“Perform Fest”, spektakli që përuron skenën e pallatit të kulturës Kamëz

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Mziu: Pallati, fryt i bashkisë, i mbështetjes së qeverisë

Në skenën e teatrit të pallatit të kulturës Kamëz nisi spektakli “Perform Fest”, që shënon gjithashtu edhe aktivitetin e parë që zhvillohet në këtë skenë. Është pikërisht kjo maratonë e këngës moderne për fëmijë, e cila ngre siparin e evenimenteve që qytetarët e Kamzës, por edhe të gjithë Shqipërisë, do të kenë mundësi të shohin në pallatin më modern të kulturës në vend. Me mbështetjen e bashkisë Kamëz e nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Xhelal Mziu, kjo skenë do të jetë mikpritësja e “Perform Fest” çdo të shtunë, për 10 javë rresht, deri në natën finale të edicionit të tretë të këtij spektakli.

Drejtuesja e festivalit, Evis Mula, e hapi atë duke theksuar se skena e teatrit të pallatit të kulturës Kamëz, për herë të parë ngre siparin duke prezantuar fëmijët më të talentuar të Shqipërisë. “Janë konkurrentët e edicionit të tretë të “Perform Fest”. Janë këta artistë të vegjël që sonte e prekin për herë të parë këtë skenë, këtë teatër, duke i dhënë bekimin e tyre engjëllor”, – është shprehur ajo. Fjalë dhe urime të ngrohta ka përcjellë edhe artistja e madhe Justina Aliaj, e nderuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”. “Jam tepër e lumtur edhe krenare njëkohësisht se kushedi, dikur, kjo skenë do të bëjë historinë. Kjo skenë e re, kjo skenë që ne inaugurojmë, e cila shpresojmë që do të jetë djepi që do të përkundë artistët e ardhshëm. E gëzofshi!”, – ka qenë urimi i artistes së madhe të skenës shqiptare. Ndërkaq, promovimin e kësaj skene të re e kanë përshëndetur edhe pjesëtarët e jurisë, artistët e mirënjohur Kastriot Tusha, Rovena Dilo dhe Mariza Ikonomi.

Në emër të të gjithë stafit të “Perform Fest”, drejtuesja e festivalit e ka falënderuar z. Mziu që i ka dhuruar këtë teatër këtij qyteti dhe këtyre artistëve. Me këtë rast, kryetari i bashkisë ka mbajtur një fjalë përshëndetëse me rastin e eventit të parë që zhvillohet në këtë pallat kulture. “Është një takim që hap siparin e këtij festivali, por edhe inaugurimin e këtij kompleksi të madh të kulturës, kështu që unë gjej rastin për të përshëndetur së pari ministrin e Arsimit dhe të Shkencës, z. Myqerem Tafaj, përshëndes drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, z. Petrit Beci, përshëndes të gjithë të ftuarit në këtë teatër, artistët e jurisë, por përshëndes të gjithë qytetarët dhe bashkëqytetarët e mi të Kamzës, por edhe të gjithë shikuesit e Televizionit Kombëtar Shqiptar. Mirë se erdhët në teatrin e qytetit të Kamzës!”, – ka qenë përshëndetja e z. Mziu. Më tej, ai ka vijuar: “Edicioni i tretë i festivalit “Perform Fest” më jep kënaqësinë që në emër të bashkisë, të komunitetit të Kamzës, në emrin tim personal, t’u uroj mirëseardhjen të gjithë artistëve të vegjël, miqve e të ftuarve që në kanë nderuar me ardhjen e tyre në qytetin tonë, Kamëz.

Më lejoni që një falënderim të posaçëm t’u përcjell organizatorëve, ideatorëve që mundësuan realizmin madhështor të këtij eventi në Kamëz, TVSH-në dhe drejtorin e tij, z. Beci,por edhe producenten dhe artisten Zana Çela!” Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Mziu ka theksuar se qyteti ka pasur një progres të madh në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, sportive, në rritjen e nivelit ekonomik, duke asfaltuar me dhjetëra km rrugë, duke ndërtuar me dhjetëra shkolla. “Por qyteti, – ka vijuar z. Mziu, – kishte nevojë edhe për të tjera aktivitete si ky i sotmi. Mbështetja progresive e këtyre veprimtarive është pjesë e politikave kulturore dhe e angazhimeve të vazhdueshme e serioze të bashkisë Kamëz në funksion të shndërrimit të qyteti tonë në një qytet me vlera kreative. Një ndër prioritetet kryesore të bashkisë Kamëz është fusha e zhvillimit të kulturës dhe këtë e vërteton investimi i këtij pallati të madh, gjigant, të kulturës, duke filluar nga teatri, nga salla e kinemasë, nga biblioteka, nga ekspozita apo mjaft salla të tjera konferencash, të cilat qytetarët e Kamzës, por jo vetëm ata, do të kenë mundësi për t’i shfrytëzuar dhe ky është një fryt jo vetëm i bashkisë, por sidomos i mbështetjes së qeverisë shqiptare, me në krye Kryeministrin, prof. dr. Sali Berisha.

Të nderuar të pranishëm, më lejoni që në emrin tuaj t’i uroj fillim të mbarë dhe sukses këtij festivali, “Perform Fest”, i cili po i shton bukurinë qytetit tonë. Pallati i kulturës dhe teatri është ndryshimi, përpara! Faleminderit dhe i uroj mbarësi kësaj maratone të këngës dhe këtyre fëmijëve të mrekullueshëm, të cilët janë me të vërtetë një ogur i mirë për teatrin, por edhe për qytetin tonë, Kamza”.

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here