Pensionet, procedura për shpërndarjen. Hartohen grafikët dhe datat për të shmangur radhët e gjata

Vërejtjet dhe sugjerimet e pensionistëve, shërbim i ri për pagesat

Posta Shqiptare harton grafikët e rinj me datën dhe orën për shpërndarjen e pensioneve. Së shpejti, shpërndarje në banesa, rregullat që duhet të ndjekin pensionistët për regjistrim

“Posta Shqiptare, duke respektuar kontributin dhe mundin e pensionistëve, e vlerëson si detyrim ndaj publikut dhe medias, transparencën në lidhje me shfaqjen e radhëve të gjata, të krijuara ditët e fundit, në sportelet e zyrave të pensioneve në Filialin e Tiranës”. Kështu është shprehur në një deklaratë për mediat, kreu i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, i cili shprehet se, duke u nisur edhe nga vërejtjet dhe sugjerimet e pensionistëve, ka filluar një procedurë dhe organizim të ri i shërbimit të pagesës së pensioneve. “Së pari, për të respektuar personalitetin e çdo pensionisti, si në të gjithë botën, kemi hartuar grafikët e ndarjes së pensioneve, sipas të cilave çdo pensionist do të ketë datën dhe orën e tij të përcaktuar e të mos presë në radhë për të marrë pensionin e tij. Së dyti, në çdo zyrë, Posta Shqiptare ka tashmë të afishuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm me modelin e ri të shpërndarjes së pensioneve, sipas të cilit pensionistët do të kenë në dorë një dokument zyrtar për masën e pensionit të paguar. Kjo nuk do të lejojë që njerëz të pandërgjegjshëm të abuzojnë me të ardhurat e pensionistëve. Së treti, pensionisti duhet të jetë i qartë për të gjithë procedurën, pasi dokumentacioni, rregulloret, vendimet për ndryshimet e përfitimet e masës së pensioneve janë të afishuara në stendat e të gjitha pikave për ndarjen e pensioneve. Ky proces i nisur në fillim të muajit mars, do të përfundojë me informatizimin e plotë të shërbimit të pagesës së pensioneve. Së katërti, Posta Shqiptare është e gatshme të realizojë ndarjen e pensioneve në banesat e pensionistëve, ndaj mirëpret paraqitjen e tyre në sportelet e Postës për të bërë regjistrimin dhe për të filluar procedurat lehtësuese”,- u shpreh kreu i Postës, Arqile Gorea. Tashmë, rreth 156.000 e pensionistëve ose rreth 30 për qind e numrit të tyre, e marrin pensionin në banesat ku ata jetojnë, nëpërmjet Postës Shqiptare. Sipas Postës Shqiptare, kjo reformë e re, me rregulla të reja në ndarjen e pensioneve, ka edhe vështirësi për t’u zbatuar, ndaj përfaqësuesit më të lartë të këtij institucioni kërkojnë mirëkuptimin e pensionistëve dhe premtojnë se do të jenë gjithmonë pranë tyre.

Comments are closed.