PDIU reagon për qëndrimet e kreut të PBDNJ: Dule provokator, që synon të ngjallë urrejtjen

PDIU ka reaguar sot në lidhje me qëndrimet e kreut të PBDNJ-it Vangjel Dule i cili ka deklaruar se Çamëria s`ka ekzistuar. Në një deklaratë për shtyp kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi thekson se Dule gjendet në panik nga mbështetja që kjo forcë politike. Duke e cilësuar kreun e PBDNJ-it si provokator që synon të ngjallë urrejtjen, Idrizi thekson se ai nuk përfaqëson asgjë, as edhe minoritarët. “I gjendur pa shumë hapësirë manovruese politike, me një numër votash gjithmonë e në tkurrje, u shfaq në një televizion provokatori përsëritës Vangjel Dule. Ky njeri është në panik nga mbështetja elektorale që mori kudo nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim, PDIU, partia jonë që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë dhe ka ditur ta shndërrojë çështjen çame në çështje të të gjithë shqiptarëve. Ky njeri është provokator përsëritës, që synon të ngjallë zemërim, urrejtje, fërkime midis pjesëve të ndryshme të popullsisë shqiptare. Çdo dalje e tij në ekran, si shpalosës i tezave të egra, fyese për popullin shqiptar të Çamërisë dhe shqiptarët në përgjithësi, irriton”, ka theksuar Idrizi. Ndër të tjera kreu i PDIU-së, ka shtuar se Dule të marrë leksione historie, edhe shteti grek e njeh ekzistencën e Çamërisë, përpara se të fliste për të. “Nëse do ta bënte, do të dinte mjaft mirë se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Ndërkaq, termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, e thonë edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij” ka shtuar më tej Idrizi.

 

Comments are closed.