Pensionet familjare, kushtet e përfitimit

Speciale/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kategoritë që ligjërohen për marrjen e pagesës

Rastet kur një pjesë e pagesës ndërpritet, duke zvogëluar përfitimin. Dosja e plotë e dokumenteve që duhet të dorëzoni. Masa e pensionit që u jepet individëve dhe fëmijëve në ngarkim

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon procedurën e përfitimit të pensionit familjar. Ky lloj pensioni përfitohet nga ato familje, kur kryefamiljari humb gruan e tij dhe është i paaftë për punë, si dhe kur gruaja humb bashkëshortin dhe është e paaftë ose ka mbushur moshën 50 vjeç. Përfitimi i këtij pensioni ligjërohet edhe në rastet kur burri ose gruaja (i, e ve) ka në ngarkim fëmijët. Shpërndarja e kësaj pagese përcaktohet në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, udhëzimin nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005, “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar e pagës neto, për efekt pensioni“ dhe rregulloren nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009, “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”. Sipas ekspertëve të sigurimeve shoqërore, këtë lloj pensioni e përfitojnë:

a) E veja, kur është:

– Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;

– E paaftë për punë;

– Ka mbushur moshën 50 vjeç.

b) Burri i ve, kur është:

– Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;

– I paaftë për punë;

– Ka mbushur moshën 60 vjeç.

c) Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë;

d) Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë;

e) Nipërit dhe mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast, ata trajtohen si jetimë;

f) E/i veja humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.

Dokumentacioni

Kërkesa për përfitimin e pensionit familjar, bashkë me dokumentet e nevojshme, paraqitet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile. Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për pension familjar janë si më poshtë:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

– Certifikatë e gjendjes familjare;

– Certifikatë vdekjeje e të ndjerit/të ndjerës (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes);

– Fotokopje e letrës së njoftimit elektronik për kërkuesin ose përfituesit e tjerë.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

– Libreza e punës;

– Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;

– Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM-së;

– Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);

– Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;

– Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);

– Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;

– Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

c) Për personat që përfitojnë nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve Politikë” duhen edhe:

– Vërtetim i gjendjes gjyqësore;

– Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;

– Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;

– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

d) Dokumentet që vërtetojnë të qenit në ngarkim të të ndjerit/ndjerës:

Krahas dokumenteve të përcaktuara më lart, duhet të dorëzohen dhe dokumentet e mëposhtme:

– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar;

– Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune;

– Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një i/e ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit;

– Vërtetim për personin e ve, që është kërkues për punë;

– Procesverbal, që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendimi i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale;

– Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur, jo më pak se një vit para vdekjes;

– Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 01.04.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;

– Vërtetim nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit, në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit. Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar);

– Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës.

 

e) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

– Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit, që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);

– Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.

Masa e përfitimit

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit.

a) Personi i ve, merr 50 për qind të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndieri, kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 për qind, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind, masën e tij;

b) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;

c) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;

d) Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes;

e) Jetimi merr pension familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast, masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij;

f) Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre;

g) Kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile duke i bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar.

Rastet kur një pjesë e pensionit ndërpritet

Detajohen rastet kur një pjesë e përfitimeve të pensionit familjar ndërpritet. Kështu, të interesuarit në shumë raste kërkojnë të dinë arsyen e ndërprerjes së përfitimeve. Në faqen zyrtare të ISSH-së, një lexuese shkruan se është përfituese e pensionit familjar, ngaqë bashkëshorti i saj nuk jetonte më dhe se pjesëtar në pension kishte edhe djalin, i cili ka mbaruar shkollën e mesme dhe tani është pa punë. Më tej, ajo shprehet se ka disa muaj që pagesa e pensionit familjar është zvogëluar dhe kërkon të dijë nëse kjo gjë është e mbështetur ligjërisht. Nga ana e tyre, specialistët e ISSH-së thonë “Pensioni familjar për ju dhe djalin tuaj është dhënë në mbështetje të nenit 40, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në pikën 2/c të këtij neni, është përcaktuar se pension familjar përfiton jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme. Meqenëse pas mbarimit të shkollës së mesme, djali juaj nuk ka vazhduar studimet e larta, pjesa e pensionit familjar që i takonte atij (25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit), është ndërprerë”,- përfundojnë ekspertët.

OSMAN DEDJA

Comments are closed.