përmasa një fenomen i tillë dhe arriti në atë pikë sa 8 në 10 persona të kthyer ishin “persona non grata” çka solli reagim ndërkombëtar, Greqia gjeti pretekstin e toponimive në gjuhë shqipe për qytete greke”, thuhet në deklaratë. PDIU nënvizon se , i vetmi autoritet që ka të drejtën e vlerësimit të vlefshmërisë apo jo të një dokumenti udhëtimi është autoriteti lëshues, në këtë rast, shteti shqiptar e përkatësisht Ministria e Brendshme; pala pritëse ka të drejtë vetëm të vlerësojë nëse personi mbajtës i dokumentit është i njëjtë me personin e identifikuar në dokument. Më tej, PDIU shton se, toponimet kanë një veçori që mund të jenë me terma të ndryshëm edhe brenda vetë një shteti, e jo më ndërmjet kombeve të ndryshme dhe se mashtrimi publik se Greqia paska institucionalizuar toponimet e saj në OKB, është hedhur tashmë poshtë, prej demantimit të kryer prej një grupi ekspertësh pranë PDIU-së.