Pensionet, ja si mund të merren në shtëpi

Aktualisht, e përfitojnë këtë shërbim 156 mijë pensionistë ose 30 për qind e tyre

Me qëllim krijimin e lehtësirave për pagesën e pensioneve, Posta Shqiptare ofron edhe shërbimin e shpërndarjes së pensioneve në banesë. Tarifa e këtij shërbimi është vetëm 50 lekë. Për të mundësuar këtë shërbim, mjafton që pensionisti të plotësojë formularin e kërkesës që ndodhet në zyrën postare, i cili përmban gjeneralitetet e pensionistit, adresën e saktë të vendbanimit ku do t’i dërgohet pensioni dhe mundësisht një numër kontakti. Aktualisht, 156 mijë pensionistë ose 30 për qind e pensionistëve e gëzojnë këtë komoditet. Posta Shqiptare është e gatshme të realizojë ndarjen e pensioneve në banesat e pensionistëve, ndaj mirëpret paraqitjen e tyre në sportelet e Postës për të bërë regjistrimin dhe për të filluar procedurat lehtësuese. Posta Shqiptare është e ndërgjegjshme se nisma e re, me rregulla të reja në ndarjen e pensioneve, ka edhe vështirësi për t’u zbatuar, ndaj kërkon mirëkuptim e pensionistëve dhe premtojnë se do të jetë gjithmonë pranë tyre. Posta Shqiptare, duke respektuar kontributin dhe mundin e pensionistëve, e vlerëson si detyrim ndaj publikut dhe medias transparencën, në lidhje me shfaqjen e radhëve të gjata, të krijuara ditët e fundit në sportelet e zyrave të pensioneve në Filialin e Tiranës. Edhe njëherë, Posta Shqiptare sqaron se duke u nisur edhe nga vërejtjet dhe sugjerimet e pensionistëve, ka filluar një procedurë dhe organizim i ri të shërbimit të pagesës së pensioneve, i cili konsiston; së pari, për të respektuar personalitetin e çdo pensionisti. Si në të gjithë botën, janë hartuar grafikët e ndarjes së pensioneve, sipas të cilit çdo pensionist do të ketë datën e tij të përcaktuar e të mos presë në radhë për të marrë pensionin e tij. Së dyti, në çdo zyrë Posta Shqiptare ka tashmë të afishuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm me modelin e ri të shpërndarjes së pensioneve, sipas të cilit pensionistët do të kenë në dorë një dokument zyrtar për masën e pensionit të paguar. Kjo nuk do të lejojë që njerëz të pandërgjegjshëm të abuzojnë me të ardhurat e pensionistëve. Së treti, pensionisti duhet të jetë i qartë për të gjithë procedurën e re. Ky proces i nisur në fillim të muajit mars, do të përfundojë me informatizimin e plotë të shërbimit të pagesës së pensioneve.

Comments are closed.