Përhapja, kontrollet dhe kujdesi me mënyrën e të ushqyerit

 

Sipas një studimi amerikan, hiperkolesterolemia po përhapet gjithnjë e më shumë te fëmijët dhe tek të rinjtë. Për të parandaluar rrezikun janë të nevojshme kontrollet e njëpasnjëshme. Një në pesë adoleshentë ka probleme me kolesterolin e lartë dhe, si pasojë, është më tepër i rrezikuar nga problemet kardiovaskulare. Kështu shkruhet në analizën e qendrës amerikane “Centers for Disease Control and Prevention”. Fenomeni ecën në një hap me epideminë e obezitetit që ka prekur amerikanët, por nëse është e vërtetë hipoteza që sa më shumë të peshojë një fëmijë, aq më i lartë është kolesteroli, mund të jetë, gjithashtu, e vërtetë se 14 për qind e adoleshentëve normalë kanë nivel më të lartë se vlera normale e yndyrave në gjak.

Përhapja

Studimi amerikan është kryer duke analizuar të dhënat treguese të vlerave të kolesterolit LDL (të keq), HDL (të mirë) dhe trigliceridet e tremijë adoleshentëve. Kjo analizë ka treguar në veçanti se 20,3 për qind e të rinjve nga 12 deri në 19 veç, sidomos meshkuj, kanë nivel më të lartë kolesteroli se normalja. “Është për t’u çuditur me përqindjen e disa të rinjve, të cilët kanë një vlerë jo normale të kolesterolit në gjak. Fakti është shqetësues, kur shohim treguesit që nxisin sëmundjet kardiake”,- shpjegon Ashleigh May, epidemiologu i qendrës “Centers for Disease Control and Prevention”.

“Duam të dimë që mjekët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ekzaminimit dhe ndërhyrjeve rreth mënyrës së jetesës të rekomanduar për të rinjtë, sidomos për ata që janë mbipeshë dhe obezë. Për të shmangur rrezikun që i kanoset shëndetit i shoqëruar me hiperkolesteroleminë është e rëndësishme që të gjithë adoleshentët të ndjekin një dietë të ekuilibruar dhe të bëjnë një aktivitet të rregullt fizik”,- shton ai.

Kontrollet

Mbi bazën e linjave drejtuese të “American Academy of Pediatrics” (Akademia Amerikane e Pediatrisë) rreth një e treta e adoleshentëve amerikanë mund të jetë kandidate për shfaqjen e kolesterolit vetëm për faktin se është mbipeshë ose obez. Madje, jo vetëm kaq. Ndryshimi i mënyrës së jetesës u duhet rekomanduar edhe atyre të rinjve që paraqesin një familjaritet për hiperkolesteroleminë ose sëmundjet kardiovaskulare të zhvilluara para kohe. “Epidemia e obezitetit po prek edhe shumë adoleshentë europianë. Në fakt, nuk ka të dhëna të sakta dhe fenomeni është më pak i përhapur se në Shtetet e Bashkuara, por nuk duhet nënvlerësuar fakti se pjesa perëndimore e Europës është më e prekur nga mbipesha dhe obeziteti. Për sa i përket ndryshimit të mënyrës së jetesës tek të rinjtë, nuk ka kritere të sakta, pasi bëhet fjalë për një problem të kohëve të fundit. Natyrisht, duhet marrë në konsideratë edhe familja. Kur niveli i yndyrave në gjakun e prindërve është i lartë dhe me kalimin e kohës është rritur edhe më shumë, ata duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe t’u bëjnë herë pas here kontroll fëmijëve. Për shembull, nëse nëna e ka nivelin e kolesterolit 400 në gjak, kur është 45 vjeçe, duhet medoemos t’i kontrollojë fëmijët 3-4 herë në vit. Për një kujdes më të imtësishëm do të ishte e nevojshme t’u nënshtrohet testeve lipidike, por vetëm në rrethana të veçanta, për shembull, nëse verifikohet një rritje e tepërt në peshë”,- thotë një doktor nga Universiteti i Bolonjës.

Si të ndërhyjmë

Çfarë duhet të përdorim për të ndaluar rritjen e kolesterolit te fëmijët? “Në fillim, ashtu si tek të rriturit, duhet ndryshuar menjëherë mënyra e jetesës, duke përmirësuar të ngrënit dhe stimuluar aktivitetin fizik”,- shpjegon doktori. “Në Shtetet e Bashkuara, në disa raste, këshillohet përdorimi i barnave hipokolesterol (statina), një gjë më pak e përhapur në Europë. Gjithsesi, nëse dëshironi të shmangni rritjen e kolesterolit tek të rinjtë, në disa raste mund të përdoren përbërësit e shtojcave të perimeve, por që duhen marrë me këshillë të mjekut. Me këto produkte ndonjëherë mund të arrihen rezultate të mira në një kohë të shkurtër, gjë që tregon shpesh se është një shtysë e mirë, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit”. Prindërit mund të ndihmojnë të ulin rrezikun e atakëve të zemrës te fëmijët. Duke pasur parasysh faktorët e rrezikut mund të parandalojnë pasojat e padëshirueshme. Vetëm në Shtetet e Bashkuara numërohen mbi një milionë fëmijë, të cilët rrezikojnë të preken nga sëmundjet e zemrës. Në Europë, situata është më pak alarmante, megjithatë mbipesha është e pranishme dhe rrezikon seriozisht jetën e fëmijëve. Sipas shoqatës “American Heart Association”, fëmijët që vuajnë nga e ashtuquajtura sindromë metabolike, janë më të rrezikuarit. Me sindromë metabolike kuptohet një ose më shumë faktorë të rrezikshëm që mund përfshijnë nivele të larta sheqeri në gjak, presion të lartë të gjakut, nivel të lartë të yndyrave dhe kolesterolit në gjak dhe obezitet. Kjo është një situatë që vazhdon të përfshijë gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë. Shkencëtarët bëjnë të ditur se zakonisht njerëzit janë të prirur të mendojnë se sëmundjet kardiovaskulare shfaqen vetëm te të rriturit, ndërkohë që e përjashtojnë faktin se edhe fëmijët mund të jenë shumë të rrezikuar. Një studim i fundit ka zbuluar se fëmijët e vegjël, 7-8 vjeç, paraqesin një nivel të lartë të kolesterolit në gjak. Problemi kryesor, theksojnë studiuesit është mbipesha dhe obeziteti që po përhapet gjithnjë e më shumë. Pjesë e jetës sedentare janë edhe orët e tepërta të qëndrimit para televizorit ose kompjuterit dhe konsumimi i ushqimeve të thata. Në këtë pikë, hyn në lojë roli i prindërve. Për të shmangur pasojat fatale të aparatit kardiovaskular, prindërit duhet të adaptojnë një mënyrë jete më të shëndetshme për fëmijët e tyre. Mes mundësive të ndryshme është përdorimi i një diete të ekuilibruar, shumë aktivitet fizik dhe mospërdorim i alkoolit e duhanit. Më e rëndësishmja është që fëmijët t’u kushtojnë më pak kohë televizorit dhe video-lojërave. Duhet të shëtisin në këmbë ose në biçikletë, si dhe të merren me sporte të vështira. Fëmijët kanë nevojë për një shembull të mirë që shëndeti i tyre të mos rrezikohet nesër.

Çrregullimet e stresit shkaktojnë infarkt

Çdo e teta viktimë e sulmit në zemër ka simptoma të stresit post-traumatik (SSPT), kanë bërë të ditur shkencëtarët e Universitetit Kolumbia. Rezultatet e hulumtuesve amerikanë zbulojnë edhe se pacientët, tek të cilët paraqiten simptomat e SSPT-së janë dy herë më të rrezikuar nga edhe një sulm në zemër ose vdekja në afat prej tre vjetësh. Prania e SSPT-së është, mes të tjerash, e lidhur me shtypje të rritur të gjakut dhe me punë më të shpejtë të zemrës, shkruan revista profesionale ‘PLoS ONE’. Zbulimet e reja bazohen në rezultatet e 24 hulumtimeve të mëhershme, në të cilat ishin përfshirë rreth 2.400 pacientë.