Përballë sfidave për ndryshim

Shoqëria shqiptare ndodhet në një proces intensiv ndryshimi, i cili, krahas të tjerave,  po karakterizohet nga shumëllojshmëria e mënyrave të jetesës. Kjo dukuri po ndodh jo vetëm në mes shtresave të ndryshme shqiptare, mes banorëve të një qyteti të madh ose të vogël, por edhe brenda komunave apo rajonit. Akoma më tej, nxënësit e të njëjtës klasë vijnë nga mjedise shoqërorë dhe eksperienca kulturore të ndryshme. Nga prindër me mentalitete dhe vizione të ndryshme për jetën, për të sotmen dhe të ardhmen. Kështu që, ndryshimet që në thelb janë të natyrshme, sepse është vetë jeta që ecën përpara, jo gjithmonë kuptohen dhe interpretohen si duhet, jo gjithmonë njerëzit i përkrahin ose pajtohen me to.

Le ta shohim problemin më hollësishëm në shkollë. Metoda e mësimdhënies e fokusuar në rrugë të njëtrajtshme, nuk është e suksesshme. Mjedisi shoqëror, ku jetojnë nxënësit tanë po pëson ndryshime serioze dhe të natyrshme, ndërkohë që, familja, si qeliza kryesore e shoqërisë po i nënshtrohet edhe ajo një transformimi të vazhdueshëm social – ekonomik, me një mentalitet krejt ndryshe në qëndrimet ndaj punës, shkollimit dhe vetë jetës. Numri i anëtarëve të familjes  po bie. Numri i fëmijëve që jetojnë vetëm me një prind është në rritje. Numri i fëmijëve që rriten me një prind, që nuk është babai ose nëna biologjike, është shtuar në këto dhjetë vitet e fundit. Njerëzit e gjeneratave të ndryshme si, gjyshërit apo të afërm të tjerë po jetojnë radhë në të njëjtën shtëpi.

Këtyre kushteve të reja të jetesës shkolla duhet t`u përgjigjet me një rol dhe qëndrim të ri. Askush më shumë se shkolla nuk ka mundësi të formojë grupin, të rrisë tek fëmijët ndjenjën e përgjegjësisë dhe t’i motivojë ata për të mos u dekurajuar para të papriturave. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë tre grupet më të mëdha shoqërore që  veprojnë në procesin e të nxënit në shkollë.

Demokratizimi i marrëdhënieve mes këtyre grupeve është një hap i madh drejt demokratizimit të shoqërisë në tërësi. Marrëdhëniet reciproke midis nxënësve në klasë, duhet shfrytëzuar si faktor i rëndësishëm zhvillues. Tradicionalisht nxënësit në shkollë janë parë në këndvështrime uniforme dhe të kufizimit të lirisë së individit, të mbylljes dhe rrafshimit të personalitetit të tyre.

Prandaj dhe domosdoshmëria është që, transformimeve demokratike të shoqërisë shqiptare, shkolla duhet t`u përgjigjet me organizim të ri të strukturave sociale, i cili duhet të mbështetet në lidhjet aktive në mes nxënësve dhe të krijojë  mundësi të mëdha për rritjen e efektivitetit të procesit të mësimdhënies e mësim nxënies në shkollë. Bota reale kërkon bashkëpunim dhe angazhim kolektiv në zgjidhjen e problemeve. Nëpërmjet  bashkëveprimit nxënësit aftësohen të kontrollojnë sjelljen, arsyen dhe qëndrimet e tyre. Në grup ata gjejnë shembujt e veprimtarive të suksesshme dhe modelet më të mirë, për t’u imituar, ndërkohë që, ndërveprimet shoqërore janë faktorë kyç në  formimin e personalitetit. Klasa nuk duhet  konsiderohet si vend, ku nxënësit vijnë vetëm për të mësuar, por si një strukturë shoqërore ku zhvillohen ndërveprime e komunikime të rëndësishme në funksion të transformimeve shoqërore. Shkolla të frymëzohet dhe bazohet në parimet që janë në themel të shoqërive demokratike.

Realiteti tregon se, organizimi i marrëdhënieve midis nxënësve në shkollë   nuk shkon gjithmonë në harmoni e koherencë. Në komunikim shpesh paraqiten probleme. Në këtë kontekst shkolla përbën  një qendër të rëndësishme, ku nxënësit duhet të aftësohen në trajtimin e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Kjo përbën  një sfidë të rëndësishme për shoqërinë tonë në ndryshim. Të rinjtë tanë po  adaptojnë një mënyrë jetese të ndryshme nga ajo e prindërve të tyre, çfarë  shpie ndonjëherë në kundërshti dhe konflikte të ashpra mes prindërve e fëmijëve. Natyrisht që demokratizimi i këtyre marrëdhënieve është jetik për shoqërinë  e sotme shqiptare. Shkolla si institucion i specializuar duhet të luajë një rol parësorë e të drejtpërdrejtë ndërmjetësimi dhe edukimi në këtë drejtim. Përballë këtyre sfidave, rruga e vetme është ajo e demokratizimit të vazhdueshëm. Askush  që  është  i interesuar për rritjen e cilësisë së arsimimit,  nuk duhet të qëndrojë indiferent, por të mbizotërojë bindja se,  gjithkush ka mundësitë që të kontribuojë në mbarëvajtjen e punës në shkollë. Sa më shumë të futemi në vorbullën e punëve të saj,  aq me tepër do të  aftësohemi për ta ndihmuar atë. Për këto lidhje dhe ndërveprime nuk bëhen me urdhra, me ankesa, e as me lutje. Kërkohet një strategji e qartë, një komunikim i sinqertë   dhe  argumentues për të rritur gradualisht besimin e njëri – tjetrit. Koncepti  i trashëguar i kufijve mes shkollës dhe komunitetit prindëror duhet të shuhet. Besimi dhe përgjegjësia   janë vlerat që duhet të qëndrojnë më lart se gjithçka. Ndryshimet demokratike në shkollë synojnë që t’i japin  fund izolimit të shkollës nga jeta në punë , nga jeta në familje , nga jeta në kohën e lirë , nga jeta në politikë etj. Komuniteti duhet të shqyrtojë me   kriticizëm programet dhe aktivitetet që zhvillon shkolla dhe, kjo, arrihet nëpërmjet një bashkëveprimi dhe reciprociteti mes tyre. Shkollat të kërkojnë gjithnjë mendimin e komunitetit për përmirësime dhe ta konsiderojnë këtë marrëdhënie të re si një domosdoshmëri për zhvillim dhe ecjen përpara të punëve në shkollë.

 Një  studiuesi njohur shprehet:”Profesionistët japin llogari jo vetëm para nxënësve të tyre dhe kolegëve, por edhe përpara komunitetit ku ata shërbejnë. Por profesionalizmi që unë kam parasysh dhe për të cilin aspiron një numër gjithnjë e më i madh mësuesish nënkupton  shumë më tepër se kaq. Këta profesionist vlerësojnë çfarë ata bëjnë kundrejt standardeve kritike që i kanë vendosur ata vetë, ata kërkojnë  të  metat në ecurinë e punës…  ata eksperimentojnë, ata reflektojnë, ata angazhohen në  bashkëbisedime bindëse me klientët , për mbështetjen dhe aprovimin e të cilëve kanë nevojë. Ky është një reagim i profesionalizmit i bazuar në komunitet “.Kushtet  e reja të jetesës dhe roli i ri e menaxhues i shkollës forcon marrëdhëniet  me komunitetin prindëror.Shoqëria shqiptare ndodhet në një proces intensive ndryshimi, i cili po konkretizohet nga shumëllojshmëria e mënyrave të jetesës. Kjo po ndodh jo vetëm mes shtresave të ndryshme shoqërore;  mes banorëve të një qyteti të madh apo të vogël, por edhe brenda komunave apo rajonit. Akoma më tej,  nxënësit e të njëjtës klasë kanë ardhur nga mjedise shoqërore dhe eksperienca kulturore të ndryshme. Në këto rrethana metodat e mësimdhënies  e mësim nxënies të bazuara në trajtimin e njëtrajtshëm nuk janë të suksesshme. Mjedisi shoqërore ku jetojnë nxënësit ka pësuar tashmë ndryshime serioze. Familja si qeliza kryesore e shoqërisë po i nënshtrohet një transformimi të pandërprerë. Natyrshëm ndihet një merak  i pandërprerë i prindërve në shoqërinë shqiptare, për të krijuar në gjirin e tyre të familjes, fëmijë të mbarë,  të guximshëm, punëtorë , konkurrues , të edukuar, human. Ka një përpjekje të familjeve dhe prindërve për t’u krijuar fëmijëve kushte sa më optimale për  edukimin dhe kulturimin e tyre. Lëvizjet e mëdha  migruese  që ndodhen dhe patën intensitet në këto 22 vjet  çuan nëpër rajone të vendit një përzierje kulturash. Të gjitha këto ndryshime kërkohej të bëheshin objekt ndryshimi struktural në procesin mësimor dhe edukativ. Kjo ishte një arsye më tepër që e bënte të domosdoshme edhe thellimin e reformës arsimore. Ndryshimet shoqërore kërkonin një punë intensive për të identifikuar sfidat konkurrente në çdo rajon , në çdo komunë dhe në çdo shkollë në mënyrë që t`u përgjigjemi realisht atyre. Realizimi i këtij objektivi kërkon risi e forma të reja bashkëpunimi në mes shkollave, të administratës së pushtetit vendor. Autoritet administrative duhet të mbështesin  procesin e diferencimit dhe të individualizmit që  konstatohet  ne disa shkolla të vendit dhe njëkohësisht të ruajmë ekuilibrin shoqëror në mes zonave  me  diferenca social ekonomike,  në mënyrë  që shanset të jenë të sigurta për të gjithë. Reformat ,  që tani kanë marrë rrugën e konsolidimit në arsim duhet të qartësohen të gjithë mësues e drejtues  shkollash, e shoqëruar me  një filozofi   të  re    zhvillimi  kjo në reformim e sipër të tyre . Në këtë filozofi zë vend zgjerimi  i përshkallëzuar i autonomisë së shkollës, i cili padyshim do të sjellë lirinë e mësimdhënies dhe dobësim të burokracisë në fushën administrative. Natyrisht që rritja e shkallës së autonomisë së shkollave, kërkon shoqërimin edhe të një interesimi më të madh të grupeve të interesit. Praktika tregon se ky impenjim nuk bëhet me urdhër,por nxitet nga zgjerimi dhe provat e suksesshme që tregon në hapat a e saja të para edhe vetë autonomia  e shkollës. Shkolla të dijë mirë se fëmijët e  sotëm kanë nevojë për jetë intensive sociale, për pjesëmarrje në  vendimarrje, për bashkëpunim e ndërveprim me më të rriturit, për vlerësim të mundësive e kapaciteteve të tyre në kryerjen e detyrave të ngarkuara. Askush më shumë se shkolla nuk ka mundësi të formojë grupim, të  rrisë tek fëmijët ndjenjën e përgjegjësisë dhe t`i motivojë ata për të mos u dekurajuar para të papriturave. Nëse arrijmë në zbatimin e këtyre kërkesave  dhe i bëjmë ato pjesë të natyrshme të metodës sonë, atëherë rezultatet nuk do të ngurrojnë të vijnë.

Nga Fran Gjoka